E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër kryeministrit Berisha: Shkarkoni doganierët e korruptuar

Nga Sajmir Tahiri

Z. Kryeministër! Do kisha dashur tju nisja një sms në celularin tuaj antikorrupsion, po të mos besoja se mjetin që e keni shitur publikisht si instrument për duart e pastra, në fakt e përdorni po ju vetë me duar të pista për çfardolloj pisllëku, duke kënaqur njëkohësisht epshin pervers të të ndjerit gabimsht, njëherësh shpëtimtari për disa pak që ende besojnë të ndershmëria juaj, e ne te njeten kohe kumbari për ata disa pak të tjerë që shërbëtojnë për bizneset e pista të qeverisë e të familjes.

Do kisha dashur shumë tju nisja edhe një shkresë zyrtare, po të mos ma komplikonte rrugën procedura që ka sajuar kanakarja juaj në parlament, znj. Topalli, e cila tashmë filtron dhe shkresat e deputetëve të opozitës drejtuar ministrave dhe kryeministrit.

Por, po ju drejtohem publikisht në rreshtat e para, me shpresën se të paktën për sy e faqe, do levizni pak nga karrigia për të mësuar më shumë për atë korrupsion të vogël për të cilin fare rastësisht u bëra dëshmitar në pikën doganore të Qaf Botit.

Me pak fjalë, historia është kjo. Dy doganierë në pikën doganore të Qaf Botit, bridhnin në rreshtin e makinave me turistë dhe emigrantë, duke vënë gjoba e kërkuar dhurata, pa pasur asnjë lloj skrupulli për të mbuluar të paktën në dukje, poshtërsinë që bënin si dy vemje që zvarriteshin derë më derë në makinat e shqiptarëve e të huajve që prisnin nën diell.

Dëshmitar u bëra kur i erdhi rradha një shtetasi italian dhe bashkshortes së tij shqiptare, ngjitur me makinën time. Njëri nga këta gjobëvënës me uniformën e shtetit për të cilin unë dhe familja ime paguajmë taksa, e po kështu shumica dërrmuese e shqiptarëve të zakonshëm, përfshi edhe ata që prisnin në rradhë, i kërkoi atyre që ishin në makinë dhuratën për shefin. Dhe këtë e bëri me plot gojën e copë fare, pa iu dridhur aspak qerpiku.

Përgjigja e gruas shqiptare do turpëronte dhe hajdutin profesionist, por jo këto shushunjat që bredhin në doganat shqiptare. Zonja i tha se kishte 23 vjet larguar nga Shqipëria, dhe se i kishte harruar këto tradita por u kujdes njëkohësisht që të përmbushte dhuratën e detyruar për punonjësin e shtetit.

Doganieri ia ktheu mbrapsht gruas atë që i mori, i turpëruar para të gjithë atyre që panë më sy të gjithë skenën e që mbase kishin bërë gati dhuratat e tyre për këtë palaço me uniforme, por kjo ndodhi vetëm pse unë ndërhyra dhe thuajse e detyrova të kthente atë që nuk duhet të merrte kurrë.

Edhe pse im bir, as 6 muaj nuk ka mbushur, priste në makinën e vaposur, mu desh të konsumoja mbi 4 orë në Komisariatin e Sarandës për të denoncuar gjithçka rasti më bëri dëshmitar, falë edhe gatishmërisë së oficerëve në polici për të mbajtur shënim deklarimin tim.

Natyrisht që kam ndërmend të interesohem periodikisht për të mësuar fatin e denoncimit tim duke pritur që drejtësia të bëjë punën e saj, por po iu drejtohem që të mos prisni Ju si Kryeministër i vendit e të bëni më të paktën që keni në dorë, të shkarkoni të dy punonjësit por edhe shefat e tyre në doganën e Qaf Botit, të cilënt nuk mund të mos kenë marrë vesh e të mos kenë qënë në dijeni të banditizmit korruptiv të këtyre doganierëve që nuk bënin asnjë lloj përpjekje për të fshehur veprimtarinë e tyre.

Po ndërkohë që Z. Kryeministër, mburreni për turizmin, duart e pasura, shtetin ligjor e demokracinë, vrrullin tuaj personal e qeverisës për reforma, ca të vërtetave duhet tu dalim përpara e po e bëj vetë.

