Ikën Meta, por për Ramën vlejnë ende Veliaj e Gjinushi
Qarqe të mënjanuara opozitare prej disa ditësh kanë filluar luftën ndaj PS-së dhe PSD-së së Gjinushit, duke i akuzuar këto të fundit si vandaliste dhe të prirura për të injektuar përçarjen ndërmjet partive të vogla. Mungesa e konsensusit dhe lufta e hapur shigjetuese në drejtim të Ramës dhe të të ashtuquajturit “teolog i konfliktit”, Gjinushit, ka bërë që qarqet opozitare të ngrihen shpatat e të nisë mësymja. Në prag të një përçarjeje mjaft të thellë të koalicionit të majtë opozitar, kryetari i PSD-së Gjinushi është renditur në krah të Partisë Socialiste. Gjinushi i ka kujtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim se është fajtorja e humbjes së zgjedhjeve në korrik të 2005-s dhe si e tillë nuk duhet të përsërisë lojën e përçarjes së të majtës. E rëndësishme për Gjinushin është që mos të shkohet djathtas. Ndonëse, Edvini mundohet që tu bëjë thirrje për paqe partive të tjera, që po orientohen drejt një koalicioni të udhëhequr nga LSI, duket në horizont se çarjet brenda së majtës për çdo ditë e më tepër po bëhen të pariparueshme. Partia Socialiste u mundua dje të dilte nga gracka e vetmisë, por kishte zgjedhur njeriun e gabuar për këtë punë. Si gjithmonë, Erion Braçe s’i kontrollon dot ndjesitë e veta, e në vend që t’i vinte vetullat koalicionit të majtë, i nxori edhe sytë. Përpara kamerave, në vend që të përsëriste thirrjet e shtirura për rikthim në koalicion të LSI-së, kujtoi inatet e vjetra me Ilir Metën në fushatat e Beratit, a kushedi, ndoshta edhe më herët. Braçe tha dje se reagimi i z. Meta është i njëjtë me partitë e kabinetit qeverisës. Por ky citim i Braçes, i thënë publikisht në të gjitha mediat nuk u përfshi në versionin zyrtar të faqes së PS-së, ndërkohë që vetë Erion Braçe u shfaq i shqetësuar pas mesditës, nën shoqërinë e deputetëve Ulqini e Fino. Braçe u mundua të përgënjështrojë arsyet e partive të vogla për marrëveshje paraprake zgjedhore me të djathtën, duke kujtuar se PD kishte pranuar 5 parakushtet e socialistëve, ndërkohë që kishte qenë ODIHR-i ai që kishte rekomanduar miratimin e një sistemi zgjedhor me lista kandidatësh të mbyllura. Megjithatë, Rama i provon të gjitha rrugët e mbrëmë në darkë ka provuar të vendosë disa kontakte politike me Fatos Nanon, të cilit duket se do t’i propozojë rikthimin në PS si një figurë historike, me kusht që ai të angazhohet që të ndalë erozionin që mund të shkaktojë një fushatë antiedviniste nga ana e Koalicionit të ri të Ilir Metës.
Vetë Lëvizja Socialiste për Integrim nuk dha shenja tërheqjeje nga qëndrimi i saj për të dalë nga koalicioni opozitar. Që nga qyteti i Durrësit, Ilir Meta ka akuzuar Edi Ramën se ka vetëm një alternativë politike; atë të prishjes së çdo lloj pale zgjedhjesh, nëse nuk i jepet fitorja në tavolinë. Për krijimin e koalicionit të ri “E majta për Integrim”, Meta ka renditur disa arsye: lidershipi i PS-së ka bllokuar qëllimisht punën e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore; koalicioni ka pasur mungesë transparence për të arritur në një marrëveshje; Rama është dorëzuar në mënyrë naive përballë liderit të PD-së, Sali Berisha. LSI ka përsëritur ofertat për një koalicion të gjerë partish që ofron konsensus për reformat e mëdha të vendit, duke e cilësuar të mbyllur kapitullin e marrëveshjeve paraprake politike me Edi Ramën, një njeri që s’njeh e s’respekton kurrfarë dokumenti të tillë. Edhe lidhur me akuzat se Ilir Meta po ecte në rrugët e vjetra të konfliktit, kreu i LSI-së ka preferuar të dalë personalisht para medias për t’i thënë nja dy fjalë të “mira” Edvinit. “Mua më vjen shumë keq për shpërdorimin që i është bërë sidomos kohët e fundit fjalës “e re”, dhe njëkohësisht lojërave të fjalëve. Politikë e vjetër realisht është ajo e prishjes së zgjedhjeve”, - u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta. Paskal Milo i ka dhënë paraprakisht besën Ilir Metës se do të jetë me të edhe në këtë lëvizje të re, teksa ka konfirmuar shqetësimet e tij në mbledhjen e kryesisë socialiste, por ka thirrur KDK-në për të marrë vendimin final për daljen nga koalicioni i majtë. Edhe Kryetari i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, u shpreh sërush në mbështetje të iniciativës së LSI-së për të krijuar një front për një reformë të ndershme. "Ajo që shpall LSI-ja, natyrisht që nuk përfshin Aleancën Demokratike, pra ne nuk do të jemi pjesë e koalicionit të majtë, sepse ne jemi parti e qendrës. PAD i bashkohet iniciativës së LSI-së për të krijuar një front, që nga e majta deri tek e djathta, për një reformë të ndershme, transparente, një reformë që do të siguronte unitetin e vendit dhe jo përçarjen apo parcelizimin, siç tenton ligji ose projekti i PS", - tha Ceka.
Duke ditur se disa ditë më parë eksponentë dhe ithtarë të Edvinit u mblodhën rreth Erion Velisë për të krijuar grupimin G 99, një mënyrë parapërgatitore për zgjedhjet parlamentare të 2009-ë, tani situata është disi më pak e favorshme. Pozitat e Ramës në PS janë tepër të lëkundura, e njëkohësisht bashkëjetesa me Gjinushin mund të shkojë deri në disa caqe e më pas të mbjellë divorcin. Megjithëse Rama u paraqit si garant i “G 99”, shohim se plazmimi i formacionit të ri politik është në një apati të plotë. Veliaj është i vetmi nga lojtarët kryesorë të të majtës, që ende nuk është shprehur për konfliktin e shpërthyer në të majtë, megjithatë tani po presin një ftesë formale se u ka ardhur koha për të dalë në llogoren e parë të politikës, sipas parimit “një bie mijëra ngrihen”. Pse jo, të paktën të ngrihen 99, se për të tjerët mendon baza socialiste.