Votat e gabuara, të hapen 1472 kuti
TIRANË Ashtu siç edhe pritej, Kolegji Zgjedhor zbardhi mbrëmë vendimin për Bashkinë e Tiranës. Me zbardhjen e vendimit të Kolegjit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të duhet të përveshin mëngët për të ndjekur një procedurë po aq të vështirë sa më parë. Me vendimin e djeshëm të Kolegjit, KQZ-ja do të duhet të hapë plot 1472 kuti. Kjo për faktin e thjeshtë se hetimi i kërkuar nga Kolegji, duke u bazuar në vendimin e mbrëmshëm, do të kryhet edhe për 368 qendrat e mbetura, për të gjitha kutitë e votimit; kutia e votimit për kryetarin e Bashkisë, Këshillin Bashkiak, Kryetarin e Njësisë Bashkiake apo Këshillin e Njësisë Bashkiake. Kolegji Zgjedhor ka specifikuar mbrëmë edhe procedurën që do të ndiqet nga KQZ-ja për numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar. Sipas këtij vendimi, hetimi administrativ do të kryhet përmes hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi i fletëve të pavlefshme apo të kontestuara), pavarësisht faktit nëse ka apo jo shënime në librat e protokollit të KZAZ-ve që reflektojnë mosmarrëveshjet në vendimmarrje në lidhje me këtë fletë. Kjo procedurë e ndjekur për 117 kuti votimi, sipas Kolegjit Zgjedhor, do të duhet të shtrihet edhe në pjesën e mbetur të QV-ve në Zonën Zgjedhore të Bashkisë Tiranë. Sipas vendimit, rezultatet e vlerësimit të votave duhet të pasqyrohen në proces-verbalet e mbledhjes se KQZ-së dhe në tabelat përkatëse. Kolegji Zgjedhor ka argumentuar ndër radhë se KZAZ-të janë gjendur pranë mungesës së një procedure uniforme në trajtimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Ky është motivi që këto lloj fletësh janë vendosur herë në zarfin e fletëve të pavlefshme dhe herë në zarfin e fletëve të kontestuara. Sipas Kolegjit, në gjykim u provua se këto fletë deri me datë 14 maj, moment kur përfundoi votimi i votave për kryetar të Bashkisë Tiranë, janë konsideruar nga numëruesit e të dy subjekteve zgjedhore palë në proces si të pavlefshme, e pas kësaj date janë konsideruar të kontestuara. “Siç u konstatua gjatë hetimit gjyqësor, kjo provon faktin e mungesës së shënimeve në librat e protokollit të 11 KZAZ-ve të Bashkisë Tiranë, për fletët e hedhura në kutitë e gabuara deri në datën 14 maj”, - thuhet në vendim. Për këtë arsye, Kolegji ka çmuar se statusi i këtyre fletëve, të cilat nuk janë kontestuar më parë, pasi me konsensus janë trajtuar më parë si të pavlefshme, të konsiderohen si fletë të kontestuara të pa numëruara më parë.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor
Arsyetimi ligjor.
A) Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit çmon të bazuar pretendimet e palës paditëse PSSH-së, për cenim të standardeve kushtetuese dhe të drejtës për proces të rregullt ligjor që parashikohen nga neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, parimet e përgjithshme të Kodit Zgjedhor. Këto pretendime konsistojnë në shkeljen e parimit për vlerësim të barabartë të votës, në ruajtjen e një standardi në hetimin administrativ, pasqyrimin e vullnetit të çdo zgjedhësi që shprehet me votën e tij.
B) Gjykatës i është paraqitur për shqyrtim një padi e natyrës administrative, për shqyrtimin e së cilës vlejnë rregullat e gjykimit sui generis, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile (nenet 324-333), Kodin e Procedurave Administrative dhe në Kodin Zgjedhor të miratuar me Ligjin Nr. 10019/2008. Në kuptim të dispozitave ligjore të mësipërme, objekt i kontrollit gjyqësor ex post perceptohet ligjshmëria e aktit administrativ të kundërshtuar. Kjo nënkupton verifikimin e faktit të respektimit të kritereve ligjore lidhur me formalitetin e aktit ashtu si dhe disponimin themelor përmes vendimmarrjes. Vlefshmëria e aktit administrativ kushtëzohet me ligjshmërinë e tij.
