E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/ Ja pse PD, përsëri do t’i fitojë zgjedhjet…

Në gjithë këto vite të pluarlizmit politik, që me shembjen e ngrehinës karakatinë komuniste, PD-ja ka qenë dhe mbetet forca kryesore e të gjitha lëvizjeve politike e diplomatike për shtetin shqiptar. Shto këtu dhe faktin që vetë PD me personalitetet e veta politike, ishte dhe mbeti promotori kryesor i shembjes së komunizmit, i rimbëkëmbjes së vendit dhe ndryshimit në kahje pozitive të imazhit të Shqipërisë në botën  perëndimore. Duke pasur këto aksese politike dhe duke qenë se ka patur në mënyrë të vazhdueshme aftësinë e risimit të saj me personalitete të rinj politikëbërës, është i shpjegueshëm lehtë fakti që kjo forcë politike ka arritur të mbledhë rreth vetes dhe të ruajë elektoratin më të qendrueshëm nga të gjitha forcat e tjera të politikës shqiptare deri më sot. 

Faktin që PD di t’i krijojë vetvetes klimën e risisë e të vetëpërsosjes, është një tregues i fortë i hapjes së kësaj force politike ndaj segmenteve inteletuale të shoqërisë civile. Hapi kurajoz që ndërmori politika djathtiste shqiptare, për t’i rigjeneruar radhët drejtuese të veta me emra të rinj, në prag të zgjedhjeve të vitit elektoral 2005, përbënte vërtet një gjest befasues për mbarë kastën politike në vend, çka ngjalli në radhët e opinionit të gjerë admirim, por edhe debate të shumta gjatë këtyre viteve.

Jam e prirur të mendoj e besoj se s’ka pasur ndonjë qytetar shqiptar, vërtet të ndershëm dhe me vetëdije shoqërore, që të mos e ketë dëshiruar gjatë këtyre dy dekadave risi-min e personazheve politikë, në shumë sfera të skenës politike. Qe e thënë dhe i pari grupim politik që e hodhi një hap në këtë drejtim, pra, për t’u hapur në drejtim të shoqërisë civile, qe pikërisht PD e vitit 2005, me formimin e Komitetit Orientues të Politikave, duke e befasuar opinionin me pjekurinë dhe me qytetarinë e këtij akti. Angazhimi qytetar i 38-shes intelektuale të KOP-it, u gjend i gatshëm t’i bashkohet kësaj alternative, duke i besuar potencialit dhe lidershipit politik të Sali Berishës. Nisma e madhe djathtiste (e 2005-s) për rigjenerim e vetëpërsosje synonte pikërisht mishërimin e aspiratës së madhe qytetare, për ta parë si të prekshëm progresin shoqëror dhe ekonomik edhe këtu në Shqipëri, si në vendet e tjera ku shqiptarët, të paktën kanë punuar dhe punojnë si emigrantë prej mëse pesëmbëdhjetë vjetësh. Dhe në harkun kohor të këtij mandati qeverisës PD duket se ia arriti qëllimit. 

Pjesmarrja e këtyre të rinjve si aktivistë dhe orientues politikë pranë selisë blu, vërtetoi më së miri kësaj rradhe se vlerat e kësaj force të rëndësishme politike në Shqipëri, kanë njohur tregues të rritjes dhe ridimensionimit gjithnjë e më të madh, duke e bërë përsëri PD-në forcë të besueshme për ta mbajtur në duar timonin e qeverisjes së vendit, duke mos e lënë më vendin të kthehet dhe njëherë atje ku ishte para 2005-ës, në ujërat e molepsura të atij moçali të stërmadh të krimit dhe korrupsionit.

