E Diel, 1 Nëntor 2026

Profile politikanësh të tetëvjeçarit të dështuar - Etaloni E.Rama

Etalon domethënë model, tip, standard. Nuk mund të them “modeli Rama”, sepse fjala model ka edhe kuptimin pozitiv. Por s’duhet të harrojmë se Edvin Rama ka qenë ministër i Kulturës për një kohë të gjatë dhe kryetar bashkie për një kohë edhe më të gjatë.

Çfarë etaloni qeverisës, ndërkaq, na kanë  lënë ai, së bashku me socialistët e tij, që né të bindemi që ta marrim si shembull, e të përsëritim atë tetëvjeçar? Ai kërkon të na bëjë bukë të bardhë me hime. Por a bëhet dot? Sepse ai vetë e ka telendisur qeverisjen tetëvjeçare dhe ka nxjerrë sloganin demagogjik të një politike të re. Por a bëhet politikë e re me politikanë të vjetër, që përbëjnë një komunitet i cili i përmban brenda të gjithë ata që janë me dosje korrupsioni, paçka se ato janë katandisur në dosje nën pluhur? 

Shpeshherë  zëvendësit e tij propagandistikë, kur vihen para kësaj dukurie, domethënë përpara kundërthënies, që do të na drejtojnë njerëzit e korruptuar të tetëvjeçarit, ata si papagajtë, me fjalor të njësuar dhe me pasuri fjalësh sa gishtat e dorës, të përgjigjen njëzëri. – “I procedoni, zotërinj!”. Si ekspert i narcizizmit politik, Rama i ka mësuar shegertët e tij që të përgjigjen në mënyrë të njëtrajtshme (uniforme). Kjo përmban një dozë të rëndë cinizmi. Sepse ngërthen një nëntekst të hidhur. “E dimë që ia keni dhënë prokurorisë për hetim, por ç’u keni bërë, megjithatë? U keni rruajtur bishtin!”. Sigurisht kjo thuhet në sordinë (nën zë, mbyturazi). Por  ka një domethënie vetëgoditëse. Sepse kjo përbalt prokurorinë, ndonëse flitet shumë, me hipokrizi, për respektim të institucioneve të pavarura! Por, po të zbërthehet ajo që, sido që mbyturazi, e thonë vetë nën zë majtistët tanë, kuptimi del i qartë: Rama paska aq potencial ekonomik sa ka blerë edhe segmente të organeve hetimore të pavarura. Dhe ne e përmendim fjalën segmente, vetëm sa për eufemizëm. Jo më kot u mbrojt me thonj e me dhëmbë Theodhori Sollaku: Që dosjet të flenë, t’i zërë pluhuri! Dhe, ndonëse Edvini i ka si mall të babait një pjesë të madhe mediesh, ai qahet, megjithatë,  se s’ka pare, as sa për t’i dhënë asaj vajzës fatkeqe (që ai e ka për detyrë, me vendim gjyqi), një apartament! 

Ai s’ka pare (!) as për rregullimin e një sahati të vetëm në të gjithë Tiranën, që e ka lënë qorr, me të katër orët e faqeve, që tregojnë kohë të ndryshme! Kjo e vë kryeqytetin tonë në një gjendje tepër të pahijshme, sidomos para të huajve që vizitojnë Tiranën . Në këmbët e këtij sahati historik, që është katandisur ku thërret kiameti, gjendet sheshi Skënderbeg, shesh në të cilin makinat tronditen, sikur të ishin kapluar nga valët sizmike! Ç’përshtypje do të gëlltisnin të huajt, mjafton që t’i bëjnë një vizitë kryetarit të bashkisë, në bashkinë e tij me rrugë qendrore të pashtruara?

Fan Noli, gjatë polemikave të tij tërë kripë, tregon edhe këtë anekdotë: Një monark absolut i kishte ftuar bashkëqytetarët e tij të shihnin një ekspozitë figurative mjaft interesante. Por koha e përgatitjes qé aq e shkurtër, sa pikturat nuk u mblodhën dot. Nga ky siklet e shpëtoi një oborrtar dinak, i cili i dha mendimin që t’i shpallte si bij kurvash ata që nuk i shihnin dot pikturat e mrekullueshme. Dhe të pranishmit vizituan  muret bosh. Duke u ndodhur përpara mureve pa piktura, fillonin të lavdëronin virtuozitetin e piktorëve,  të mburrnin pikturat e hijshme, të vlerësonin kornizat... Ndërkaq një fshatare e thjeshtë tha, me zë të lartë: -“Ndjesë pastë ajo nëna ime, që më paska bërë doçe!” – se unë s’po shoh askurrgjë!

Duket se edhe Edi kërkoka doçër, që t’ia lavdërojnë punët e tij të mbrapshta!  

