E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsi nga burgu

Ky, përkatësisht ‘Çështjet e identifikimit, të përkufizimit dhe të trajtimit të saj” ishin temë e ligjëratës së dr. Bajram Kosumit, e cila ishte pjesë e ditës së tretë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Nga Albana S. Muja më 18 gusht 2011 në ora 14:37

Kosumi u ndal tek çështjet të identifikimit, të përkufizimit dhe të trajtimit të këtij zhanri të letërsisë. Ai pohoi se “Libri i Lirisë”, i pesë poetëve: Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Hydajet Hyseni, Jonuz Jonuzaj dhe Bajram Kosumi, paralajmëronte një fakt të ri letrar, që ishte një letërsi e krijuar në burg.

“Ajo ishte, pra, një shfaqje letrare, një shkrim dhe deri diku edhe një lexim intern, i zhvilluar nëpër burgjet jugosllave, e cila shfaqje nuk njihej në opinionin publik”, theksoi Kosumi.

Sipas tij, po në atë vit, më 1991, shtëpia botuese Buzuku botoi në Prishtinë librin e Kasëm Trebeshinës, “Stina e stinëve”, një libër ky që paralajmëronte një valë të re të letërsisë së krijuar nëpër burgjet shqiptare.

“Që nga rënia e komunizmit, këta dy libra janë të parët të botuar me letërsi nga burgu”, bëri të ditur Kosumi gjatë ligjëratës së tij.
Një vit më vonë, më 1992, në Shqipëri - për dallim nga Kosova - lulëzoi botimi i veprave të tilla të krijuara në burgje, ose menjëherë pas daljes prej tyre. Pjetër Arbnori, Zyhdi Morava, Visar Zhiti, e të tjerë, botuan nga dy e më shumë vepra të zhanreve të ndryshme të krijuara në burg.

“Përfundimisht, në vitet 1991 dhe 1992 u shpërfaq një fakt i ri letrar në kulturën shqiptare - letërsia nga burgu. Megjithëse edhe shumë më herët, në vitin 1959, pas daljes nga burgu, Arshi Pipa botoi në Romë përmbledhjen e poezive “Libri i Burgut”, por ajo vepër mbeti një dhe e vetme, kurse që nga viti 1991 filloi shfaqja e një letërsie të re”, u shpreh tutje Kosumi.

Ish-kryeministri i Kosovës u ndal edhe tek një temë tjetër, e cila ndante letërsinë dhe rrugëtimin e saj nëpër periudha të caktuara. Tek vepra “Periodizim dhe autorë”, Kosumi paraqiti proceset politike që ndikuan në lindjen e kësaj letërsie.

“Vendosja e komunizmit në Shqipëri, më 1945, dhe revolucioni i vitit 1981 në Kosovë, ishin të dy këto procese politike që krijuan një situatë të pazakonshme jetësore dhe rezultuan me burgosje të mëdha, e shumë herë edhe me vrasje të intelektualëve”, pohoi ai.

Periudha krijuese për të cilën Kosumi ligjëroi sigurisht që është mjaft e gjatë, por edhe jo fort proporcionale në prodhimtari. Sipas Kosumit, mbi bazën e kësaj prodhimtarie mund të përkufizohen dy periudha kohore të letërsisë nga burgu: Periudha e parë, që nisë nga viti 1945 e deri në vitin 1981, dhe periudha e dytë, nga viti 1981 e deri në vitin 2000.

Vepra e parë e periudhës së parë është vepra “Libri i burgut” (Romë, 1959) e Arshi Pipës, ndërkaq vepra e parë e periudhës së dytë është vepra “Libri i Lirisë” (Prishtinë, 1991), një antologji kjo e poezisë të pesë autorëve. Në periudhën e parë ka pasur një prodhim më të madh në Shqipëri, e në të dytë prodhim më të madh në Kosovë.

Ndryshe, çështjet me të cilat u morr Kosumi në ligjëratën e tij paraqesin një pasqyrim të plotë të letërsisë së këtyre viteve, ngase, veç tjerash, duke u ndalur tek kategorizimet si “Poetika e letërsisë nga burgu”, “Tematika e letërsisë nga burgu”, “Ligjërimi në letërsinë nga burgu”, “Figura në letërsinë nga burgu”, “Format letrare”, “Mendimi kritik dhe historik për letërsinë nga burgu”, “Kah një teori sistematike për letërsinë nga burgu”, “Faktorët paraletrarë”, “Letërsia nga burgu dhe autorë të dënuar”, “Çështja e emërtimit”, “Letërsia nga burgu dhe letërsia disidente”, “Letërsia nga burgu dhe burgu si tematikë letrare” “Letërsia nga burgu-kapitull më vete në historinë e letërsisë shqipe”, Kosumi bëri një retrospektivë të plotë të zhanrit pjesë e të cilit është edhe vetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›