E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsia e Evropës zyrtare: një kontinent bashkëtingëlloresh

Elsa Demo

 Ka dy lloj letërsish të ndaluara sipas shkrimtarit Ardian Kyçyku: njëra e shenjuar nga vuajtja dhe menjëherë lidhja bëhet me sistemet autoritare ku censura është normë dhe funksionon edhe ajo si një sistem më vete; tjetra e dalluar për brishtësinë në komunikim brenda një sistemi zyrtarie represiv edhe ky për nga natyra, paçka se funksion në botë të lira dhe demokratike. E para, për shkak të moskomunikimit, përbën ato pak zanoret në historinë e letërsisë të Evropës zyrtare prej 1945-ës e këtej, e cila, sipas gjuhës së metaforës që përdor Kyçyku, është një kontinent bashkëtingëlloresh.

Në sprovën Një kontinent bashkëtingëlloresh, ose copëza nga fati i letërsisë së ndaluar në Ballkan (1945-1990) shkrimtari shqiptar i vendosur në Rumani prej 1990-ës, merr në konsideratë një panoramë ballanike, dhe konkretisht letërsitë e dy vendeve që ai njeh më mirë, rumune dhe shqiptare prej të cilave ka përkthyer rregullisht letërsi që nuk ka komunikuar me lexuesin në kohën kur u shkrua, në Rumaninë e Çausheskut dhe në Shqipërinë e Hoxhës.

 

Çfarë u bë shkas në krye të herës që ju të studioni letërsinë e ndaluar?

Shkasi kryesor janë librat e mi në shqip e rumanisht. Besoj se, lidhur me këtë bisedë, ju keni parasysh Një kontinent bashkëtingëlloresh, ose copëza nga fati i letërsisë së ndaluar në Ballkan (1945-1990). E përgatita për një takim ndërkombëtar, ku duhej të flitej për disa nga të vërtetat themeltare të letërsisë dhe të vendit që ajo zë, ose meriton të zërë në jetën e sotme. Kontinent bashkëtingëlloresh më duket Evropa zyrtare e këtyre tridhjetë vjetëve, për shkak të qëndrimit që mban ndaj letërsisë në përgjithësi dhe ndaj asaj që është shlyer me vuajtje, në veçanti. Më duket se kemi mbetur peng në një hapësirë ku janë rralluar shumë zanoret Prandaj mendoj se është koha kur për letërsinë e ndaluar në sa më shumë trajta të saj, të shprehen, shkencërisht e bindshëm, jo vetëm autorët e ndaluar dhe kundërshtarët e tyre, si deri më tash, por edhe ata që nuk mund të përfshihen krejt në asnjërin prej dy grupimeve. Si autor, – një dëshmi ishte botimi edhe në aq të vlefshmen antologji Shqipëria kujton, – unë bëj pjesë në një letërsi që mund të shihet si disafish e ndaluar: për shkak të temave, stilit, kumteve, mënyrës si qarkullon, si e zgjedh lexuesin, si trajtohet nga zyrtaría etj.. Me gjithë hidhërimin që mund të zgjojë, e vërteta duhet thënë: nuk mjafton vetëm të jesh i ndaluar, duhet të bësh art të epërm. Të mbijetosh përmes artit, por edhe ai të mbetet pas teje, ta kapërcejë lirshëm, pa paterica biografiko-politike, mbijetesën e autorit. Sepse shpesh shkatërrimi i një autori nuk është bërë për shkak të letërsisë së tij (veçmas ndaj autorëve me vepra të pabotuara, por të njohur si shkrimtarë), por letërsia e tyre është përdorur si mbulesë për arsye të rëndomta smire Mirëpo në mendësinë e tanishme vuajtja e një njeriu ngatërrohet me nivelin e të shkruarës së tij dhe lexuesi, në vend që të nderojë vuajtjen e të mos e cenojë gjykimin ndaj letërsisë, pavarësisht kushteve në të cilat ajo është shkruar, bën të kundërtën. E njëjta gjë ndodh edhe kur vlera artistike përdoret si mjet për të ndrequr biografitë e autorëve. Nevojitet zemër e ngrohtë, mendje e ftohtë dhe pavarësi shpirtërore për të ruajtur barazpeshën, sepse me të dyja të vërtetat abuzohet shumë.

Përse e lidhni me fatin historinë e kësaj letërsie?

