E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokainë, snajper dhe granathedhës në shtëpinë e Muze të Pezës

08/06/2011  Aksioni “Mini Bloë II” në Pezë të Madhe, sherri për pushtet e territore

TIRANË- Konflikti i momentit mes “të fortëve” të Pezës u solli prangat dy protagonistëve që as e kishin menduar se sherri për territore do shndrrohej në zbulimin e “xhevaireve” që mbanin fshehur në shtëpi. Kështu, mësymja e djeshme e bluve të kryeqytetit dhe RENEA-s solli rezultat të frutshëm, kur në shtëpinë e Armand Pezës, kushëririt të deputetit socialist Dashamir Peza, një e nga një dolën në dritë “thesare” si kokainë (droga e të pasurve dhe të gjithpushtetshmëve), pushkët me snajper, dylbitë, granatëhedhësit kundër tankeve, etj. Kështu, nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës mësohet se aksioni u krye nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit në bashkëpunim me Komisariatin Nr.6. Policia mori informacionin operativ se parmbrëmë në orët e vona të natës, në Pezën e Madhe të Tiranës, plasi një konflikt për motive të dobëta, një sherr momental, i mpleksur me instiktet e të fortëve, fitimin e territoreve dhe problematikën e pronës mes kundërshtarëve. Dy 34-vjeçarët Armand Peza dhe Xhimi Hasanbega kishin kanë kanosur me armë shtetasin Adi Pojana dhe më pas kanë dëmtuar me armë zjarri automjetin e tij, si dhe lokalin në pronësi të një tjetër shtetasi. Kësisoj nisi edhe operacioni policor i koduar “Mini Bloë II”. Policia gjeti dhe sekuestroi 200 gramë të dyshuar kokainë dhe 20 kg përziers të lëndëve narkotike. Më tej, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Pezës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 copë armë zjarri automatik model.56 dhe model 54, granatëhedhës, një pushkë snajper, dy dylbi snajperi, 20 copë krëhëra arme zjarri, 9 copë predha granatëhedhëse të lehta antitanke, si dhe 6100 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armë luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”parashikuara nga nenet 84, 274, 278/2/3/4 dhe 150 të Kodit Penal. Dy shtetasit janë marrë në pyetje nga ekspertët, teksa pritet që t’u caktohet edhe masa e sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›