Protopeiria i Kavaliotit
Pasurohet fondi albanologjik në Bibliotekën Kombëtare.
Vjen në shtëpi Protopeiria, fjalori 3-gjuhësh i Kavaliotit.
Një libër me rëndësi të veçantë gjuhësore dhe historike, me një rrugëtim gati legjendar.
Thesari albanologjik pasurohet nga një tjetër vepër e vyer. Pas një rruge të gjatë dhe falë këmbënguljes së drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Aurel Plasari, u bë e mundur ardhja në fondin e kësaj biblioteke e një kopjeje të veprës së famshme të Teodor Kavaliotit, Protopeiria. Ky akt u mundësua përmes bashkëpunimit me Bibliotekën e Akademisë së Rumanisë, ku gjendet edhe ekzemplari i vetëm i kësaj vepre, e cila mbart me vete një histori peripetike shfaqjesh e zhdukjesh. Protopeiria, vepra më e rëndësishme e njërit prej drejtuesve të Akademisë së Voskopojës, Teodor Kavaliotit, është një fjalor i trefishtë në gjuhën greke, vllahe dhe shqipe, me një rëndësi shumë të madhe për albanologët dhe leksikografët. Protopeiria është jo vetëm një dëshmi gjuhësore, por edhe historike.

Faqja e pare dhe e dyte e vepres se Kavaliotit Protopeiria
Protopeiria paraqitet si një libër i vogël, in 8º, me 96 faqe të shtypura. Kapakët i ka të dëmtuar nga koha, por lidhjen ende të fortë. Faqja e titullit është kompozuar simbas modelit tip të shtypshkronjave venedikase me këtë tekst në greqishte: Protopeiria / prej/ Fort-të-mësuarit,/ dhe Fort-të -ndritshmit Mësues,/ Predikator i Shenjtë,/ dhe Protopapë Zotëri/ Teodor Anastas/ Kavalioti/ Voskopojarit/ e shkruar/ dhe e nxjerrë në dritë nga shtypi tani së pari me shpenzime të Fort-të-nderuarit dhe Fort-punëmbarit/ Zotëri Jorgji Trikupa, i mbiemëruar edhe Kos/miki prej atdheut/ Voskopojë./ [Një frizë.] / Në Venedik/ më 1770 / prej Antonio Bortoli-t. Në rreshtin e fundit latinisht: Superiorum permissu ac privilegio. Në f. 3 ndodhet një parathënie e shkurtër e Kavaliotit. Në verso të së njëjtës faqe një gravurë në dru që paraqet Trininë e Shenjtë. Faqet 5-11 përfshijnë abetaren greke, ndërsa në f. 12 vijon një gravurë që paraqet Shën Mërinë me Jesuin foshnjë. Prej f. 13 fillon fjalori greqisht-vllahisht-shqip, në tri kolona, me radhë alfabetike. Mbi tekstin ndodhet një frizë, nën të titujt e tri kolonave me fjalët: Rhomajika, Vllahika, Allvanitika. Ka 1070 fjalë. Fjalori zë 46 faqe dhe mbyllet me një gravurë në dru në f. 59. Më tej Protopeiria ka përmbajtjen e zakonshme të librave të leximit të asaj kohe. Në f. 61 ka një lutje drejtuar Shën Mërisë. Vijojnë disa faqe me pjesë nga Bibla. Prej f. 68 deri në f. 79 ka mësime të ndryshme morale, fjalë të urta dhe lutje. Faqja 80 ka tri gravura më të vogla, megjithëkëtë të qarta, që paraqesin Darkën e Fshehtë, Mundimin e Krishtit dhe Varrimin. Në faqen vijuese, sipër, një gravurë që paraqet Ngjalljen. Deri në f. 92 vijojnë tekste kishtare, ndërsa prej f. 93 deri në f. 96 përfshihet pjesa aritmetike e Protopeirisë.
Në teknikën e gravurave specialistët kanë dalluar elementet tradicionale të artit të shtypjes venedikas, të famshëm në gjithë Europën, dhe që Republika ia detyronte mjeshtrit të shquar gjerman Ratdolt. Pjesa tjetër e zbukurimeve: iniciale, korniza, friza, si dhe trajta kursive e shkronjave dhe formati in 8° i përkasin stilit të quajtur aldin.
