E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e investimeve, prioritet i mandatit të dytë të qeverisë “Berisha”

Dalja nga infrastruktura afrikane dhe ndërtimi i një rrjeti rrugor modern, çlirimi i ekonomisë nga varësia energjetike dhe përmirësimi i bilancit tregtar janë disa nga objektivat ambicioze të mandatit të dytë qeverisës të së djathtës. Investimet e tre viteve të fundit vetëm bazamenti i një platforme që synon ndërtimin e veprave të mëdha përmes një projekti-rekord investimesh, prej 2.8 miliardë dollarësh

Menjëherë pas kthimit nga Maqedonia, kryeministri Sali Berisha, vijoi turin “Shqipëria po ndryshon”, duke vizituar rrethin e Pogradecit, ku realizoi inaugurimin e përfundimit të punimeve të një sërë veprave publike, financime të buxhetit të shtetit. Duke u ndalur në komunën Dardhas, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve të ndërtimit të rrugës që lidh Darshasin me Qafë Plloçën, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 51 milionë lekë, Berisha nënvizoi se qeveria që ai drejton, shpreh zotimin për rritjen e investimeve në infrastrukturë, për të krijuar një rrjet rrugor tërësisht të ri në Shqipëri, dhe më modernin në evropë. Berisha nënvizoi përqëndrimin e investimeve në sektorët më jetikë të vendit, në dobi të përmirësimit të jetesës së shqiptarëve dhe garantoi se qeveria do të financojë çdo projekt me synim urbanizimin e zonave rurale. Duke folur para banorëve të zonës së Pogradecit, Berisha garantoi se kjo qeveri e ka dhe do ta ketë një nga përparësitë më madhore zhvillimin e qëndrueshëm rural, urbanizimin dhe lehtësimin e jetesës së banorëve. Por, përpos përkushtimit dhe investimeve nga ana e qeverisë, në anën tjetër, që shkon në kah të kundërt me progresin e vendit, është opozita e fjalëve boshe. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha akuzoi opozitën si disinformuese të opinionit publik, lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Kryeministri tha se alternativa e qeverisë është alternativa që bazohet në vepra dhe premtime të mbajtura, ndërkohë që nënvizoi se “ka edhe një alternativë tjetër që shëtit nëpër Shqipëri, alternativa e llafeve, e sharjeve, e shpifjeve, trillimeve”. “Opozita është mashtruese dhe u përmbahet fjalëve boshe. Ne e kemi vërtetuar se jemi një mazhorancë që u është përmbajtur të gjitha premtimeve të dhëna. Ne ngritëm shkolla dhe sollëm standarde. Unë ju ftoj juve që kur Kryetari i PS-së të vijë tek ju, priteni mirë dhe pyeteni; zoti kryetari i Bashkisë së Tiranës, sa nxënës ka në klasat e kryeqytetit? Janë nga 40-50 nxënës. Pse ndodh kjo? Nuk ka para të ndërtojë shkolla të reja? Jo! Paratë, qeveria i ka dhënë, janë siguruar kredi nga qeveria 22 milionë euro. Por ai nuk ka truall. Ky është problemi. Është turp që të detyrohemi të paguajmë apo të marrim me qera kafene që t’i bëjmë klasa për nxënësit në kryeqytet. Ne kemi dhënë fondet më të mëdha për Bashkinë e Tiranës dhe nga 8 shkolla që duhet të ndërtonte kryetari, ka ndërtuar vetëm dy dhe ato, në periferi të Tiranës”, tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë, është e lehtë të dalësh para njerëzve dhe të bësh retorikë boshe. “Por, unë nuk kam përse t’ju porosis sepse ju jeni të mençur vet. Kokën secilit ia masni me vepra konkrete dhe jo me fjalë. Me lugën bosh kemi kaluar 50 vjet dhe nuk na duhet më kjo lugë, ne na duhet të lëmë pas atë trashëgimi të hidhur që kemi, të vendosim standarde europiane, shkolla europiane me kabinete informatike, infrastrukturë dhe rrugë të asfaltuara. Ne do të shkojmë drejt Europës si qytetar të zhvilluar. Po vazhdojmë investimet e mëdha në infrastrukturë, vitin tjetër ne do t’u ofrojmë rrugën Qafë Plloç – Qukës, duke ju krijuar mundësinë e afrimit me Tiranën. Edhe Roma nuk është ndërtuar në një ditë, ndaj dua t’ju siguroj se ne do ta ndërtojmë këtë vend me standardet më të mira dhe se shumë shpejt Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri dhe më të mirë në Europë, rrjetin e shkollave nga më modernët, ujësjellësit, kanalizimet, etj. Unë ju garantoj investimet e këtij 4 vjeçari janë vetëm bazamenti i investimeve shumë herë më të mëdha për 4 vjeçarin që po vjen, në rast se ju votëbesoni këtë qeveri. Ne kemi një kontratë që investojmë, të investojmë dhe vetëm të investojmë. Në tre vjet, ne kemi investuar 1.4 miliardë lekë në vepra dhe objekte në të katër anët e vendit. Unë ju garantoj se mandatin tjetër këto investime do të dyfishohen, nuk do të jenë më 1.4 miliardë lekë, por do të jenë 2.8 miliardë”, nënvizoi më tej kryeministri Sali Berisha.