- Në Vendimin Nr.709, datë 23.05.2011, konstatohet se KZAZ-të janë gjendur pranë mungesës së një procedure uniforme në trajtimin e fletëve të votimit të vlerësuara si më sipër. Ky është motivi që këto lloj fletësh janë vendosur herë në zarfin e fletëve të pavlefshme dhe herë në zarfin e fletëve të kontestuara.
Në gjykim u provua së këto fletë deri me datë 14 maj, moment kur përfundoi votimi i votave për kryetar të Bashkisë Tiranë, janë konsideruar nga numëruesit e të dy subjekteve zgjedhore palë në proces si të pavlefshme, e pas kësaj date janë konsideruar të kontestuara. Siç u konstatua gjatë hetimit gjyqësor, kjo provon faktin e mungesës së shënimeve në librat e protokollit të 11 KZAZ-ve të Bashkisë Tiranë, për fletët e hedhura në kutitë e gabuara deri në datën 14 maj.
Kolegji çmon se statusi i këtyre fletëve, të cilat nuk janë kontestuar më parë, pasi me konsensus janë trajtuar më parë si të pavlefshme, të konsiderohen si fletë të kontestuara të pa numëruara më parë. Këtë qëndrim ka mbajtur KQZ-ja ku në vendimin Nr.709 i ka konsideruar të gjitha vlerësimet dhe vendimet e GN-ve e KZAZ-ve për këto fletë të hedhura në kutinë e gabuara duke i bërë këto fletë pa një status të përcaktuar qartë ligjërisht, duke i dhënë statusin e fletëve të kontestuara dhe të pa numëruara më parë.
Është pranuar se në të gjitha rastet KZAZ-të e qeverisjes vendore Bashkia Tiranë nuk i kanë përfshirë në rezultate këto fletë votimi të hedhura në një kuti tjetër votimi të së njëjtës qendër votimi.
Duke u gjetur si i “papërkthyer" vullneti i zgjedhësve në favor të asnjërit subjekt zgjedhor garues në zgjedhjet vendore datë 08-05-2011 nga KQZ-ja në vlerësim të respektimit të kritereve të nenit 116, 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor ka bërë vlerësimin e tyre, i cili përfshin 117 kuti në 108 QV-të të përcaktuara.
Rezultatet e tyre janë pasqyruar në tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë.
Në respektim të kritereve të zbatuara në nenin 117 të Kodit Zgjedhor në funksion të ushtrimit të parimeve të ushtrimit të së drejtës së votës, të lirë, të fshehtë dhe të barabartë si dhe duke u pranuar nga pala e paditur prej KQZ- së së hedhja e votës prej zgjedhësit në një kuti tjetër të së njëjtës qendër votimi nuk e bën fletën e votimit të pavlefshme janë nënshtruar hetimit administrativ vetëm vendimet e KZAZ-ve lidhur me shpalljen si të pavlefshme të fletëve të votimit, të cilat janë hedhur në kuti tjetër të së njëjtës qendër votimi prej 117 kutish. Referuar gjendjes së faktit, natyrës së votimit të ndodhur në Bashkinë Tiranë, ku zgjedhësi voton me katër fletë votimi, për kryetarin e Bashkisë, Këshillin Bashkiak, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, zgjedhësit duhet të shprehin vullnetin nëpërmjet votës në katër fletë votimi sipas përcaktimeve të nenit 27 pika 4 e Kodit Zgjedhor.
Referuar nenit 122 pika "6" të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e Kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, KZAZ miraton tabelën përmbledhëse të rezultateve të QV-ve të Njësisë Bashkiake përkatëse. Po sipas këtij neni kopja origjinale e tabelës përmbledhëse të rezultateve dhe tabelat e rezultateve për çdo qendër votimi i dërgohen KQZ për të nxjerr sipas nenit 123 të këtij kodi rezultatin në respektim të urdhërimeve të parashikuara nga ligjvënësi.
Në vijim të nenit 123 pika "1" të Kodit Zgjedhor në kushte normale të një procesi zgjedhor KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonat zgjedhore në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse që në rastin konkret janë 11 KZAZ e Bashkisë Tiranë, në përbërje të votimeve 485 QV të miratuara nga KZAZ.
Me këtë logjike juridike, kur KQZ-ja gjatë llogaritjes së tabelës vëren, konstaton mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelat e rezultateve të QV-ve, merr vendim për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit me shifrat e korrigjuara duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit.
