Letër djalit të Hysni Burgajt: Mos u bëj si babai, polic shërbëtor kukull politike!
Tre ditë më parë, shkolla e policisë shqiptare shpalli listën e fituesve, që do të përgatiten e kualifikohen si kontigjent të ardhshëm të Policisë së Shtetit. Në listën prej 600 konkurentësh, nr. 34 i përket 19 vjeçarit Riger Burgaj, djalit të Hysni Burgajt, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nuk paragjykojmë pozitën e lartë zyrtare të babait të tij, si trampolinë që i biri ka rezultuar shkëlqyer në të tre testet e marrjes në provim edhe pse është djali i kreut të Policisë së Shtetit, krye-figurës policore, që ka nën komandë edhe këtë shkollë. Duke qënë, se pikërisht Rigert Burgaj, djali i kreut të policisë do të ndjek shkollën e policisë, mendova ti drejtoj një mesazh të hapur shoqëror:
I nderuar Rigert!
Sinqerisht, ju uroj suksese në shkollën e policisë, prej të cilës përfitohet një profesion sa i vështirë aq edhe i nderuar, me funksion të plotë, shërbimin në mbrojtje të jetës, punës dhe qetësisë së komunitetit. Ti Rigert, patjetër që e dashuron këtë profesion dhe ndoshta, pikënisje mund të jetë bërë dhe fakti, që ti je biri i një polici, tashmë me detyrë të lartë në Policinë Shqiptare. Unë do të dëshiroja, që ti Rigert, kur të dalësh në detyrën e policit, përveç profesionit, gjatë përmbushjes së detyrës si polic, apo si drejtues i saj, të mos i ngjaje babait tënd, Hysni Burgajt.
Pse ta the këtë? Ti, Hysniun e ke baba, ndërsa ne qytetarët e kemi drejtor të Policisë së Shtetit. Qetësia, puna, prona, të drejtat, jeta e të gjithë neve, mbrohet edhe nga policia. Duke mos ju konsideruar bebe, për vetë faktin që jeni 19 vjeçar e tashmë keni nisur rrugën e jetës, patjetër që do të më kuptoni thelbin e këtij mesazhi të thënë troç. Patjetër që këto 6 muajt fndit, keni dëgjuar e keni parë zhvillimet publike politike në Shqipëri e kryesisht në Tiranën ku jetojmë edhe ne të dy. Në këtë zhvillime, përveç krerëve të qeverisë e opozitës, ka qenë prezente edhe policia. Brenda veprimtarisë së policisë, ka qenë me prezencë aktive publike edhe babai juaj Hysniu, drejtor i Policisë së Shtetit. Qëndrimi i babait tuaj në këto zhvillime, nuk ka qenë aspak korrekt në zbatim të detyrës së tij, si kreu i policisë dhe në përmbushje të misionit të tij, si polic. Ju thashë në fillim të këtij mesazhi, që babait tuaj Hysni Burgaj, përveç figurës morale, profesionit dhe aftësive, të mos i ngjanit kryepolicit Hysni Burgaj.
Babai juaj dhe kryepolici ynë, nuk është treguar aspak korrekt e ligj-zbatues në përmbushjen e detyrimeve të tij, në raport me profesionin dhe detyrën e lartë, që ka si kryepolic. Në 21 janar, ti Rigert patjetër e ke dëgjuar edhe në shtëpi, që Garda e Republikës dhe Polcia e Shtetit, qëlloi me armë mbi demonstruesit, dukë lënë jetimë fëmijët e katër familjeve, me moshë nga 6 muajsh deri në 17 vjeç. Babai juaj, ashtu si edhe tani, në atë ditë të zezë, ka qenë drejtuesi më i lartë, i atyre policëve e gardistëve që qëlluan, që vranë, që arrestuan, që dhunuan, që futën nëpër qeli e torturuan qindra shqiptarë. Jam i bindur, por besoj që babai ua ka thënë edhe juve në familje, që për të vepruar, ka marrë urdhër nga ish-ministri i tij Lulëzim Basha, ndërsa ky i fundit nga kryepolici i Shqipërisë Sali Berisha. Babai juaj, ka zbatuar një urdhër që nuk duhej zbatuar, që e ndalon ligji, që e ndalon misioni ligjor deh morali public i policit. Për me tepër, që pas masakrës së 21 Janarit 2011, dukshëm i gjendur në siklet moral e profesional, babai juaj Hysni dhe drejtori ynë i policisë Hysni Burgaj, doli disa herë radhazi publikisht në televizione duke bërë mbuluar krimin. Këtë gjest, këtë akt babai juaj e bëri duke cenuar e shpërfillur pikërisht ato virtyte e detyrime morale dhe ligjore që ti do mësosh në shkollën e policisë. Ndërsa veprimet e tij, Hysniu juaj dhe Hysniu i policisë së shtetit, u prangos nga urdhrat politiko-ekzekutiv, zbatimi i të cilëve degjeneroi në krim makabër. Deklarimet e tij ishin shkelje e moralit dhe betimit si polic. Babai juaj, nuk foli si njeri i ndershëm e i drejtë përballë krimit të ndodhur, por foli duke cenuar rëndë misionin si mbrojtës i komunitetit. Foli duke abuzuar për së dyti me detyrën si kryepolic i shtetit. babai juaj, mohoi deh maskoi të vërtetën publikisht. Ai u bë palë me urdhëruesit, u bë mburojë e atyre që urdfhëruan dhe e atyre që shkrehën breshëritë vrasëse mbi popullin. Babai juaj dhe kryepolici ynë i nderuar Rigert, pengoi hetimet e prokurorisë me të gjithë mundësitë që i jep detyra, duke mos dorëzuar as autorët ekzekutues, as armët, as filmimet e kamerave, as gëzhojat e asnjë provë.
Do doja të përmend edhe qëndrimet gjatë numërimit të votave në Njësinë bashkiake nr. 5 në Tiranë, ose gjatë protestës popullore përballë KQZ e në rrethe. Por nuk dëshiroj të zgjatem tek episodet e krijuara prej babait tuaj në mbrojtje të bunker-krimit Ristani, për shkak se edhe këtu, si kurdoherë, nuk ka zbatuar ligjin dhe kodin etik e moral të policit e kryepolicit, por urdhrat politikë të pushtetit.
Pikërisht për këto ju them: Mos i ngjani babait tuaj dhe kryepolicit tonë Hysni Burgaj, kur të dilni në profesionin e policit e të viheni në përmbushje të misionit e detyrës që do të keni. Nuk mendoj, se këtë mesazh, do ta konsideroni si dashakeq ose si cenim të personalitetit publik të babait tuaj. Dëshiroj dhe jam i bindur, se edhe pse kam përdorur si personazh babain tuaj, ju do ta konsideroni mesazhin tim, si një thirrje dashamirëse, që bashkë me profesionin, që gjatë ushtrimit të tij, të bëni kujdes të mos mësoni, të mos përvetësoni, të mos krijoni e të mos zbatoni bindshëm modelin e policit “shërbëtor kukull”, të nënshtruar e të pasinqertë, si ai i babait tuaj, policit dhe kryepolicit Hysni Burgaj.