Përse të mos jetë kaq i korruptuar e kaq arrogant në korrupsionin e vet një doganier në doganën më të fundit të vendit, kur Kryeministri i vendit dhe familja e tij, pak kilometra larg Tiranës në Gërdec, ndërtojnë një kantier të tërë vetëm për të vjedhur, dhe mbyllin sytë kur po ky kantier kthehet në varrezën e 26 njerzve, faji i vetëm i të cilëve ishte nënshtrimi pa kushte ndaj varfërisë që i detyroi të punonin si skllevër në biznesin e familjes së Kryeministrit, biznes që u mori jetën.

Përse të mos vjedhë ca lekë një doganier, kur Kryeminsitri vodhi mbi 220 milion Euro nga Rruga Durrës-Kukës? Ky urdhëroi Lulzim Bashkën ta bënte, që pastaj ta shpëtonte me procedurë nga drejtësia, për ta bërë sot, po me procedurë, Kryetar Bashkie.

Përse të mos jetë arrogant e i pacipë një doganier kur xhvat paratë e emigrantëve a turistëve,  kur Kryeministri pushkaton qytetarët në mes të bulevardit me rregullore oborri, kujdeset për Presindentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme dhe Kryetarin e SHISH me libër shtëpie dhe shpëton vrasësit nga drejtësia që ka marrë peng po me rregullore oborri.

Përse të mos priten bashkëatdhetarët që në kufi me dhurata për mbretin, kur Kryeministri edhe tokën e detin i trajtonë si oborr privat, e i fal për interesa okulte? Si mos të vjedhë doganieri në Qaf Bot, kur Kryeministri mbyll sytë edhe kur me zë e figurë i del përpara zëvëndësi i tij i zyrës ngjitur që bën pazare me tendera e konçesione miliona euro?

Nuk ka asnjë mundësi të ndodhë ndryshe, sepse modeli qeverisës që nga i pari i kësaj çete kulakësh deri të oborrtari më i fundit, vjedhin e rrjepin gjithcka e gjithkënd. Vjedhin jetën, votën, paratë, kursimet, pasurinë publike, buxhetin e shtetit e çdo gjë tjetër ka mbetur ende në këmbë pa u vjedhur prej tyre.

Kur korrupsioni me këmishë e kollare fshihet pas pandëshkueshmërisë, pas kapjes së drejtësisë nga mafia shtetërore, pas shembjes së shtetit ligjor e pas rrënimit të demokracisë, doganieri me këmishë të zgjyrosur në Qaf Bot, bën vetëm atë që duhet të bëjë për të mbijetuar në një sistem të ndyrë që funksionon për të mbajtur në këmbë një pushtet ilegjitim nga koka të kembët.

Është ky modeli i shtetit mafioz që të përplaset dhunshëm në fytyrë sa vë këmbë në tokë shqiptare. Kjo është kartvizita e qeverisë dhe zgjatimeve të saj në çdo skaj. Ata doganierët e veckël të Qaf Botit janë vetëm ushtarët e parëndësishëm të një kompanie të tërë mercenarësh që nuk njohin as ligj e as moral, e që këtë vend e trajtojnë si plaçkën e luftës së fundit elektorale.

Fjalët e bashkëshortit italian që ra viktimë e atij doganierit ishin pak a shumë filozofia që Kryeministri ynë kërkon ti imponojë tashmë një populli të tërë. Mu drejtua mua duke mu lutur të mos e bëja problem, sepse ata donin vetëm të kalonin doganën të qetë e të vazhdonin punën e tyre në Shqipëri. Qetësia për të mbaruar secili punën e tij, përbën ndoshta dhe hallin më të madh të çdo shqiptari të ndershëm sot, dhe pse kostoja për këtë, është detyrimi për të mbyllur sytë e për të qetësuar nervin sa herë kryeministri dhe banda e tij vjedh, vret, plaçkit e grabit ku të mundet.

Nuk kam asnjë shpresë së punët në Qaf Bot për udhëtarët e shkretë që iu bie rruga andej, do të ndryshojnë për mirë, të paktën tani për tani. Por ama atë traditën e rryshfetit që shqiptarja e larguar prej 23 vjetësh e ksihte harruar e që me kujdesin e doganierit e rikujtoi, të mos e pranojnë si një detyrim të përhershëm për të blerë komoditetin. Mbase kështu, nuk do pranojmë të gjithë bashkë as maskarallëqet e çdo qeverie dhe kryeministri në kurriz të brezave, për të blerë ditpërditshmërinë tonë të rehatshme në këtë kaos publik e kolektiv.

Jam i sigurt që Z. Kryeministër nuk do lëvizi as gishtin për ata doganierët e Qaf Botit. Me llogaritë e tij, ata thjesht i duhen. Por nuk i duhen askujt tjetër. Vendit akoma më pak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›