Yjet e deshën Malagën

Pronari i Malagës, Abdullah Al-Thani ka shpenzuar mbi 50 milionë euro në angazhimin e përforcimeve gjatë kësaj vere, ndërsa ka theksuar se yjet si Raul, Samuel Eto’o dhe Wesley Sneijder ishin të interesuar t’i bashkohen klubit ambicioz nga La Liga.
Deri më tani, futbollistë si Ruud van Nistelrooy, Jeremy Toulalan, Diego Buonanotte, Santi Cazorla dhe Joris Mathijsen kanë ardhur në Malaga me shpresë të luftojnë për kreun e tabelës në sezonin e ri.
Dhe, Al-Thani insiston se futbollistë të tjerë me emër ishin të gatshëm t’i bashkohen revolucionit në jug të Spanjës.
“Ne tashmë kemi arritur që disa prej futbollistëve më të mirë të botës janë të interesuar të na bashkohen. Sneijder, Eto’o dhe Raul ishin të hapur për kalim në Malaga”, tha Al Thani për Al Sharq.
“Ne kemi një plan të detajuar për të ardhmen. Synimi ynë është të bëjmë Malagën njërin prej klubeve më të mëdha në Spanjë. Ne duam të luajmë në Ligën e Kampionëve ose së paku në Europa League. Nuk ka kufi në ambiciet tona. Nuk na intereson nëse duhet të shpenzojmë 60 milionë euro në 10 futbollistë, sepse ne kemi burime për të transferuar një të vetëm për 60 milionë më tepër”, përfundoi ai.