E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor të hënën mblidhet për padinë e PS

08/06/2011  Pas shortit, përcaktohet trupa gjyqësore që më 13 qershor do gjykojë padinë

Kërkesa: Kolegji të rivendosë në vend të drejtën e cenuar nga vendimet e KQZ

Mesditën e djeshme u hodh shorti për përcaktimin e trupës gjykatëse të Kolegjit Zgjedhor, që do të marrë në shqyrtim kërkesën e fundit ankimore të Partisë Socialiste në lidhje me rezultatin e Tiranës. Nën drejtimin e Dhurata Haverit, Kolegji Zgjedhor do të zhvillojë të hënën e ardhshme, më 13 qershor, ora 10:00, seancën gjyqësore në lidhje me padinë e depozituar dy ditë më parë pranë këtij institucioni nga PS-ja. Në njoftimin e Kolegjit theksohet se “Partia Socialiste ka paraqitur padinë e saj kundrejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe si palë e interesuar në këtë çështje është Partia Demokratike.” Gjithashtu, zyra e informacionit në Kolegjin Zgjedhor theksoi se në objektpadinë e saj, PS-ja i kërkon Kolegjit të rivendosë në vend të drejtën, që sipas opozitës është cenuar nga vendimmarrjet e KQZ-së gjatë procesit të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara. Më konkretisht, Partia Socialiste thekson në objektin e padisë së saj, duke i kërkuar Kolegjit Zgjedhor “Kundërshtim si të paligjshëm të pikave 2 dhe 3 të vendimit numër 827, datë 2.06.2011 të KQZ-së, që ka vendosur rrëzimin e kërkesave ankimore numër 161 dhe numër 162, lidhur me vendimet numër 710 dhe 711 të datës 23.05.2011 të KQZ-së, si dhe të gjithë vendimeve të marra nga KQZ-ja për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për kryetarin e Bashkisë Tiranë, si vendime në kundërshtim flagrant me ligjin, duke rivendosur në vend të drejtën e cenuar”, thuhet në njoftimin e zyrës së informacionit në Kolegjin Zgjedhor. Trupa gjyqësore e përbërë nga gjykatësit Dhurata Haveri, Sashenka Jonuzaj, Marie Qiriazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja do kenë gjashtë ditë kohë për t’u njohur me pretendimet e radhës të Partisë Socialiste në dosjen e plotë të materialeve të padisë së tyre. Më 2 qershor, KQZ-ja rrëzoi dy kërkesat e PS-së në lidhje me shpalljen të pavlefshme të rezultatit të nxjerrë për Bashkinë e Tiranës. Rrëzimi i kërkesave ankimore të paraqitura nga PS ka ardhur si pasojë e mosmarrjes së kuorumit të nevojshëm të votave "pro" nga anëtarët e KQZ, rrethanë për të cilën këtë çështje PS-ja e ka bërë objekt shqyrtimi nga ana e Kolegjit Zgjedhor.

Zbardhet padia e plotë e Partisë Socialiste

PS: KQZ ka cenuar standardin kushtetues për një proces të rregullt zgjedhor

Opozita në aktpadinë e saj, i bën me dije Kolegjit Zgjedhor se pretendimi kryesor i tyre lidhet me cenimin e standardit kushtetues që i ka bërë KQZ-ja të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Sipas PS-së, “Nga mënyra e zhvillimit të procedurave administrative nga KQZ-ja janë evidentuar cenimi i të drejtave kushtetuese e ligjore që lidhen me parimin e sipërpërmendur, si dhe me parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë së votës, parimin e fshehtësisë së votës, lirinë e votuesve për të shprehur lirisht vullnetin e tyre etj.”, theksohet në padinë e PS-së. Nga kjo pikëpamje, opozita nënvizon se të gjitha pretendimet e saj janë orientuar në drejtim të shkeljeve të rënda, që sipas saj ka konsumuar KQZ-ja gjatë të gjithë procesit administrativ. “Shkelje të cilat konsistojnë kryesisht në drejtim të standardeve kushtetuese, dhe që e drejta për një proces të rregullt ligjor i lidh me parimet e sipërcituara dhe veçanërisht me kompetencën, juridiksionin dhe paanshmërinë e organit, marrjen e atributeve të organeve të tjera, procedurën ekstraligjore të ndjekur, mosarsyetimin e vendimeve nga organi kompetent, thelbin e së drejtës së ankimit etj.”, thekson PS në aktpadinë e saj të depozituar dy ditë më parë në Kolegjin Zgjedhor. Sipas opozitës, vendimet nr. 710 e nr. 711 janë në kundërshtim me ligjin, për faktin se në të dyja rastet KQZ-ja ka realizuar një procedurë ndryshimi të tabelave të rezultateve të QV-ve model 56 - 11 me një vendimmarrje krejtësisht në kundërshtim flagrant me ligjin. “Urdhërimet e bëra nga KQZ janë vendime të paligjshme e të pavlefshme. Janë të tilla për faktin se jo vetëm që janë realizuar në një proces e procedurë krejtësisht të ndryshme nga ajo e parashikuar nga neni 123 i Kodit Zgjedhor, por edhe sepse janë në kundërshtim me parashikimet e neneve 116, 117, 118 e 119 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në aktpadi. Dhe “mbi këtë arsyetim të KQZ, që përcakton veten si organ i administrimit të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe faktet e sipërcituara, rezulton se KQZ ka vepruar në kapërcim të kompetencave të saj dhe vendimet e marra për ndryshimin e tabelave të rezultateve për 117 QV janë të kundërligjshme”, nënvizohet nga PS në aktpadinë e saj. Vendimet nr. 710 e nr. 711 janë të paligjshme, gjithashtu po sipas PS-së, edhe për shkak se vlerësimet e bëra nga KQZ në procedurën hetimore të përmbyllur me vendimin nr. 709, lidhur me vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e atyre fletëve të votimit të kontestuara e në kutinë e gabuar (atë jorespektive) janë në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›