E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpifjet e Edvinit nuk ngjisin, përballë investimeve qeveritare

Përurimi i Urës së Gorricës, në hyrje të Beratit, një tregues i rëndësishëm se ndërtimi i Boshtit të Jugut do të jetë një prioritet i mandatit të dytë qeverisës të kryeministrit Sali Berisha. Opozita mbetet tek llogorja prapanike e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve, duke nënshkruar vetë qendrimin e saj në pozita inferiore, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje nga Berati kryesocialistin Edi Rama, si drejtues politik dhe propagandues i një alternative shpifjesh, trillimesh dhe mashtrimesh.
Kreu i qeverisë theksoi se sot në Shqipëri qarkullojnë dy ndryshime: njëri është ndryshimi me rrugë, ujësjellës, ura dhe shkolla të reja ndërsa tjetri është thjesht ndryshim me shpifje trillime dhe mashtrime.
Akuzat e tij Kryeministri Sali Berisha i bëri dje nga Berati kryeministri Sali Berisha, në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve të disa veprave publike.
“Javët e fundit kryetari i Partisë Socialiste ka vendosur prapa shpinës së tij fjalën ndryshim. Dua ta falënderoj, por problemi qëndron se ky ndryshim është ura për Beratin, ndryshim është Berati, trashëgimia botërore, është hyrja madhështore e Beratit që po ndërtohet, ndryshim është Boshti i Jugut. Ndryshim janë shkollat e reja, rrugët që asfaltohen, ujësjellësit që ndërtohen, kanalizimet që sistemohen, nuk janë mashtrimet që  kryetari i Partisë Socialiste bën. Ai e ka konceptuar ndryshimin si mashtrim dhe sharje. Nga këtu dua t’i them se ‘ndryshimi i tij’ ka fatin e brymës në gjethen e një peme që e shkrijnë rrezet e para të diellit. Dhe ndryshimi i ynë do ta shkrijnë që në orët e para të mëngjesit ‘ndryshimin e tij’ dhe do ta nxjerrë zotin Rama ashtu siç del ai vetë”, u shpreh Berisha.
Duke iu referuar situatës së rëndë të rrugëve në kryeqytet, kryeministri theksoi, duke marrë shkas nga investimet e qeverisë në Berat, se këto rrugë me parametra bashkëkohore do ti kishin lakmi shumë rrugica të Tiranës.
“Këtë e them me sinqeritet sepse në Tiranë mund të gjesh qindra km rrugë me gropa sikur je në Mesjetë dhe jo në kryeqytetin e vendit”, u shpreh kryeministri. 
Kreu i qeverisë Berisha, deklaroi para banorëve të Beratit se “jam këtu sot për t’ju dhënë fjalën se Boshti Qendror i Jugut do të fillojë ndërtimin që këtë vit dhe se ky do të jetë projekti më madhor i mandatit të dytë të qeverisë sime”.
“Boshti Qendror i Jugut e shndërron Beratin ashtu siç e kanë ndërtuar gjyshërit dhe të parët tuaj, në një nga epiqendrat e fuqishme të zhvillimit të vendit”, tha kryeministri.
Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se Boshti Qendror i Jugut afron Beratin, Tepelenën, Sarandën dhe Gjirokastrën rreth 70 km me Tiranën.
“Ndërtimi i tij do të nisë gjatë vitit 2009, por ne nuk mendojmë vetëm për Beratin dhe qendrën e tij apo autostradat dhe akset kombëtare, ne po mendojmë për çdo rrugë dhe rrugicë të këtij vendi. Berati u bë bukuria e mbarë njerëzimit në këtë mënyrë dhe së bashku me Shqipërinë me dinjitet të madh më 3 prill bëhen anëtarë me të drejta të plota në NATO, realizojmë kështu një nga projektet më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Berati do të ketë universitetin e tij të merituar”, u shpreh më tej Berisha.
Kryeministri tha gjithashtu se në projekt tjetër i madh ku Berati do të jetë një nga qarqet më kryesore është projekti i ullirit.
“Qeveria ime ka zgjedhur pas Boshtit të Jugut si projektin e dytë më të madh kombëtar mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj të reja. Ne do ta bëjmë këtë sepse ne shkojmë drejt integrimit evropian dhe nëse ka një prodhim nevoja për të cilin ndoshta nuk do të plotësohet dhe që do të ketë gjithmonë një treg të madh do të jetë ulliri dhe produktet e tij. Ndaj dhe ne kemi nisur punën. Berati dhe komunat e tij janë një nga epiqendrat kryesore të prodhimit të ullirit dhe ne llogarisim që të jetë epiqendra më kryesore e projektit të madh kombëtar”, u shpreh në vijim kryeministri Sali Berisha.