Se, për sa i përket anës ekologjike, nuk do të mjaftonte ushtima e zërit të tij si të Hitlerit, që të bënte të besueshëm një mjedis ekologjik, qoftë edhe të parametrave modestë. Pa asnjë teprim, ekologjia tiranase do të meritonte mbiemrin: katastrofike! Një ekologjist specialist ia ka bërë diagramin ekologjik Tiranës, me parametra të përvajtueshëm në të gjithë indikacionet ambiantale, duke i përmendur, gjatë intervistës, shifrat që i kishte në kujtesë, njërën pas tjetrës. Megjithatë E. Rama është i kënaqur. Lum ai. Por mjerë populli!

Pallatet Tiranës nuk ia bëri Rama. Ia bënë ndërtuesit, të cilët vetëm se nuk flasin publikisht sesa i kanë dhënë nën dorë për një liçencë. Nuk bëzajnë edhe sesi, në interes të përbashkët, betonizuan edhe lulishtet. Madje edhe mjaft rrugë i shndërruan në rrugica, që të nxjerrin dhjamë édhe nga pleshti! Nuk kanë gojë të flasin hapur, se janë në lojë edhe interesat e tyre. Por, ama, nëpër intimitete të njohurish dhe nëpër konfidenca para gotës së birrës, s’kanë lënë gjë pa thënë! 

Tani, shpërfillës se mund të kalohet nga pesëmbëdhjetë  përqindëshi te njëzet përqindëshi, i superkorruptuari në krye të bashkisë i vuri kapakun paudhësive të tij, me Alban Eftimin, i cili është edhe këshilltar bashkiak te Rama, edhe ndërtues! Domethënë voton për vetveten, në bashkëpunim me kryebashkiakun. Dhe ky i fundit nuk pranon të hetohet, se e ndaloka kushtetuta, meqë jemi para zgjedhjeve! Domethënë paskemi një kushtetutë që i jep krahë krimit ekonomik! Por edhe kur kryebashkiaku mujshar u hetua nga një komision parlamentar, kur qeverisja e sotme ishte në opozitë, ai vuri zurnatë dhe bëri zhurmuesin me megafon portativ me bateri, duke e bojkotuar hetimin! 

Tani deklaron solemnisht se mëton të jetë edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie! I përkëdheluri i diktaturës së Enverit dhe të Bllokut, tani kërkon të na bëhet diktator i demokracisë! Që t’i bëhen më hapur e më me salltanet ovacionet babait të tij shpirtëror, Enverit, në domenin edvinian  të Pezës, me rastin e 16 shtatorëve... kur vetëm injorantët e historisë nuk e dinë se më 16 shtator 1942, Enveri ishte bira e fundit e kavallit dhe qé i ngarkuar nga Miladin Popoviçi që të shpërndante ftesat, si punë postieri! (Thënie e vetë E.H.-s, i nxjerrë në fac símile).

Si ministër i Arsimit, ky ithtar i komunizmit në një vend demokratik, i çoi artistët në grevë. Dhe i nxori me dajak nga greva. Ky liberal i madh përçapet sot t’u mbushë mendjen fshatarëve të të gjitha rretheve e qarqeve, - i ndjekur pas nga vargani i autobusëve me miturake me xhufka, se e ka  dërguar Mesia që të bashkojë të gjithë popullin, të majtë e të djathtë, rreth personit të tij! Në të vërtetë, bëri përçarjen e madhe, duke kaluar një pjesë e madhe protagonistësh të PS-së te LSI-ja! Flet për bashkim dhe bën shkatërrim! 

Flet me emfazë se do të zhdukë varfërinë (Përse s’e zhduku tetëvjeçari?).

Thotë se do të bëjë rrugë më shumë se Sali Berisha (Përse nuk u bënë gjatë tetëvjeçarit?).

Ngulmon se do ta lulëzojë bujqësinë (Përse bujqësia u rrudh gjatë tetëvjeçarit?).

Do ta zhdukë korrupsionin (Përse flenë edhe sot dosjet e korrupsionit të pësëistëve të kupolës së PS-së, kur qeverisja e sotme ka dhënë një shembull të besueshëm të kësaj lufte, duke vënë gishtin – në radhë të parë – në administratën e vetë e duke i dhënë prokurorisë mbi njëqind dosje?).

A e kupton Rama se nuk ka një platformë konkrete për qeverisje? Edhe si bashkiak, nga babëzia i ka bërë ndërtesat b.... më b....., duke i ngushtuar rrugicat sa Perëndia na ruajt se mos bie ndonjë zjarr dhe autocisternat veç në u bëfshin helikopterë, se nuk kanë ku të hyjnë? Aq sa nuk është dorëzuar edhe një plan rregullator i qytetit, për të cilin u është kërkuar llogari si Shalësit, ashtu edhe Tahirit dhe ata e kanë shndërruar dialogun – Mirë mëngjes, - Po zë peshk! (tjetër pyetja, tjetër  përgjigjja!). Duke mos përballuar dot shifrat e progresit, japin si përgjigje deklamime hartimesh, me përfundimin se do të fitojnë zgjedhjet! Mbahu, Muço, me gajret!