Nga rrjedhojat e mëtejshme të shkatërrimit të Voskopojës për kërkuesit europianë u shpëtuan prej këtij libërthi vetëm dy ekzemplarë. I pari qe ai i shpëtuar prej aventurierit voskopojar Kostë Haxhi Jorgji Xhehani, ish-nxënës i Akademisë së Voskopojës dhe admirues i Kavaliotit, me rastin e udhëtimit në Gjermani më 1773. Ky ekz. ra në dorë të gjuhëtarit gjerman Johann Thunmann, profesor në Universitetin e Halle-s dhe bashkëkohës i Kavaliotit, i cili e riprodhoi fjalorin në veprën e vet. Mbas vdekjes së Thunmann-it ky ekz. u zhduk. Kur më 1882 Miclosich-it i dukej për hulumtimet e veta, nuk gjeti dot asnjë ekz. dhe mbërriti në përfundimin: Protopeiria është zhdukur. Ekz. e dytë e zbuloi gjuhëtari Gustav Meyer më 1895; duket se ky i dyti kishte shpëtuar në sajë të një tregtari voskopojar që ndodhej në Austri ose ishte strehuar atje mbas shkatërrimit të Voskopojës. Meyer-i e ribotoi më 1897 me përkthimin gjermanisht dhe me shënime gjuhësore. Ndërsa ekz. i Meyer-it kishte 96 faqe, ai që riprodhon Thunmann-i ka pasur 104 faqe, të cilat edhe në ekz. që përshkrova mungojnë. Simbas përshkrimit të Thunmann-it, në to ndodhej një alfabet latin. Kjo mungesë i ka bërë hulumtuesit të mendojnë se ekz. që ruhet në Bibliotekën e Akademisë së Rumanisë duhet të jetë po ai me të cilin ka punuar Meyer-i. Kur më 1909 dijetarit Pericle Papahagi i duhej ta riprodhonte në antologjinë e tij Shkrimtarë arumunë të shek. XVIII, i mbetej të mbështetej vetëm mbi riprodhimet e Thunmann-it, Miclosich-it dhe Meyer-it. Një vit më vonë hulumtuesit rumunë e zbuluan ekz. e Meyer-it në katalogun e antikuarit Joseph Baer nga Frankfurti-mbi-Mein, nën titullin Die Protopeiria des Kavaliotis dhe me nëntitullin sensacional Ein Unicum. Prej Baerit e bleu Biblioteka e Akademisë Rumune në nëntor 1910 për 600 marka të asaj kohe.
Për befasi të studiuesve, mbas Luftës I Botërore as në këtë bibliotekë ekz. i vetëm nuk gjendej më. Madje nuk rezultonte as regjistrimi i tij në librin e inventarit. Kur më 1936-39 dijetari shqiptar Ilo Mitkë-Qafëzezi e ribotonte Fjalorin e Kavaliotit në Shqipëri në revistën LEKA, duke e vënë pjesën shqipe në alfabetin shqip, mbështetej po te riprodhimet, pa e ditur se më 1935 Protopeiria qe rishfaqur nga depozitat e thesarit të Mbretërisë rumune të transferuara në Moskë prej Akademisë në kontingjencat e Luftës.
Sikurse shihet, kemi të bëjmë me një libërth krejt të thjeshtë, të shfaqur pa kurrfarë buje, por që ka shënuar një nga karrierat më të habitshme në jetën e librave për shkak të fjalorit që përmban. Duke e vendosur në kuadrin e lëvizjes mendore ku ai u shfaq dhe funksionoi, së toku me katërgjuhëshin e Danielit, ato i kanë quajtur edhe më të bukurat dhurata të popujve ballkanikë për kulturën e botës.
Çështë e vërteta, studimet e para për njohjen e gjuhëve shqipe, vllahishte dhe bullgarishte janë realizuar mbi bazën e këtyre fjalorëve disagjuhësh dhe autorët e tyre është e drejta të përfillen si pararendës të gjuhësisë së krahasuar për Ballkanin. Por Fjalori i Kavaliotit dhe ai i ndonjë ndjekësi të tij paraqiten të rëndësishëm në një aspekt përtej filologjik: me ta fillon në Ballkan historia e rilindjes mendore të popujve përkatës, para përhapjes në rajon të frymës luftarake të Revolucionit frëng, madje përpara vetë këtij revolucioni. Rëndësia e një libërthi të këtillë në rizgjimin kombëtar të popujve në fjalë shihet edhe nga fakti që Fjalori i Kavaliotit ka qarkulluar edhe i rikopjuar me dorë, sikurse dëshmon kopja e gjetur në manastirin e Shën Pandelejmonit të Malit Athos; disa vjet mbas botimit të tij, ka lindur nevoja për katërgjuhëshin greqisht-vllahisht-shqip-bullgarisht të Daniel Voskopojarit; ndërsa më 1841 bullgarëve u është dashur të bëjnë një botim të dytë të katërgjuhëshit si trigjuhësh, duke i zëvendësuar vllahishten dhe shqipen me turqishten.
Ajo çfarë e ka bërë më të habitshme karrierën e këtij libri, si për studiuesit e tij, ashtu dhe për bibliografët, është doemos zhdukj
