Në mbrojtje të çështjes së Kishës së Laçit
Fort e nderuar redaksi,
dëshiroj të shpreh mbështetjen e besimtarëve të mi në Famullinë e Shelbuemit në Rubik të Mirditës,
të cilët luten dhe mbështesin çështjen e tokave të Kishës Katolike në Shqipëri, te Kisha e Laçit dhe në të gjitha vendet tjera.
Po ashtu solidarizohemi me At Mikel Pllumaj në këtë moment të vështirë të procesit të kthimit dhe rikompensimit të tokave në pronësi të Provincës Françeskane Shqiptare “Zoja Nunciate”.
Po bashkëngjisim edhe nji deklaratë që e kemi publikuar në Kishën tonë në mënyrë që të publikohet se shpejti në gazetën tuaj.
Duke ju falënderuar, ju urojmë çdo të mirë prej Zotit.
Me respekt,
At Gjon Kalaj
Administrator i Famullisë së Shelbuemit
Rubik- Mirditë
Paenitemini et credite Evangelio
Pendohuni e besoni Ungjillit
SHNA NDOU I PADOVES: Shejti i Mrekullive.
Dëshmia e mrekullive te Shejtnorja e Shna Ndout në Sebaste të Laçit të Kurbinit asht kaq e madhe sa nuk mund të numërohen: të paralizuar që ecin, të sëmurë për vdekje që rigjejnë jetën e shëndetshme, të sëmurë psikikë që rigjejnë paqen dhe arsyen e jetës, dhe në fund, sëmundja më e keqe sklerokardia = zemra-gur, të cilën Jezusi në fillim të misionit të tij të shejtë e predikon me fjalët e tij të shejta, ashtu si na tregon teksti me i hershëm i Shën Markut Ungjilltar: në greqisht metanoei/te kai, pisteu, ete eivj to euvagge lion metanoeite kai pisteuete eis to evangelion; në shqip kthehuni e besoni Ungjillit, sepse kjo sëmundje, zemërngurtësia, sklerokardia nuk shërohet prej Zotit, nëse njeriu nuk pendohet me gjithë zemër dhe kthehet përsëri në mëkat.
Pra, mrekullia më e madhe që Shna Ndou i Padovës ka ba te Kisha e Laçit asht kthimi në Udhën e Zotit i të gjithë atyne njerëzve që u penduan për mëkatet që kanë ba, që u pagëzuan/rrëfyen te meshtari dhe u pajtuan me Zotin, me njerëzit dhe me vetveten. Kjo asht Pendesa e Kishës: Sakramenti i Ringjalljes së zemrës njerëzore, nga zemër guri në zemër mishi, ashtu si Zoti e krijoi, të ndjeshme ndaj Krijuesit: Atit, Zotit që Krishti na zbuloi, nji Zot që din me ken i drejtë derisa njeriu ta pranojë fajin, dhe din me ken i mëshirshëm kur njeriu pendohet e kthehet në rrugë të drejtë. METANOIA si fjale, pra, don me thanë: korrigjim, ndryshim mendimi apo ideje. Për të krishtenin, kjo fjalë shpreh ndryshimin e sjelljes dhe të jetës: nga mëkatnor në besimtar.
Përderisa në këto ditë po shohim se si disa pushtetarë, edhe pse me emra katolikë, Luigj apo Pal, po sillen jo vetëm kundra nji meshtari, por kundra Kishës, duke mbrojtur dy djem me mbiemrin Vlashi, edhe ata me origjinë katolike, që e penguan Meshtarin Françeskan, At Mikel Pllumaj të kremtojë Meshën e Shejtë te Kisha e Laçit me ofendime dhe kërcënime (dyshohet se ishin edhe te armatosur). Atëherë, duke e mbështetur çështjen e Kishës së Laçit dhe krejt Meshtarët, po marrim si shembull dy shenjtër që e kanë treguar me jetën e vet se i krishteni, jo vetëm që nuk mund të çohet kundra Kishës, sepse asht pjesëtar i saj, por ai asht në mbrojtje të Kishës.
Shën Luigji i XVI i Francës: Edhe Mbreti i bindet Kishës
Besoj ngultas dhe dëshmoj sa përmbledhet në Besojmen, Urdhnimet e Zotit e të Kishës, Sakramentet dhe Misteret, ashtu si Kisha Katolike na mëson dhe gjithmonë i ka mësue. Kurrë nuk kam pretendue të bahem Gjykatës ndaj Kishës, por jam bindë e, për sa të më japë Zoti jetë, do tu bindem gjithmonë vendimeve që japin e që do të japin Eprorët Kishtarë të bashkuar me Shejten Kishë Katolike, sipas Disiplinës së Kishës, e cila qëndron prej Jezu Krishtit e në vazhdim.
Testamenti i Shën Luigjit XVI, Mbretit të Francës
Shën Pali apostull: Rrëfimi i Shën Palit
Ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e persekutoja me egërsi të madhe Kishën e Zotit dhe e shkatërroja. E unë isha i panjohur nga kishat e Judesë, që janë në Krishtin, por ato kishin dëgjuar vetëm: “Ai që na persekutonte më përpara, tani po shpall atë besim që ai shkatërronte”, dhe për kthimin tim i jepnin lavdi Zotit.
Letra e Shën Palit drejtue Galatasve 1, 13. 22-24
Mesazh: Durimi i Meshtarit nuk asht shenjë dobësie e Kishës, por shenjë mirësie dhe dashnie
Duke iu lutë Zotit në këtë Kohë të Krezhmëve për kthimin e çdo njeriu që asht larg rrugës së Zotit, Fretnit e Kishës së Laçit punojnë dhe veprojnë me durim dhe përkushtim për të mirën e besimtarëve, sepse Toka e Kishës, Ara e Perëndisë asht Populli i Zotit, të gjithë besimtarët.