Letra e Jagland, Haxhinasto: Ishte për të ardhmen
Qeveria shqiptare deklaron se letra e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për Kryeministrin Sali Berisha, i referohet të ardhmes. “Kam pasur edhe një bisedë telefonike me z. Jagland, me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës. Në mënyrë shumë të qartë i referohet të ardhmes, pra kohës kur Shqipëria do të realizojë një reformë zgjedhore për të saktësuar më tej çështje që dikujt mund t`i jenë dukur të pa qarta në legjislacionin ekzistues”, theksoi zv.kryeministri Edmond Haxhinasto. Kështu është shprehur dhe në letër, tha ai, dhe ai thjesht ofron të gjithë ekspertizën e Komisionit të Venecias për sa i takon draftimit dhe amendimit të legjislacionit ekzistues. “Është e rëndësishme të thuhet që kjo ofertë është bërë në mënyrë publike nga ana e kësaj mazhorance, për Komisionin e Venecias, rreth një vit më parë kur i është bërë thirrje dhe opozitës aktuale që të përgatisë gjithë amendimet e kodit, i është kërkuar që këto të certifikohen me ekspertët e ODIHR-it, ose të Këshillit të Europës, dhe më pas ato do të adaptoheshin dhe do të miratoheshin si amendime të këtij kodi nga ana e mazhorancës. Kjo nuk ndodhi për arsye që tashmë dihen dhe sigurisht që nuk është faji i kësaj mazhorance”, nënvizoi Haxhinasto. Duke ju referuar qëndrimit të fundit të Brukselit, zv.kryeministri tha se ajo që është e rëndësishme dhe çfarë vjen nga thirrjet që bën BE-ja, të gjithë institucionet e tij, qoftë Këshilli, Parlamenti apo qoftë Komisioni, është që në Shqipëri të respektohet logjika demokratike, të respektohet logjika e institucioneve të pavarura, të presim vendimet e gjykatave, të angazhohemi për procesin e integrimit të vendit, të plotësojmë detyrimet që kemi për sa i takon dymbëdhjetë prioriteteve.