Abuzimet me pensionet, arrest me burg per nje person

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të lërë në qeli vetëm njërin nga katër personat e arrestuar pak ditë më parë për abuzime me pensionet e minatoreve.
Gjykata caktoi masën e sigurisë së "arrestit me burg" për shtetasin Agim Mema, punonjës i Albminierës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe funksionar pranë Sindikatës së Minatorëve, masën "arrest shtëpie" për Zija Mema, 70 vjec, ish-inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, si dhe "detyrim paraqitje" për Fatbardha Sela, 57 vjec, ish-përgjegjëse e zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë dhe Flora Ceka, 41 vjec, ish-inspektore e Verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë.
Këta persona u arrestuan të shtunën gjatë operacionit të koduar "Dosja e Hapur", si të dyshuar për abuzime me detyrën lidhur me skemën e dhënies së pensioneve të pleqerisë dhe të parakohshme.