E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Busti për Gumën, një lojë e ngjashme me varret e ushtarëve grekë

Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, gjatë një interviste për Shqip, ka thënë se akti i ngritjes së bustit të Aristotel Gumës në Himarë, është një akt i ngjashëm me varret e ushtarëve grekë.

Ngjarja e fundit që lidhet me vendosjen e bustit të të ndjerit Aristotel Guma në Himarë, ashtu si një vit më parë, ka dy aspekte të kundërta. Në radhë të parë, dramën e të ndjerit e të familjes së tij, që padyshim ishte e pranishme edhe sot, një vit pas fatkeqësisë, dhe përpjekjet e sforcuara e të liga të një grupi mercenarësh e provokatorësh, që përpiqen ta kthejnë varrin e bustin e himarjotit Aristotel Guma në një piketë të çmendurisë së tyre e të porositësve të tyre, në një piketë të Vorio-Epirit.

Është e njëjta lojë e ndyrë që u luajt me eshtrat e ushtarëve grekë të rënë për liri në malet e Këlcyrës, veçse kësaj radhe loja është akoma më cinike dhe e papranueshme, pasi bëhej fjalë për një djalë nga Himara jonë. Ceremonia e inaugurimit të bustit të të ndjerit Guma u bë sipas folklorit të zakonshëm nacionalist, që e kemi parë edhe herë të tjera, me pjesëmarrje, akte e fjalime antikushtetuese e antiligjore. Mua më duket se ai që më shumë nga të gjithë e kuptoi se kupa ishte mbushur ishte mitropoliti i Gjirokastrës. Ndryshe nga eprori i tij, z. Janullatos, që një vit më parë nxitoi ta fusë i pari tragjedinë Guma në kornizat e një vrasjeje për motive etnike, varësi i tij i Gjirokastrës, grek si ai, e denoncoi përmbajtjen politike e antikanonike të kësaj ceremonie, duke shpëtuar në një farë mënyre fytyrën e kishës.

E, gjithashtu, duke nxjerrë në pah pashpirtësinë, injorancën, mercenarizmin, ligësinë e radhës gjithnjë e më të mpakur të luftëtarëve të Vorio-Epirit, personazhe groteske prej Ferri dantesk, që ushqehen me flakët e urrejtjes e të konflikteve. Si asnjëherë tjetër ky takëm, i plotësuar nga disa veteranë të çështjes së Vorio-Epirit të ardhur nga Greqia, u braktis nga qytetarët dhe nga autoritetet e zgjedhura të Himarës, ka thënë zoti Xhufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›