Në rastin konkret gjendemi përpara një produkti, Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit, që nuk është produkt i ardhur nga kalimi i këtyre hapave procedurial, por ekstra procedurial dhe që në vetvete mbart një përfundim ku, nga leximi i së cilës (tabelës) rezulton se kemi mos përputhje ndërmjet numrit të fletëve të votimit dhe numrit të zgjedhësve. Nga analiza e këtyre tabelave të administruara dhe të shqyrtuara si prova në shqyrtimin gjyqësor, rezulton se nga shpërndarja e votave të gjendura në kutitë e votimit të kësaj njësie zgjedhore, (sipas tabelës përmbledhëse të rezultatit për kryetar Bashkia Tiranë), kemi një mospërputhje që konsiston në faktin që votat e gjendura në kutitë e votimit të jenë në numër më të madh se numri i zgjedhësve që kanë votuar, duke cenuar parimin një zgjedhës një votë.
Gjendur përpara një mospërputhjeje të tillë matematikore dhe një situate juridike të trajtimit të procesit zgjedhor nga pala e paditur, KQZ -ja me procedura hetimi administrativ dhe standarde të ndryshme, selektive, nga ku rezultati origjinal i 485 QV-ve për 11 KZAZ -të e zonës zgjedhore përkatëse i është nënshtruar aplikimit të procedurave të ndryshme për pjesë të ndryshme të tabelës përmbledhëse të rezultatit. Kjo nëpërmjet hetimit administrativ të kryer prej saj, me ndërhyrje në hetim në 117 kuti, që i përkasin 108 QV-ve, rezultatet e të cilave janë pasqyruar në tabelën Përmbledhëse e Rezultatit për kryetar Bashkie Tiranë.
Nga Kolegji Zgjedhor në analizë të kësaj situate juridike vlerësohet se, në rastin konkret, gjendemi përpara një hetimi të pjesshëm, i cili në vetvete ka prodhuar një tabelë përmbledhëse me mospërputhje në lidhje me shifrat, dhe që nuk pasqyron vullnetin e të gjithë zgjedhësve. Kjo ka ardhur për shkak se është kryer nga KQZ-ja hetim administrativ i paplotë, selektiv, që nuk trajton me të njëjtën procedurë rezultatin origjinal të 485 QV-ve, por mjaftohet vetëm me hetimin administrativ të pjesshëm të një numri të kufizuar kutish, dhe përfshirjen e rezultatit të tij, pra të një pjesë të së tërës, pa ia nënshtruar logjikën e përdorur nga KQZ tabelës përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore në tërësinë e saj. Në rastin konkret KQZ-ja është mjaftuar me ndërhyrjen në pjesë të veçanta të saj duke konkluduar në një produkt me mospërputhje në shifra ku numri i fletëve të votimit nuk rakordon me numrin e vullneteve të shprehura me numrin e zgjedhësve
Veprimi si më sipër i KQZ-së nga Kolegji Zgjedhor vlerësohet si veprim në shkelje të parimeve për një proces të rregullt ligjor që në zanafillë të tij ka mosrespektimin e parimit të barazisë dhe paanësisë, sanksionuar në nenin 42 të Kushtetutës së Shqipërisë, mishëruar në nenin 3 pika "2" të Kodit Zgjedhor në të cilin thuhet se "Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod"
Në nenin 3 pika "4" të Kodit Zgjedhor parashikohet se "Çdo zgjedhës ka të drejtën e vetëm një votë për zgjedhjen e një subjekti zgjedhor". Në zbatim sa më sipër, Kolegji Zgjedhor vlerëson se nga pala e paditur KQZ-ja nuk janë patur parasysh dhe vlerësuar drejt garancitë ligjore të palëve gjatë procesit, kur është lejuar aplikimi i procedurave të ndryshme brenda një procesi zgjedhor e fokusuar në një KZAZ, që ka në përfundim të tij një tabele përmbledhëse të rezultatit me mos rakordim shifrash.
Në vështrim të nenit 138 pika "1" të Kodit Zgjedhor KQZ-ja kur ka pranuar kërkesën e palëve për hetim administrativ, këqyr dokumentacionin dhe materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore dhe / ose kutitë e votimit dhe fletët e votimit si dhe çdo dokumentacion apo material tjetër zgjedhor, veprim i cili është ndërmarrë kryesisht edhe nga vetë KQZ-ja.
