Tadic: Serbia e ka konfirmuar se Kosova është e pavarur

Sipas tij, Serbia më nuk ka kurrfarë institucione apo instrumente me të cilat do ta drejtonte çfarëdo procesi në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova dhe aleatët e saj kanë strategjinë e hapave të ngadalshëm drejtë pavarësisë së plotë.
Tadic për revistën “Globus”, ka thënë se ky interes me të cilin do të përmbushej objektivi i shqiptarëve në Kosovë është legjitim dhe askush nuk mund ta mohoj, transmeton RTK.
”Por Serbia ka interesat e veta në Kosovë ku kemi qytetarët tanë, përmendoret tona kulturore dhe integritetin tonë shtetëror. Këtë nuk guxojnë ta harrojnë as shtetet tjera të rajonit, sepse nëse pranohet demontimi i integritetit të Serbisë atëherë herët a vonë mund të demontohet i tërë rajoni”, është kërcënuar Tadic.
Pyetjes nëse e konsideron politikën e vet të dështuar sepse Serbia tani nuk e ka as Kosovën as BE, Tadic ka shfaqur bindjen se Serbia mund ta ketë edhe njërën edhe tjetrën, por për asnjë çast nuk ka menduar se Serbia do ta integrojë hapësirën e Kosovës sipas mënyrës siç ka qenë në kohën e Millosheviqit.
Tadic nuk është i sigurt se koalicioni i cili tash po e përgatit formimin e qeverisë së re të Serbisë do të arrijë marrëveshje rreth çështjeve ekonomike e bashkëpunimit rajonal të Kosovës.
”Nuk mund të arrihet konsensusi kombëtar rreth Kosovës sepse Nikoliq e Daçiq i takojnë politikës së njëjtë, e konsensusi arrihet midis dy poleve të ndryshme politike” ka ka theksuar ai.
“Konsideroj se në dialogun demokratik duhet gjetur zgjidhje e cila do të merr parasysh interesat e të dy palëve. Edhe më tutje besoj se Kosovës nuk duhet qasur sipas logjikës së fituesit dhe humbësit” ka përfunduar ish presidenti serb Tadic për revistën “Globus” të Zagrebit.