Letra/ Problemi me identifikimin e plotë të problemit që sjell plani 6-pikësh i OKB-së

Ndryshe prej vendeve të tjera të botës, problemi në realitetin me firmë kosovare e ka edhe nëndarjen e vet të mëtutjeshme. Domethënë këtejpari dallojmë: - problemin problem dhe - problemin joproblem. Në kuadër të problemit-problem hyjnë të gjitha ato probleme që me shkallën më të lartë të seriozitetit janë probleme. Kurse brenda terrenit të problemit joproblem lëvizin të gjitha ato gjëra që nuk demonstrojnë asfarë elementesh të problemeve dhe që paraqesin të kundërtën e problemit. Gjuha popullore për të dyja këto probleme ka edhe mbiemrat e vet. Derisa të parës i ka hije ai: përnjëmend, të dytës tjetri: për mahi. Komplet vitet e pasluftës në Kosovë i ka shquar huqja e madhe për përzgjedhje të drejtë të problematizimit të diçkaje. Është fuqizuar tmerrësisht shumë kultura se si problemi joproblem duhet të merret shumë më shumë seriozisht se sa problemi problem. Të nënçmohen problemet që s’janë për t’u nënçmuar dhe të mëtohet të kthehen në probleme ato që s’janë të tilla: kjo ka qenë logjika që ka udhëhequr. Policia, gjyqësia, dogana, transporti, kontrolli kufitar, trashëgimia kulturore dhe religjioze (gjashtë pikat e Ban Ki Moon-it për të cilat është duke u ‘debatuar’ kohëve të fundit) janë vetëm disa probleme që kanë qenë të selektuara për një ‘delete’. Dhe përse e tërë kjo? Sepse është dashur të problematizohen çështje se si “LDK-ja na qenka parti më e mirë se sa PDK-ja”, se si “Ramush Haradinaj bëri koalicion me LDK-në”, se si “Nexhat Daci e formoi LDD-në”, se si “LDK-ja po do që të ndahet edhe njëherë” etj., etj. marrëzi të ngjashme. Pra këto janë ato arsyet e “forta” pse është dashur që problemi problem të margjinalizohet. S’di nëse ka diçka më të idioteske se sa humbja e vlerave të legjendaritetit të diçkaje dhe tendenca e dhënies së atributeve heroike pa i poseduar një gjë! Të gjakohet t’i jepet rëndësi jetike diçkaje që s’është kurrgjë përballë asaj që realisht është shumë problem.
Pasiqë jam duke shpjeguar në këtë mënyrë, tërë këtë që është duke ndodhur këtyre ditëve në lidhje me planin gjashtë pikësh të Ban Ki Moonit, e shoh kësisoji: ndonëse i nënvleftësuar deri në asht, zakonisht i rrethuar me probleme të tjera sikur të ishte aty parking makinash, problemi problem absolutisht s’e humb fuqinë dhe në raste të veçanta di të hakmerret tmerrësisht keq. Nga problemi joproblem mos prit gjë sa do heroik që e kanë përshkruar sepse kurrgjëja kurrë s’ka me çka të çojë kryet!
...