Ura e re e Gorricës, simbol i parë i Boshtit Qendror të Jugut
Në vijim të turit të përurimeve të disa veprave publike në rrethin e Beratit, kryeministri Sali Berisha inauguroi dje përfundimin e urës së re të Gorricës, investim i qeverisë me vlerë 200 milionë lekë.
Ura me gjatësi 220 m dhe gjerësi 22 m, dhe që përbën veprën e parë të Boshtit Qendror të Jugut, është ndërtuar sipas parametrave bashkëkohore, me katër korsi dhe me trotuare. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e madhe që ky premtim u shndërrua në realitet brenda një kohe të shkurtër.
“Është një nder i veçantë për mua të ndaj me ju sot gëzimin e inaugurimit të urës së re të Gorricës, të cilën ju qytetarët e Beratit e keni pritur me padurim prej shumë e shumë vitesh. Kam kënaqësi të madhe që këtë premtim e shndërruam në realitet për këtë qytet të mrekullueshëm dhe qytetarët e tij. Dua të falënderoj kompaninë Salillari dhe presidentin e saj për punën me përkushtim që ka bërë për ndërtimin e kësaj vepre jetike për funksionimin e  qytetit tuaj si dhe për përfundimin e saj para afatit. Unë sapo inaugurova fillimin e punimeve për rrugën hyrëse të qytetit investim prej mbi 5 milionë euro ndërsa 2 milionë euro është investimi në këtë urë. Së bashku pak muaj më parë festuam shpalljen e Beratit trashëgimi kulturore botërore”, tha Berisha.
Duke iu referuar investimeve në rrethin e Beratit, kryeministri Berisha tha se çdo banor i këtij rrethi kur bën analizën e tij del në përfundimin se “Berati po ndryshon”  por theksoi se ndryshimin më të madh ky rreth do ta ketë me ndërtimin e Boshtit Qendror të Jugut.
Kryeministri shprehu vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë për nisjen e Boshtit Qendror të Jugut brenda këtij viti, duke e cilësuar atë si projektin më madhor të mandatit të dytë të qeverisë së tij.

Berati dhe komunat e tij në vëmendjen e qeverisë
Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të rrugës së Ismailëve në Poshnje, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 10 milionë lekë.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse me këtë rast kryeministri theksoi se Poshnja dhe komunat e Beratit janë në epiqendër të vëmendjes së qeverisë.
“Ky është një investim i vogël, por në mbarë vendin nëse i mbledhim të gjithë investimet e vogla bëhen në katër vjet 1 miliardë e 600 milionë dollarë. Kemi investuar për rrugët në Poshnje dhe po investojmë edhe për rrugën Poshnje-Ura e Fushës-Ura Vajgurore, po investojmë për ujësjellësin, po ndërtojmë shkollën trekatëshe me palestër dhe me të gjithë aksesorët e nevojshëm të saj”, u shpreh Berisha.
Në komunën e Poshjnes, në Cukalat, vijoi kryeministri, investojmë një rrugë prej 80 milionë lekësh, në Urën Vajgurore shkollën me vlerë 50 milionë lekë, investojmë rrugën e Pashallisë 33 milionë lekë.
“Pra është një zinxhir i gjatë investimesh, të cilat ju i meritoni plotësisht”, u tha kryeministri banorëve të Poshnjes.
Kryeministri garantoi fermerët e Poshnjes dhe të të gjithë Shqipërisë se qeveria do të investojë në mënyrë të pandërprerë derisa ata të kenë infrastrukturë të njëjtë me atë të lagjeve të qytetit. 

Berati nga dje edhe me një rrugë të re hyrëse
Në vijim të vizitës në rrethin e Beratit kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës hyrëse të këtij qyteti, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 600 milionë lekë.
Kryeministri Berisha tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë për qytetin e Beratit.
“Më parë ne i premtuam një hyrje moderne këtij qyteti që u bë një pasuri botërore për vlerat e mëdha që mbart. Unë do të quaja këtë një premtim të përmbushur të qeverisë time për këtë qytet të mrekullueshëm. Berati tani do të ketë një hyrje evropiane dhe do të presë vizitorë e turistë dhe këdo që vjen në këtë qytet do të hyjë në të nëpërmjet një hyrje të re të gjerë të mirë-sistemuar të cilën Berati e meriton plotësisht”, u shpreh kryeministri Berisha.
Më tej kryeministri theksoi se ky investim i qeverisë me vlerë 600 milionë lekë, po ndërtohet nga një kompani, e cila është shumë e lidhur me këtë qytet. Ajo, tha Kryeministri, po punon me cilësi dhe do të inaugurojmë edhe urën e Gorricës, të cilën e ka përfunduar para afatit.
“Me këtë i ka bërë një dhuratë të mrekullueshme qytetit të Beratit, por edhe një urë që ka një simbol të madh si vepra e parë e korridorit të Jugut”, nënvizoi Kryeministri.
L.Q

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›