E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Basha, sërish fitues i Tiranës edhe pas numërimit

Për Arben Ristanin, rezultati për Tiranën nuk ka më surpriza. “Lulzim Basha do të jetë sërish fitues i Bashkisë së Tiranës, edhe pas numërimit të fletëve të kontestuara”,-thotë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kohën që institucioni i drejtuar prej tij pritet të nisë një proces të dytë numërimi të votave të kontestuara, në 368 qendra votimi. I ftuar në emisionin “Opinion”, Ristani shprehu bindjen e vet personale se vendimi i fundit i Kolegjit nuk e ndryshon rezultatin për Tiranën, bindje kjo që vjen prej shënimeve në librat e protokollit për fletët në kutitë e gabuara. “Për mua, nuk ka më fletë të gabuara, mbi bazën e shënimeve në librat e protokollit për fletë të kontestuara apo të pavlefshme. Nga ana tjetër, numëruesit dhe komisionerët e dinë me saktësi nëse ka fletë të gabuara apo jo”,-tha kreu i KQZ-së. Ai e çoi më tej analizën e tij, duke thënë se komisionerët do t’i kishin dërguar ankesat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në kohën kur ai vetë bëri thirrje, nëse do të kishte vota të tjera të kutive të gabuara, që mund të ndryshonin peshoren e fituesit për Tiranën. Ristani i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për efektet e vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe fletët që do të numërohen. “Nuk do të rivlerësohen të gjitha fletët e pavlefshme. Ne, në procesin e parë kemi parë në tërësinë e tyre çdo fletë të hedhur në kutinë e gabuar. Ndërsa tani do të zbatojmë vendimin e Kolegjit”, - tha Ristani në “Opinion”. Ai shtoi se pritet zbardhja e vendimit të Kolegjit, për të kuptuar nëse do të hapen përveç zarfeve të votave të kontestuara, edhe ato të pavlefshme, për të nxjerrë që aty votat e hedhura në kutinë e gabuar. Po si e cilëson kryeadministratori i zgjedhjeve mospërputhjen e votave me numrin e votuesve? “Diskordanca e shifrave është një gabim njerëzor”, - përgjigjet Ristani, duke shtuar se në të gjithë Shqipërinë ka pasur mospërputhje të shifrave, edhe kur Edi Rama kryesonte në Tiranë me 10 vota. “Fjala vjen, në një qendër votimi, komisionerët kishin shënuar çdo gjë, por kishin harruar të shënonin numrin e zgjedhësve që kishin votuar”, - sqaron ai. Kreu i KQZ-së pohoi se mbyllja e plotë e procesit për Tiranën mund të “hajë” edhe 1 muaj kohë, për shkak të hapjes së kutive dhe një ankimimi të fundit në Kolegjin Zgjedhor. Por a mund të ketë një shteg ligjor për përsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë? Ristani pohon se nuk mund të kemi më ankim për pavlefshmëri, pasi Partia Socialiste ka djegur afatet. “Do të ketë ndryshim të tabelës dhe palët do të bëjnë ankimim. Ankimi do të vijë për atë veprim që ne kryejmë, jo për pavlefshmëri”, - shtoi ai. Një tjetër çështje, e diskutuar në emisionin “Opinion”, ka qenë ajo e kritikave të ODIHR-it për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në raportin përfundimtar të tij. I pyetur se cili do të ishte qëndrimi i tij, nëse raporti për zgjedhjet do t’i drejtonte atij kritika për mënyrën e administrimit të procesit në Tiranë, Ristani u përgjigj se do të jepte dorëheqjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›