1 maj 2009, dyfishim të pensioneve në fshat
1 maji i vitit të ardhshëm, është data e cila shënon dyfishimin e pensioneve në fshat. Kështu u shpreh dje, kreu i qeverisë Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në rrethin e Pogradecit. Berisha vuri në dukje se kjo përbën vetëm stacionin e parë, pasi stacioni i dytë sipas kryeministrit, do të jetë objektivi se nuk do të ketë asnjë pension në fshat nën 100 dollarë dhe më pas, barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Kryeministri nënvizoi se buxheti i jep mundësi qeverisë të realizojë rritjen e premtuar të pagave dhe pensioneve, një rritje unike në mbarë Europën. “Asnjë vend tjetër jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, nuk ka bërë në 4 vjet, dyfishim të pagave të mësuesve, infermierëve dhe mjekëve, siç do të bëjmë ne, nuk ka bërë një rritje me mbi 60 për qind të pagës mesatare të administratës, nuk ka bërë dyfishim të pensionit minimal, nuk ka bërë rritje me 50 për qind, ashtu siç do të bëhet, të pensioneve në qytet dhe pensioneve të tjera”, tha Berisha. Kryeministri e vlerësoi politikën e qeverisë, në drejtim të rritjes së pagave dhe pensioneve

Lufta kundër korrupsionit, “Leva e Arkimedit” e buxheteve tona të mëdha
Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar luftën kundër korrupsionin, duke e konsideruar atë si “leva e Arkimedit” për buxhetet e mëdha të qeverisë. “Lufta kundër korrupsionit bëri të mundur që të dyfishojmë rrogat e 44 mijë arsimtarëve, 12 mijë infermierëve, 4 mijë mjekëve, të dyfishojmë pensionet, në maj të vitit që vjen, për 170 mijë pensionistë në fshat, lufta kundër korrupsionit bëri të mundur që ne të investojmë në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, kopshte, në zonat e Shqipërisë 1.4 miliardë lekë. Unë ju garantoj se mandatin tjetër do të dyfishojmë këto investime”, vijo kryeministri. “Ne u zotuam 3 vjet më parë se do të dyfishojmë rrogat e mësuesve, sepse arsimi, shkollimi i mirë i fëmijëve tanë, përbën kushtin më përcaktues për një të ardhme të ndritur. Ne kemi premtuar të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe ne do të vazhdojmë të investojmë edhe më tepër. Arsimi ka qenë dhe mbetet një përparësi madhore. E kam theksuar dhe e theksoj se ky vend, për shkak të trashëgimisë së tij, është vendi i 1001 halleve por edhe vendi i 1001 mundësive. Prandaj ne jemi të vendosur të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin, sepse ajo është “leva e Arkimedit” e buxheteve tona të mëdha, lufta kundër korrupsionit është ajo që bëri të mundur që ne të investojmë në rrugët e këtij vendi 180 miliardë lekë, kundrejt vetëm 26 miliardë që janë investuar në 4 vjet nga qeveria e mëparshme, është lufta kundër korrupsionit ajo që bëri të dyfishojmë rrogat e 44 mijë arsimtarëve, 12 mijë infermierëve, 4 mijë mjekëve, të dyfishojmë pensionet, në maj të vitit që vjen, për 170 mijë pensionistë në fshat. Është lufta kundër korrupsionit ajo që bëri të mundur që ne të investojmë në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, kopshte, në zonat e Shqipërisë 1.4 miliardë lekë, ndërkohë që së bashku me investimet e vitit 2005 arrijmë në 140 miliardë lekë”, vuri në dukje Berisha.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›