Vetë lideri i PD-së, zoti Sali Berisha, me dhuntinë prej politikani të kujdesshëm, ofroi shpresën, sigurinë e besimin për shqiptarët, dhe këto premtime i mbajti. Shqipëria është kthyer e tëra në një kantier ndërtimi, nga Saranda deri në Lekbibajt e Tropojës a Vermosh. Në këto katër vite qeverisjeje janë ndërtuar qindra kilometra rrugë të reja, janë rikonstruktuar rrugë dytësore nacionale e rurale, me rëndësi në jetën publike të zonave të ndryshme të vendit, janë ndërtuar dhjetëra shkolla të reja dhe qendra shëndetësore në mbarë vendin. Është inkurajuar zhvillimi i ekonomisë private dhe është përkrahur zhvillimi i biznesit vendas e të huaj, duke krijuar kështu më shumë mundësi punësimi e jetese për qytetarët shqiptarë. Është rikthyer qetësia publike dhe është vënë nën kontroll të rreptë ndalimi i korrupsionit. Është pranuar vendi ynë si partner me të drejta të plota në organizatën më të fuqishme ushtarake të botës, në NATO dhe duket se është shumë afër të futet me status të plotë anëtarësimi edhe në BE.

Këto janë që të gjitha arritje të PD-së, liderit të saj dhe stafit të tij qeverisës e politik. Kështu, ky backgroung progresi garanton natyrisht edhe një mandat të dytë katërvjeçar për qeverisjen e vendit. 

Rritja e treguesve në nivelin ekonomik, ulja e taksave dhe së fundi edhe e disa çmimeve siç është nafta, drithërat etj, lufta e ashpër ndaj korrupsionit, bërja publike dhe dënimi i zyrtarëve të korruptuar dhe shpëtimi i Shqipërisë nga kriminelët e kanë rritur edhe më prestigjin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Por edhe nëse të gjitha këto në analizën e miopëve e skeptikëve nuk lexohen si suksese, atëherë nga kushdo mund të shikohen qartë si suksese të padiskutueshme, madje të paimagjinuara para katër vitesh, anëtarësimi në NATO dhe ratifikimi i MSA-së me BE-në. Kurse, do nënvizuar këtu edhe fakti tjetër se ka ende plot skeptikë, të cilët hepohen ndërdyshas në zhguallin e tyre të militantizmës boshe e fanatike, për të përbaltur me çdo kusht dhe në çdo rast kundërshtarin politik, thjesht për të mos harruar për t’i besuar alternativës së vet, apo duke përsëritur për të njëmijtën herë retorikën boshe, gjoja të “njerëzve të rrugës”, të cilën tashmë as ata vetë (edhe nëse e kanë besuar dikur verbërisht), zor se e besojnë më. 

Gjithësesi, sot ndërkohë që jemi kaq pranë fushatës, një gjë pozitive është edhe se opinionistët e ndryshëm, kësaj radhe përgjithësisht janë treguar paksa më të matur në të shprehurit e konsideratave të tyre lidhur me fenomenin në fjalë. Padyshim edhe ky fakt duhet lexuar si një tregues tjetër cilësor që dëshmon se PD-ja ka ruajtur të fortë elektoratin e vet tradicional, madje edhe ka fituar akoma më shumë simpatizantë e përkrahës për votimet e reja që po vijnë. Shoqëria jonë, në vitin e saj të nëntëmbëdhjetë të pluralizmit, duket se e ka kuptuar më së fundi se mjaft kohë u humb në kërkimin e një kursi politik që do ta orientojë vendin drejt një partneriteti dinjitoz me vendet e tjera të Evropës së Bashkuar. PD-ja si forcë politike aktive maksimalisht në pushtet gjatë këtyre katër viteve të shkuara, me premtimet e mbajtura dhe me arritjet e bëra në të gjitha fushat e jetës, e ka treguar se është forca e vetme politike sot në Shqipëri që e njeh kursin e integrimit. Kështu qytetari shqiptar me 28 qershor s’do ta ketë të vështirë ta zgjedhë alternativën e tij. Që ta fitojë kohën dhe kurrësesi të mos e humbasë atë. Kjo është dhe arsyeja pse PD-ja me 28 qershor 2009 përsëri do t’i fitojë zgjedhjet.

Autorja e letrës është anëtare e kryesisë së PD-së, dega Fier

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›