Me që dolëm te zgjedhjet, fillimisht Rama vari buzët ndaj pasaportave biometrike dhe kartave elektronike të identitetit. As vetë nuk denjoi ta marrë këtë kartë. Dhe, pas këtij bojkotimi, u kujtua që të jetë “parësor” në thirrjet patetike për të nxituar në dokumentet, se koha s’pret! Ndërkaq aplikantëve u kërkoheshin shuma prej 30.000- 40.000 lekësh të vjetra për pastrim- gjelbërim , që të mund të merrnin një certifikatë familjare 500-lekëshe (të vj.), për plotësimin e dokumenteve zgjedhore, të vlefshme jo vetëm për zgjedhjet! Kishte ndërmend të bojkotonte zgjedhjet, por i ngeci sharra në gozhdë. Megjithatë i ka marrë masat me vakt e me kohë që të kontestojë zgjedhjet, duke parandjerë humbjen.

Ky nihilist gojëzbrazët na u bë shumë qibar, tani, për zgjedhje të përkryera!  Por a e di ky se gjatë tetëvjeçarit jo vetëm që as nuk ëndërroheshin karta elektronike zgjedhore dhe se listat elektorale të Finos i ndanin qëllimisht anëtarët e së njëjtës familjeje më katërsh, në të katër pikat e horizontit të Tiranës? (Komisionerët demokratë ngritën zërin për këto farë listash, por morën përgjigjen se do të ndreqeshin, ndërsa listat zgjedhore u shpallën pa asnjë ndreqje!).  A e di Rama, apo bën sikur nuk e di, se thyheshin harbutërisht kutitë e votimit dhe se këto, në mjaft raste, strehoheshin në selitë e komiteteve të partisë socialiste? Se grupe fletësh votimi të parapërgatitura hidheshin, si pa të keq, toptan në kutitë e votimit?  Se KQZ-të ishin në raportin 6:1 apo 5:2? 

Dhe tani, që manipulimi është i pamundur, po mbjellin panik, po bëjnë një veprimtari bojkoti, po përgatisin  alibinë e kontestimit: Një byrek që s’është për mua, le të digjet në zjarr!

P.S. Ndonëse në okielo profile politikanësh është në shumës, në stilistikë, sinekdoka lejon édhe përdorimin e shumësit për njëjësin dhe anasjellas, si shqiptari për shqiptarët,  fshati për fshatarët etj. Në rastin konkret, “profile” u përdor për “profil”. Mbase në një shkrim tjetër mund të shkruaja edhe për Ilir Metën. Por jo në këtë shkrim, që e zuri hapësirën e nevojshme.

Megjithatë, më duhet të them si shtesë, tani, edhe diçka, pak, fare pak, meqë në intervistën e fundit me gazetarët, të drejtuar nga Fevziu, Meta u mburr se kishte kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, sapo ndodhi dukuria Gërdeci. Kjo ngjarje, që u shndërrua në një dukuri, ishte një e papritur e padëshiruar, në radhë të parë, për qeverisjen. Për një pjesë të thekur të së majtës ishte një ngjarje e hareshme, po të kemi parasysh se ajo e majtë u quajt e thekur, se nënkupton ato kontingjente të përthithura nga e majta, që nuk kanë as ndjesinë e dhembshurisë më të vogël për ekzekutimin e mijërave dhe të dhjetëra mijërave shqiptarëve, pavarësisht se e dinin se ishin të pafajshëm. Për një numër tepër të madh viktimash të asaj kohe, janë vrastarë në vetë të parë. E tani përloten , si krokodili pasi ha prenë e vet! Krerët e së majtës dhe, veçanërisht, ky kontingjent i tyre, u gëzuan, në subkoshiencën e tyre, edhe për aksidentin Gërdeci, se mos e përmbysnin qeverinë, me marifetet e ’97-s! Pra, Gërdeci ishte një aksident!  Aksidente të ngjashme kishin ndodhur edhe në Qafë-Shtamë, e në vende të tjera, kur qeveriste e majta. Aksident ishte edhe çështja e të ndjerit Trebicka, që kjo farë e majte e ngriti gjer në atentat! Tani, pas ekspertizës së paqortueshme amerikane dhe pas vendimit definitiv gjyqësor, përgojuesit kanë rënë squk!

Por grabitja e Thesarit nuk ishte një aksident! Përse nuk e dha dorëheqjen Iliri Meta? Shpërthimi në Guroren e çiftit Meta, pati dy të vrarë, që shkuan si lepuri në vësht. Mund të  ishin vrarë edhe 26! Përse nuk e dha dorëheqjen Meta?

Ka edhe shumë përse të tjera. Mbase, për njëherë tjetër.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›