E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka diskutuar për letrën që do t’u dërgohet komisioneve homologe të shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Kryetari i komisionit, Albin Kuri, prezantoi para anëtarëve të tjerë draftin e letrës, nëpërmjet të cilës u bëhej thirrje komisioneve homologe të këtyre pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, që të anojnë kah njohja e pavarësisë së Kosovës dhe të ndikojnë te qeveritë e tyre që ta bëjnë këtë.

Letra bën një pasqyrim të realitetit në Kosovë dhe përmban argumente për njohjen e pavarësisë. Pas disa plotësimeve nga ana e anëtarëve të komisionit, u dakordua që letra t’u dërgohet komisioneve homologe.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, në funksion të të cilës, instituti “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”, i angazhuar nga komisioni, kishte përgatitur një raport vlerësues mbi përputhshmërinë ndërmjet akteve nënligjore dhe Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Raporti u prezantua nga përfaqësuesi i këtij instituti, Dren Doli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›