Sepse letërsia, e ndaluar, ose jo, pasqyron fatin e autorëve dhe të vetvetes. Historia shndërrohet në fat dhe anasjelltas, ngaqë kjo letërsi, në kuptimin e parmë të fjalës, është më fort e lidhur me historinë, se sa me artin. Mbase nuk mund të ndodhë ndryshe kur historia i nënshtrohet krejt ideologjisë, pa lënë vend të dukshëm për shpirtin, dhe sprovon me shumë dhembje artistin. Në studim e kam përdorur fjalën fat ngaqë çmoj kohën e lexuesve, jo si pamundësi për tu shkuar ca gjërave deri në fund. E ndonëse vlera e mirëfilltë letrare nuk varet nga sasia, por nga kahu dhe cilësia e vuajtjes së autorëve, në shumicën e rasteve ecuria e saj caktoi dhunshëm fatin jetik të mjaft prej tyre dhe të disa prej veprave që shkruan. Heminguej thotë diku se Dostojevskin nuk e bëri shkrimtar të madh burgu në Siberi. As Ovidin nuk e bëri poet botëror, – madje në një gjuhë që vdiq (latinishtja), – syrgjynosja në Tomis (Konstanca e sotme, në Rumani). Po ashtu, mungesa, ose përqendrimi i vuajtjes atje ku nuk arrin të shohë kushdo, nuk ua kanë shkurtuar jetën e librave disa autorëve që nuk kanë vuajtur në mënyrë klasike. Dhuntia e bën shkrimtarin, jo vetëm vuajtja e njeriut brenda tij. Në thelb, kjo e shquan një autor prej të tjerëve: mënyra si dhe pse e shndërron vuajtjen, cilado qoftë ajo, por edhe gëzimin, cilido qoftë ai, në vepër letrare.

Keni disa saktësime për krijimin letrar që konsiderohet i ndaluar?

Në letërsi të ndaluar mendoj se mund të përfshihet një grup idesh, shprehish stilistike e kumte që kërcënojnë me zgjim, ose me çmitizim, një gjendje të caktuar politiko-ekonomike të shoqërisë. Mund të jenë të gjitha në një libër të vetëm, të shpërndara në disa libra që përfaqësojnë një vepër, në disa libra autorësh të ndryshëm, bashkëkohës me njëri-tjetrin, ose jo, por mund të gjenden edhe në disa vepra të plota njëherësh. Në varësi të shoqërisë, ka raste kur më fort kërcënojnë idetë, se sa stili; ka raste kur stili është aq përsosmërisht i gërshetuar me idetë, del prej tyre dhe i ngjiz ato, sa nuk mund të lejohet Në veçanti, flasim për një epokë kur, siç shprehej mendimtari i ndaluar rumun I. D. Sarbu, (të cilin e kam cituar disa herë në ese): Shoqëria e re gëlltiti njeriun dhe krejt institucionet e hershme; shteti gëlltiti më pas shoqërinë civile; partia gëlltiti shtetin; udhëheqja gëlltiti partinë, kurse Prijësi rrasi në xhepin e pasëm të pantallonave krejt udhëheqjen (Komitetin Qendror, Komitetin e përhershëm, Kuvendin Popullor etj). Tani ka nisur lufta kundër një të vetmi. Fryma e Stalinit vigjëlon anembanë. E ai ka thënë: nëse partia hyn në konflikt me popullin, duhet flijuar populli. Në epoka të tilla, të paktën siç del nga të dhënat e historisë së letërsisë, por edhe nga të dhënat e letërsisë së historisë, pushteti përdor për të nënshtruar artin e të shkruarit një grup shkrimtarësh të rëndomtë, ose krejt mediokër. Sa më pragmatike dhe e politizuar të jetë një shoqëri, aq më vështirë qarkullon letërsia e mirëfilltë. Shkaqet e ndalimit duken të pafundëm, por në thelb janë një: o nën zgjedhën time, o mes të vdekurve. Po nuk ishe politically (ose: economically) correct, rrezikon të mos jesh fare. Qarqe të caktuara pushteti veprojnë nga brenda, duke zgjuar e acaruar një smirë rrënjore, gati të lindur njëherësh me njeriun. Ndonëse në fshehtësi të madhe, çdo autor di se çfarë ka shkruar e shkruan pa dhunti, pra për emër, bujë, fitime të çdo lloji etj. Sado i dobët të jetë një shkrimtar, ai e nuhat se ku nuk e ka vendin dhe, i joshur nga pushteti, rropatet të mbytë vetëdijen e të bëhet ai që nuk është, sipas parimit luaj sa më shpesh gjeniun, se një ditë mund të gdhihesh gjení. Që këtu vërshojnë pastaj shumë nga gjërat e rreme të letrave, duke nisur me plagjiaturat e stërholluara, vjedhjet e paturpshme, shkërbimet, idhujtaritë, egërsia ndaj shoshoqit, a thua se njeriu rron më gjatë se librat e vet. Kështu soset në gjendjen kur mjaft autorë vërtet jetojnë më gjatë se librat e tyre. Se asnjëherë pushteti nuk e ka nd

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›