E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fight club Albania

Ka shumë dukuri të sjelljes së njerëzve tanë, të cilat po bëhen shqetësuese për shoqërinë tonë. Një nga këto raste është dhe ngjarja krejt e pazakontë që ndodhi para pak ditësh në një nga shkollat e qytetit të Fierit, ku dy grupe të organizuara fëmijësh janë ndeshur për të treguar forcën fizike. Dhe jo për të folur për lëndën e fizikës. Organizimi është çudia më e madhe e këtij lajmi. Dhe  çudia ka qenë se kjo ndeshje ishte planifikuar prej dy grupeve gati një javë më parë dhe “ndeshja” e zhvilluar para disa ditësh ka qenë vetëm raundi i parë, pasi një tjetër raund do të ishte disa ditë më vonë. Një larje hesapesh rinore që i bën nder kategorisë kriminale. Një organizim me një ftohtësi dridhëse që i shkon përshtat të rriturve dhe jo të grupi një minigangsterësh. Por mjaft mirë kësaj radhe, ka qenë ndërhyrja e forcave të sigurisë që ka ndërprerë planin agresiv e të rinjve. Në komisariat përfunduan pesë kapobanda të moshave nga 13 në 15 vjeç dhe pritet që  të sqarojnë motivet e kësaj humbje të realitetit. Kuptohet, tepistët e së ardhmes kanë mundësinë e artë të rikthehen në realitetin moral të vlerave njerëzorë të miqësisë dhe jo të atyre të armiqësisë infantile. Ta shohim ndryshe. Nga ana siperstrukturore kjo denoncon një klimë regresive në shkollat e qyteteve jashtë orbitës së Tiranës. Është një manifestim i qartë impulsit për të mbisunduar në shkollë, jashtë saj dhe pastaj kudo në shoqëri që nuk iu ka mbirë vetvetiu, por iu është lënë që bari i keq të fus rrënjët në mendjet e tyre akoma të pagjykuara.
Po ta shohim nga ana jo banale kjo “lojë” për t’u rrahur midis tyre shënon një përkeqësimi akut të edukimit familjar dhe njëherësh të atij shkollor. Kjo ngjarje është thjesht triumfi i injorancës. D.m.th triumfi i paditurisë. Sepse kalitja e mendjeve të fëmijëve i dorëzohet avitjeve klasike, sipërfaqësore që s’bëjnë gjë tjetër veçse të trashëgojnë një tip vlerash të atrofizuara sociale, kulturore dhe jo të rikrijojnë  vlera që i përkasin një shoqërie moderne të shekullit XXI-të, ndaj të cilës aspirojmë. Këto ngjarje na njoftojnë, me siguri, me simptomat e tyre se po përballemi më një tërmet, e më të gjitha pasojat që sjell ajo në tronditjen shpirtërore të shqiptarve që po krijojnë "dajakëzimin  e vlerave". Ne duhet të kuptojmë se kultura nuk është një problem i një shtrese sociale, i një moshe të caktuar, apo të një grupi të caktuar social.  Është një problem pikëvështrimi gjithanësor i këtij kulmi. Një problem i cili zgjidhet vetëm nga edukimi. Nga edukimi familjar si fillim e pastaj nga ai shkollor. Kuptohet duke ndryshuar avitjet e edukimit. Tashmë është demonstruar katërçipërisht se kultura qytetare ka si kuptim të saj të vërtetë e të gjerë edukimin. Pra, kultura është stadi i qytetërimit që një popull ka arritur, është grumbullimi i eksperiencave shpirtërore, shkencore dhe morale. Ngjarja e Fierin na dëften një krizë qytetërimi. Po. Dhe jo thjesht një “lojë” ku marrin pjesë 60 nxënës të ekuipazhuar me shkopinj, e jo me fjalë. Flasim për një krizë që ka nisur nga shumë kohë. Bjerrja e edukimit familjar dhe atij shkollor po shkakton infektimin e të rinjve në dhunë masive. Fëmijët e të rinjtë nuk ka fjalë në bagazhin e tyre mendor për t‘u përdorur në komunikim, në bisedë, në shkollë. Komunikimi është bërë nul. Inventari i këtyre gangsterracakëve po t’i dëgjosh shkon jo më shumë se 800-të fjalë, ku një komunikim normal do të kërkonte rreth 4000 të tilla. Dhe çfarë ngelet pos pate fjalë për të biseduar? Instinkti. Dhuna. Dhuna si shtegu më i shkurtër i përfundimit të një debati, që kulmon në një sherr. Ku çdo mos-marrëveshje banale është e mirë për t’u konfrontuar fizikisht e jo “intelektualisht”.
Sherrakët e të dy shkollave e kishin bërë planin e ndeshjes së pa-harrueshme me një preçizion guerilesh, aq sa e kishin ndarë në disa pjesë ballafaqimin. Imagjinata e shfrenuar nga etja për pak lavdi lagjeje gati sa s’bëri hatanë. Krijimtaria tipike shqiptare për të shkatërruar sikur kalon nëpër majat e gjakut. Nëse e terezisim pak situatën që përjetojmë, duhet të prekim në një reflektim të përthellë si qytetarë, si familjarë, për faktin që shoqërisë shqiptare vazhdon të mos i funksionojë si duhet "sistemi i edukimit të vlerave" morale, me të cilat ndërtohet jeta dhe qytetërimi modern. Kur shumica e njerëzve tanë janë të hutuar, të çoroditur për atë që po ndodh përreth tyre. Atëherë këtë pa-siguri të hallakatur e transmetojnë edhe në fëmijët e tyre. Të cilët për shkak të moshës që kanë nuk kanë mjetet intelektuale të gjykojnë situatat apo ndodhitë negative. Devijimi nga binarët e jetës sociale të shoqërisë shqiptare, dhe eksodi i madh i vlerave pozitive të trashëguara apo të krijuara, ka sjellë një golle humnere në rini, i cili ka bërë të mundur që, shkallë shkallë, sistemin e domosdoshëm të vlerave, ta zëvendësojmë me “kulturën e dajakut”.
Shkaqet që çojnë disa të rinj për të mbisunduar në lagje, në shkollë, në qytet, si dhe ato që çojnë të tjerë të shikojnë këtë shfaqe, kanë ekzistuar gjithnjë në shoqëri e në kohëra të ndryshme, por sot kanë ndryshuar edhe përgjigjet që të rinjtë kthejnë. Ky është çelësi kopil për të interpretuar dhe për të kuptuar e identifikuar një shkak kaq degjenerues, si kjo e “ndeshja” e Fierit. Për të kuptuar më mirë këtë dajakzim të shoqërisë i duhet rikthyer sytë te historia e evolucionit të familjes shqiptare, evolucionit të shkollës shqiptare që duhet thënë shkon drejt ortekut final.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›