E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër, provimi i parë i Maturës, si do të kryhet provimi



Ditën e nesërme të gjithë maturantët e vendit do të thirren për të dhënë provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të letërsisë. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve bënë të ditur për “standard” se testi tashmë është hartuar, por do të pritet paraditja e nesërme që t`u jepet përfaqësuesve të drejtorive dhe zyrave arsimore rajonale, të cilat më vonë do ta shpërndajnë në të gjitha shkollat e vendit. Por, përpara provimit maturantët duhet të kenë kujdes të mos harrojnë dokumentin e identifikimit, pasi pa të, nuk do të mund të marrin pjesë në provim. Ndërkaq, ata duhet të paraqiten të paktën një orë përpara se të fillojë provimi për t`u pranuar nga administratorët e testeve.

Hyrja në provim

Një orë përpara fillimit të provimeve duhet të paraqiteni në shkollë, në mënyrë që të keni mundësi të hyni në sallë, sipas rregullores së provimit të maturës. Gjatë kësaj një ore do të kontrollohen dokumentet që keni dhe pasi të kryhet identifikimi, do të kryhet hyrja në klasa.

“Procesi i identifikimit të çdo nxënësi/kandidati gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës, administratorët e provimit dhe administratori i sekretimit”, – bën të ditur rregullorja e Maturës. “Pas fillimit të zhvillimit të provimit, drejtori i shkollës qëndron në shkollë, por NUK lejohet të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi”.

Ndërkohë që hyrja në klasë dhe ulja në karrige nuk kryhet në mënyrë rastësore. Administratorët do të ulin të gjithë maturantët një nga një në bazë të listës emërore që ka përpiluar Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Duhet pasur kujdes për mjetin e identifikimit, pasi mospasja e tij ju skualifikon automatikisht. Maturantët duhet të kenë një pasaportë ose një certifikatë personale me fotografi ose letërnjoftimin elektronik.

“Lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit/kandidatit të shpallur në listë, – përcakton rregullorja e maturës. – Sistemimi i çdo nxënësi/kandidati në mjediset/sallat e provimit bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes së tyre. Ndalohet ndërrimi i vendeve. Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik”.

Të drejtat

Por, përveç pjesës procedurale, Rregullorja e Maturës Shtetërore ka përcaktuar edhe disa të drejta për maturantët. Kështu, nëse dikush vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit ose përfaqësuesi i drejtorisë apo zyrës arsimore rajonale.

“Nxënësit maturantë të verbër, pasi u jepet broshura e testit, të veçohen në një mjedis të përshtatshëm. PAP cakton një person për leximin e pyetjeve të testit dhe për plotësimin e përgjigjeve, që jep me gojë nxënësi, në fletën e testit. Në këto raste të mundësohet regjistrimi i përgjigjeve”, – përcakton rregullorja.

Ndërkohë, të gjithë ata maturantë që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë, të përcaktuar që më parë. Nëse testi që i jepet nxënësit, është i dëmtuar ose me faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e testit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›