Dekreti “Bejleri”, aleatët e Berishës votojnë kundër grupit të PD-së
TIRANË- Rrëzimi i dekretit të Presidentit të Republikës për Manjola Bejlerin, si gjyqtare në Gjykatën e Lartë, ka qenë e vetmja surprizë e seancës së djeshme parlamentare, punimet e së cilës, që prej mungesës së opozitës, janë kthyer në monotone. Kundrejt votës kundër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike (përveç deputetit demokrat Gazmend Oketa), kanë votuar pro katër deputetët e LSI-së, Ilir Meta, Nasip Naço, Lefter Koka dhe Vangjel Tavo. Votën e demokratëve e kanë parë ndryshe edhe dy partitë e tjera aleate të PD-së, PR-ja dhe PDIU-ja. Deputeti republikan Fatmir Mediu ka abstenuar kandidaturën e Bejlerit dhe bashkë me të edhe dy deputetët e tjerë të PDIU-së, Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi. Votës abstenuese i është bashkuar edhe deputeti tjetër demokrat Gazmend Oketa, vota e të cilit tanimë nuk përbën ndonjë surprizë sa herë që në Kuvend votohen kandidaturat e Presidentit të Republikës. Në fund të votimit, Kuvendi vendosi rrëzimin e kandidaturës së Bejlerit me 64 vota kundër, 4 vota pro të LSI-së dhe katër vota të tjera abstenuese. Ndërkohë, nuk dihet ende nëse vota e aleatëve të Berishës për kandidaturën e Bejlerit ishte një qëndrim real apo një lëvizje taktike e tyre, për t’i treguar opozitës se kjo kandidaturë do të kishte shanse për të kaluar, në rast se ata do të ishin në Kuvend. Po dje, Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe asnjë kundër, dy kandidaturat e tjera, që paraprakisht kaluan nga Komisioni i Ligjeve, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi. Procedura e dekreteve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë u shoqërua përmes votimit nominal për secilin prej tyre. Kandidatura tjetër, ajo e Fatmir Hoxhës për anëtar në Gjykatën Kushtetuese, nuk kaloi dje për miratim. Sipas axhendës paraprake të Kuvendit, votimi për këtë dekret të Presidentit nuk ishte përfshirë në rendin e ditës. Në mungesë të gjithë deputetëve të opozitës, dhe të vetmes mungesë të mazhorancës, ajo e Kryeministrit të vendit Sali Berisha, deputetët e mazhorancës miratuan me votim të fshehtë edhe kandidaturën e Alfred Priftit për anëtar në Komisionin e Shërbimit Civil. Kjo kandidaturë kaloi me 71 vota pro dhe vetëm një votë kundër.