Në këtë kuptim hetimi administrativ nëpërmjet hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi i fletëve të pavlefshme apo të kontestuara) pavarësisht faktit nëse ka apo jo shënime në librat e protokollit të KZAZ-ve që reflektojnë mosmarrëveshjet në vendimmarrje në lidhje me këtë fletë, i shtrirë në 117 kuti tashmë duhet të shtrihet në diferencën e QV-ve midis zonës së nënshtruar pjesërisht hetimit administrativ dhe pjesës së mbetur të QV-ve në Zonën Zgjedhore të Bashkisë Tiranë, që përfaqëson 368 QV-ve të patrajtuara me parë, ose dhe më gjerë.
Ky hetim i plotë do të kryhet në të gjitha kutitë e votimit, kutia e votimit për kryetarin e Bashkisë, Këshillin Bashkiak, Kryetarin e Njësisë Bashkiake apo Këshillin e Njësisë Bashkiake dhe do të përfshijë fletët e votimit të hedhura jo në kutinë përkatëse, të veçuara qoftë në zarfet e fletëve të kontestuara apo të pavlefshme (pavarësisht nga vend-ndodhja e tyre, zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme apo të kontestuara). Procedurë kjo e cila është ndjekur nga vetë KQZ për aq sa ajo ka hetuar. Rezultatet e vlerësimit të votave duhet të pasqyrohen në proces-verbalet e mbledhjes se KQZ-së dhe në tabelat përkatëse.
Referuar në pikën "5" të nenit 118 të Kodit Zgjedhor me titull "vlerësimi i votave", në vijim të parashtrimit të procedurave në pikat "1", "2", "3", "4” jepet kuptimi dhe procedimi nga grupi i numërimit për fletët e votimit.
Vetëm nëpërmjet këtij hetimi të plotë administrativ dhe verifikimit të lëvizjes së fletëve të votimit të objekt hetimi administrativ nga një kuti votimi në tjetrën do të mundësohet zgjidhja e mospërputhjes së të dhënave në tabelën përmbledhëse dhe leximin e të gjithave votave pavarësisht se për kë janë hedhur, kryetar Bashkie, Këshill Bashkiak, kryetar Njësie Bashkiake, apo Këshill. Ky hetim duhet t’i shërbejë zbatimit praktik të parimit të barazisë së votës, dhe pasqyrimit të vullnetit të të gjithë zgjedhësve.
Kolegji vlerëson se hetimi gjithpërfshirës i shtrirë mbi numërimin dhe vlerësimin e të gjitha votave të hedhura në kutitë e gabuara, pavarësisht se ku ndodhen ato dhe tabulimi i tyre në tabelën përmbledhëse garanton barazinë e votës, shqyrtimin e barabartë dhe të njëtrajtshëm dhe leximin e vullnetit të shprehur të të gjithë zgjedhësve .
Në vijim sa më sipër, për sa kohë nuk ka një hetim gjithpërfshirës të tabelës përmbledhëse të rezultatit të zonës zgjedhore, Kolegji vlerëson se vendimi Nr.827, datë 02.06.2011 duhet anuluar për pikat "2" dhe "3" të tij, pasi nuk mund të arrihet në një përfundim të caktuar .
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, në mbështetje nenit 158 pika "3" të Kodit Zgjedhor,
VENDOSI
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë së paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë
2. Anulimin e vendimit Nr.827 datë 02.06.2011, të KQZ për pikat "2" dhe "3" të tij, që bëjnë fjalë për rrëzimin e kërkesës ankimore Nr.161 dhe 162 të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë.
3. Anulimin e vendimit Nr.710, datë 23.05.2011, të KQZ dhe vendimit Nr.711 datë 23.05.2011 të KQZ.
4. Urdhërimin e palës së paditur KQZ-së të hapë, rinumërojë dhe rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura (të materialeve zgjedhore) për Bashkinë Tiranë në 368-QV, për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe mbi bazën e tyre të shpallë tabelën përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e Bashkisë Tiranë.
Rrëzimin për pjesën tjetër të kërkesë padisë.
Ky vendim është i formës së prerë.
U shpall në Tiranë më 13.06.2011
Sashenka Jonuzi Kundër
Meriban Mullaj Pro
Dhurata Haveri Pro
Maria Qirjazi Kundër
Astrit Kalaja Pro