Studimi: 39 për qind e shqiptarëve janë duhanpirës
Më shumë se 4 mijë persona humbasin jetën çdo vit për shkak të duhanpirjes pasive apo aktive, ndërkohë që 2 në çdo 10 raste kanceri janë pasojë e drejtpërdrejtë e duhanit. Këto janë rezultatet e studimit të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Shoqata Amerikane e Kancerit në Shqipëri, të cilat arrijnë në përfundimin se 39 për qind e shqiptarëve janë duhanpirës të rregullt, një shifër që e rendit vendin tonë ndër vendet me më shumë duhanpirës.
"Me këto shifra vendi ynë renditet ndër vendet me përqindje të lartë të duhanpirjes, e ngjashme me vendet e Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik", - tha dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë një konference për shtyp, në Ditën Botërore pa Duhan, të mbajtur në mjediset e hotel “Tiranës”. Ajo shtoi: "Nga analizat llogarisim se nëse në Shqipëri 40% e kancereve janë të parandalueshme, gjysma e këtyre të fundit kanë si shkak kryesor duhanin".
"Kemi llogaritur gjithashtu se duhanpirja është përgjegjëse për rreth 20% të barrës së sëmundjeve në vendin tonë", - tha znj. Godo. Një studim i dy viteve më parë nga Shoqata Amerikane e Kancerit në Shqipëri dëshmon se duhanpirjes mund t’i atribuohen rreth 3800 vdekje të parakohshme në vit. Është vlerësuar gjithashtu se rreth 230 vdekje të parakohshme çdo vit mund të parandaloheshin nga rritja e çmimit të paketave, eliminimi i ekspozimit pasiv në mjedise publike dhe eliminimi i reklamave të duhanit.
Duke u ndalur në politikat shëndetësore në luftën kundër duhanit, ministrja e Shëndetësisë përmendi politikat e ndërhyrjes së planit global të duhanpirjes nga OBSH-ja, ku theksohet rëndësia e monitorimit të përdorimit të duhanit, mbrojtja e personave nga duhanpirja pasive, ofrimi i ndihmës për lënien e duhanit, lajmërimet për dëmet e duhanit, ndalimi i publicitetit apo promocionit të duhanit, si dhe, ndër më të rëndësishmet, rritja e taksave.
"Edhe politikat tona ndërsektoriale janë duke u fokusuar në këto drejtime", - theksoi ajo, duke përmendur ndërmarrjen e disa studimeve nga ISHP-ja në grupe të ndryshme të popullatës për të monitoruar duhanpirjen. Për herë të parë, sipas saj, MSH-ja në paketën bazë të shërbimeve që duhet të japë mjeku i familjes, ka përfshirë dhe këshillimin e informimin që duhet të ofrojë mjeku për popullsinë që ai mbulon.
"Çdo ditë, rreth 700 mijë shqiptarë marrin nëpërmjet paketave të duhanit që konsumojnë dhe paralajmërimet përkatëse shëndetësore, në linjë me direktivat e Parlamentit Evropian, lidhur me dëmet që mund t'i shkaktojnë vetes dhe të tjerëve me sjelljet e tyre të rrezikshme", - tha ministrja e Shëndetësisë. Sipas saj, në vendin tonë janë plotësisht të ndaluara reklamat, promocioni apo sponsorizimet e çfarëdo natyre, lidhur me prodhimet e duhanit.
Lidhur me parandalimin e ekspozimit pasiv, ligji shqiptar për duhanin nxit parandalimin në mjediset e mbyllura publike. "Megjithëse në shumicën e rasteve lokalet vetë, formalisht, janë përpjekur të respektojnë ligjin, duke vënë paralajmërimet e ndalimit të duhanit apo duke hequr tavllat nga tavolinat (dy elementë për të cilat ligji parashikon sanksione), mbetet shumë përgjegjësi tek individi duhanpirës, për të cilët ligji nuk parashikon sanksione", - theksoi më tej ministrja Godo.
Në tetor të vitit të vitit të kaluar, MSH-ja ndërmori një fushatë me nxitjen e johanpirësve, për të ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të tyre, në mënyrë që të krijohej një masë kritike qytetarësh për të ndihmuar autoritetet shëndetësore në punën e tyre dhe sensibilizuar pronarët apo organet e qeverisjes vendore për më shumë kujdes në këtë drejtim. "Gjithsesi, jemi duke përdorur të gjithë pushtetin për të ndëshkuar ata që sfidojnë hapur ligjin", - garantoi ministrja e Shëndetësisë.
