E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia, përfundojnë së hartuari testet

01/06/2009  Provimi i parë i maturës, skema e përgjigjeve publikohet në shkollë një ditë pas testimit

Shpërndarja nis gjatë orëve të vona me rrethet e largëta, në Tiranën mbyllet në orën 6:00 të mëngjesit

Ndonëse duhen edhe pak orë nga çelja zyrtare e provimeve të Maturës Shtetërore me lëndën e letërsisë, ekspertët e ngujuar në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve tashmë i kanë hartuar testet përfundimtare për secilin profil të shkollës së mesme. Gjatë orëve të para të ditës së sotme ka nisur nën masa të rrepta sigurie procedura e shumëfishimit të testeve dhe më pas paketimi i tyre në kuti të vulosura, për të filluar mbrëmjen e sotme shpërndarja e tyre. Ekspertët e maturës kanë pohuar se shpërndarja e testeve do të nisë në orët e vona të mbrëmjes së sotme, duke filluar me rrethet e largëta. Procesi do të mbyllet rreth orës 6:00 të mëngjesit, ku do të përfundojë dhe shpërndarja e testeve në shkollat e mesmet të kryeqytetit. Aktualisht janë përzgjedhur dhe administruesit e provimeve, të cilët tri orë para fillimit të provimit do të shpërndahen sipas shortit nëpër ambientet që do t’u caktohen.

Paraqitja

Më poshtë po listojmë rregullat që duhen plotësuar për hyrjen e nxënësve në ambientet e provimit. Sipas rregullores, kandidati paraqitet në shkollë 1 (një) orë përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë bëhet identifikimi i nxënësit/kandidatit, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për nxënësit. Procesi i identifikimit të çdo pjesëmarrësi gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit bëhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës, administratorët e provimit dhe administratori i sekretimit.

Ndarja

Pas fillimit të zhvillimit të provimit drejtori i shkollës qëndron në shkollë, por nuk lejohet të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi. Hyrja dhe ndarja e nxënësve nëpër klasa bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Ditën e provimit çdo kandidat duhet të ketë me vete për identifikim pasaportën (certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftimin). Lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësve që janë shpallur në listë. Sistemimi i çdo nxënësi/kandidati në mjediset/sallat e provimit bëhet një nga një sipas rendit të hyrjes se tyre, teksa është e ndaluar kategorikisht ndërrimi i vendeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës/kandidat. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga maturanti për çdo kërkesë vlerësohet me pikë sipas skemës së vlerësimit. Vlerësohet me 0 (zero) pikë kur jep përgjigje të gabuar, kur nuk jep asnjë përgjigje ose kur në pyetjet me alternativa shënon më tepër se një alternativë. Pas përfundimit të çdo provimi të Maturës Shtetërore AVA-ja shpall skemën e vlerësimit të testit. Ndërkohë është përcaktuar se korrigjimi i provimeve do të bëhet në disa qendra, të cilat do të jenë të shpërndara në rrethe dhe çdo test do të kalojë në duart e dy korrigjuesve.

Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi.

Përjashtimi i nxënësve nga provimi

Ditën e provimit nxënësi përjashtohet dhe nuk i njihet rezultati i provimit në qoftë se:

- Nuk është i pajisur me dokument identifikimi.

- Nuk qëndron në vendin që i caktohet.

- Përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër.

- Bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit.

- Merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës /kandidatë të tjerë.

- Bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit.

- Përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe për provimin e matematikës edhe vizore e kompas).

- Merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.

- Largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit.

- Heq, shkruan ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test.

Dëmton testin (palos, zhubros, gris) ose nuk e dorëzon atë.

Neni 55

Penalizimet e kandidatëve

Në qoftë se një nxënës/kandidat thyen rregullat e provimit, administratori i provimit njofton përgjegjësin e administrimit të provimit dhe merr këto masa disiplinore:

- Kandidati përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit.

- Kandidati përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim, në qoftë se nuk zbaton rregullat e zhvillimit të provimeve.

- Në raste të caktuara përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e parashtruara, ai urdhëron nxënësin/kandidatin të largohet nga salla e provimit pa shqetësuar të tjerët.

- Në rast se nxënësi/kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit, evidenton rastin me procesverbal dhe lejon vazhdimin e provimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›