Letonia jep votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në samitin e Bukureshtit
Ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë, Maris Riekstins, shprehu dje në Tiranë, mbështetjen e fuqishme të qeverisë letoneze për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Samitin e ardhshëm në Bukuresht. “Letonia është një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura për në NATO dhe kjo ndodh, se ne besojmë që kjo do t'i jepte një impuls më të madh bashkëpunimit edhe në fushën e sigurisë mes vendeve të rajonit tuaj. Në këtë drejtim, ne do të mbështesim dhënien e ftesës për anëtarësim nga ana e NATO-s, për të tre vendet e rajonit tuaj në Aleancë” - deklaroi ministri Riekstins, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me homologun e tij shqiptar, Lulzim Basha. Në këtë kuadër, kreu i diplomacisë letoneze vlerësoi përparimet e bëra nga qeveria shqiptare në fushën e reformave. “Ne besojmë se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në fushën e reformave politike e ekonomike, si dhe në reformimin e Forcave të Armatosura. Ne biseduam me ministrin Basha se ka ende fusha ku mund të punohet si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këto ne morëm sigurinë e duhur nga ministri, se ato do të jenë në axhendën e punës së qeverisë shqiptare për muajt që vijnë. Ne mendojmë se ky është një mesazh shumë i rëndësishëm, pasi NATO është një aleancë vlerash. Vlerësimet pozitive që të gjitha vendet anëtare të NATO-s kanë dhënë për pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në operacionet dhe misionet e Aleancës në rajone të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe ato në Afganistan, që është operacioni më i rëndësishëm në historinë e saj” - tha ai. Nga ana e tij ministri Basha falenderoi qeverinë e Letonisë për qëndrimin e qartë në perspektivën e rajonit tonë, për nënshkrimin e shpejtë të MSA-së dhe për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit. Zoti Riekstins është pritur dje në takim edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli Kjo e fundit e falënderoi ministrin e Jashtëm letonez, për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë, duke qëne i pari që ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE si dhe një falënderim të veçantë për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Letonisë. Duke u ndalur në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, kryeparlamentarja e njohu ministrin e Jashtëm të Letonisë me ecurinë e reformave të ndërmarra, duke u ndalur në reformën e sistemit të drejtësisë, e cila, sipas saj, po ecën me një frymë shumë të mirë bashkëpunimi. Kryetarja Topalli e njohu zotin Riekstins edhe me reformat fiskale, të cilat kanë sjellë një stabilitet ekonomik të vlerësueshëm dhe rritje të të ardhurave, duke krijuar një klimë shumë të favorshmë për investime të mëdha. Ajo theksoi se Shqipëria është shpresëplotë për marrjen e ftesës për anëtarësim
në NATO në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit.
Basha: Integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm/Integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm dhe qëndrimi i qeverisë kosovare është i rakorduar me aleatët, një qëndrim gjakftohtë dhe me vetëbesim. Kështu ka deklaruar dje ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pas një takimi me homologun e tij letonez, Maris Riekstins. Në përgjigjet e dhëna gazetarëve, gjatë një konference të përbashkët shtypi, ministri Basha u shpreh se nuk ka asnjë dyshim që Kosova e pavarur në kufijtë e saj ndërkombëtarë, siç është pranuar dhe do të vazhdojë të pranohet nga komuniteti ndërkombëtar, është realiteti i vetëm që do të mbizotërojë. Duke iu referuar trazirave të fundit në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës, kreu i diplomacisë shqiptare tha se “asnjë përpjekje për të vënë në diskutim integritetin territorial të Kosovës, nuk mund të ketë sukses, pasi kosto e përpjekjeve të tilla është shumë më e lartë se çdo përfitim i momentit”. “Besojmë se si komuniteti serb në Kosovë, ashtu edhe Beogradi, e kuptojnë rëndësinë e të vepruarit në kufijtë ekzistues, abstraktë dhe konkretë, dhe pavarësisht prej situatës së momentit, e cila ishte e parashikueshme, integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm. Djegia e pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është një akt i dënueshëm, por që në asnjë mënyrë nuk shënojnë një ndryshim të situatës. KFOR e ka situatën tërësisht nën kontroll, ekzekuton mandatin e tij në mënyrë të barabartë në çdo pjesë të territorit të Kosovës. Nga takimet tona kemi marrë garanci të plota se KFOR-i, si trupa e mandatuar për sigurinë në Kosovë, do të vazhdojë ta kryejë këtë mandat në mënyrë të plotë në gjithë territorin e Kosovës”- siguroi ministri Basha. Përsa i takon fillimit nga puna të ambasadorit të ri shqiptar në Prishtinë, ministri Basha sqaroi se pas nominimit zyrtar të Islam Laukës në këtë post, do të ndiqen me shpejtësi procedurat e konfirmimit presidencial dhe parlamentar, në mënyrë që ai të marrë sa më shpejt detyrën. Aktualisht, përfaqësia jonë diplomatike në Prishtinë funksionon me kapacitete të plota nën drejtimin e të ngarkuarit me punë, deri në ardhjen e ambasadorit të ri. Ndërkaq homologu i tij letonez, theksoi se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Europian. “Unë besoj se e ardhmja e Serbisë është në BE dhe mendoj se kjo duhet të jetë edhe baza që autoritetet e Serbisë të vendosin mbi të ardhmen e tyre. Ky është dhe aspekti më i rëndësishëm në të cilin ne duhet të fokusohemi”- deklaroi kreu i diplomacisë letoneze. Duke komentuar vendimin e qeverisë së Letonisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ai tha se kjo erdhi pas një analize tërësore, të plotë, mbi bazën e zhvillimeve të fundit në rajonin e Ballkanit, duke marrë parasysh të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me historinë dhe mjedisin politik të rajonit. Përsa i takon vendimit të marrë së fundi nga BE për të luajtur një rol aktiv në drejtim të përpjekjeve për stabilizimin e rajonit, ai theksoi se ne do të përdorim të gjithë mekanizmat që janë në dispozicion për të dhënë kontributin tonë në këtë drejtim. “Ministrat e Jashtëm të BE-së theksuan se Kosova përbën një rast unik, që nuk do të ketë efekte apo ndikim në konfliktet e tjera të ngrira. BE ka pasur një numër mesazhesh të qarta dhe të fuqishme, ku një prej tyre ka qënë edhe ndihmesa dhe asistenca që ky organizëm do të japë, jo vetëm për kosovarët, por edhe për serbët. Ne e kemi bërë të qartë që në të ardhmen edhe Serbia të jetë pjesë e familjes europiane dhe mendoj se kjo është ideja më e rëndësishme që udhëheqësit serbë duhet të kuptojnë dhe të zgjedhin, pasi është gjëja më e rëndësishme për popullin serb” - tha ministri i Jashtëm leton.