Gjithashtu, punë e madhe është bërë nga Departamenti i Edukimit dhe Promocionit Shëndetësor në ISHP me një program kombëtar të shkollave të shëndetshme, ndërsa vitet e fundit, Ministria e Financave ka rritur në mënyrë substanciale taksat për duhanin. Kjo tendencë rritjeje do të vazhdojë dhe në të ardhmen, në koordinim me tendencat në vendet fqinje.
Dita botërore antiduhan
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik prezantuan të dielën, në 31 maj, Ditën Botërore pa Duhan, fushatën mediatike për luftën ndaj duhanit.
Kjo fushatë synon rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve që pijnë duhan lidhur me dëmet që ata u sjellin të tjerëve dhe sidomos fëmijëve. Gjatë një konference për shtyp në hotel “Tirana International”, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha: "Fëmijët janë të pafajshëm, ndaj ne kemi zgjedhur pikërisht këta si protagonistë kundër duhanpirjes, për ta bërë publikun tonë më të përgjegjshëm për sjelljet e tyre të jetës”.
Mbi 3250 fëmijë vdesin çdo vit nga duhanpirja pasive, 2000 të tjerë nga sindroma e vdekjes së papritur infantile dhe 1000 nga infeksionet respiratore që shkaktohen nga ekspozimi ndaj duhanpirjes pasive. Ndërsa, gjysma e fëmijëve në botë thithin ajër të ndotur nga tymi i duhanit.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, prezantoi për të pranishmit spotet televizive, transmetimi i të cilave do të nisë së shpejti në televizionet kombëtare. Sipas tij, mjaft postera të tjerë me të njëjtën linjë, por dhe burime të tjera informuese, do të shpërndahen për informimin e popullatës lidhur me dëmet në shëndet nga duhanpirja. "Në shumë vende të botës kanë nisur të vendosin në paketa imazhe të frikshme të duhanpirjes", - theksoi Ylli, sipas të cilit, tema e zgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Ditën Botërore pa Duhan është pikërisht "Paralajmërimet shëndetësore të produkteve të duhanit".
Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për rrezikun e duhanpirjes pasive, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të komunitetit, është ndër synimet e fushatës së ndërmarrë nga ISHP-ja. Qëllimi i kësaj fushate është dobësimi i pushtetit të duhanit dhe sigurimi i mbështetjes 100% të opinionit publik, në lidhje me promovimin e mjediseve pa duhan, në bashkërendim të plotë me ligjin në fuqi. Objektiva të tjerë janë sigurimi i mbështetjes së opinionit publik për politikat e ndërmarra nga shteti, duke bërë kështu duhanpirjen më pak të pranueshme në shoqëri.
Rezultatet e mira varen dhe nga sigurimi 100% i zbatimit të ligjit, në lidhje me mjediset pa duhan, i hyrë në fuqi në maj të vitit 2007. Fushata synon sensibilizimin e opinionit publik në lidhje me impaktin shëndetësor të pirjes së duhanit mbi joduhanpirësit dhe me fokus të veçantë fëmijët.
Mjetet e nevojshme për realizimin e fushatës janë spotet televizive dhe mesazhet në radio (për tre muaj), postera me mesazhe të Ditës Botërore pa Duhan, si dhe në mbështetje të fushatës mediatike, botime të ndryshme antiduhan etj.
Me këtë rast, drejtuesit e shëndetësisë përshëndetën mediat për mbështetjen, lidhur me informimin e publikut në këtë fushë, duke vlerësuar rolin e madh në informimin dhe sensibilizimin e qytetarëve për dëmet nga duhani.
Duhani është përgjegjës për 25 lloje sëmundjesh. Tymi i duhanit përmban 4.000 llojë kimikatesh të njohura si shkaktarë të sëmundjeve të zëmrës, të sëmundjeve respiratore dhe disa lloje tumoresh. Duhani në shtatzëni dëmton zhvillimin e fëmijës. Në botë, çdo 6 sekonda duhanpirja shkakton një vdekje.
Çdo vit në botë vdesin rreth 5.4 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Këto përbëjnë më shumë vdekje se HIV/AIDS, malaria dhe tuberkulozi (TBC) të marra së bashku. Gjatë shekullit të kaluar, epidemia e duhanit ka vrarë rreth 100 milionë persona në të gjithë botën dhe nëse vazhdon tendenca e rritjes së përdorimit të duhanpirjes, gjatë shekullit XXI shifra mund të arrijë në një miliard persona.
Duhani është ndër shkaktarët madhorë të sëmundshmërisë dhe ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve të evitueshme. Duhani mbetet një prej sfidave të mëdha të shëndetit publik, me të cilin vazhdon të përballet bota.