E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsia, pragu minimal i pikëve për notat kaluese

08/06/2011  Mbetësit në këtë provim humbasin universitetit, shpallja e notave në mesin e javës së ardhshme

Përcaktimi i pragut minimal të pikëve që do t’u nevojiten maturantëve për të marrë notë kaluese në provimet e maturës do të bëhet në mbyllje të procesit të vlerësimit të çdo testi. Ekspertët e maturës theksojnë se pas mbylljes së korrigjimit nga grupet e vlerësimit të 41 mijë testeve të plotësuara për provimin e letërsisë do të përcaktohet edhe pragu minimal i pikëve që do të ndajë kufirin ndërmjet nxënësve kalues dhe atyre mbetës. Niveli i nxjerrë nga këto provime do të kushtëzojë edhe vendosjen e pikëve që do të heqin edhe vizën ndarëse ndërmjet nxënësve kalues dhe atyre jokalues, të cilët do të humbasin të drejtën për ndjekjen e studimeve të larta në fakultetet publike të vendit gjatë këtij viti.

Sipas ekspertëve, bëhet e ditur se do të jetë niveli i pikëve të marra në këto teste, që do të përcaktoj edhe kufirin kalues. Kështu, nëse niveli i testimeve do të jetë më i lartë se ai i vitit të shkuar, edhe pikët që do të ndajnë pragun kalues nga jokalues po ashtu do të pësojnë rritje me atë të vitit të shkuar. Tashmë është përcaktuar edhe skema e pikëve me të cilat mësuesit do të korrigjojnë çdo pyetje të testit. Pikët totale të vendosura për testin e çdo maturanti do të ekuivalentohen më pas në notë të përshkallëzuar. Aktualisht bëhet me dije se janë korrigjuar 25-30 për qind e testeve të letërsisë. Deri në mbyllje të javës pritet që të përfundojë procesi i korrigjimit të gjitha testeve të letërsisë. Pas vendosjes së pikëve të marra nga çdo maturant, do të bëhet më pas edhe procesi i matching, nëpërmjet të cilit do të identifikohen pikët e marra dhe barkodet përkatëse, me emrin e maturantit. Ky proces pritet të përfundojë në nisje të javës së ardhshme, çka do të thotë se shpallja e rezultateve për letërsinë do të bëhet në datën 16 ose 17 qershor, kohë në të cilën do të jetë zhvilluar edhe provimi i dytë i detyruar për matematikën. Sipas afateve të përcaktuara në rregullore, nxjerrja e rezultateve mund të ndodhte edhe para këtij afati, por është vendosur që publikimi i notave të bëhet pas dhënies së provimit të matematikës, në mënyrë që të mos shpërqendrohen maturantët ndaj përgatitjes për provimin e matematikës. Ndryshe nga vitet e shkuara, maturantët këtë vit do të përballen me kritere më të forta për marrjen e diplomës së shkollës së mesme. Mosmarrja e provimit të parë heq të drejtën për marrjen e diplomës, duke qenë se këtë vit nuk do të ketë sezon vjeshte. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për tri provimet e tjera të mbetura. Kështu maturantëve u duhet detyrimisht të marrin notë kalues në të katër provimet e maturës, për t’u pajisur me diplomën e shkollës së mesme, duke mos rrezikuar kështu ndjekjen e studimeve të larta gjatë këtij viti akademik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›