Tragetit i këputen litarët, mbyt 2 peshkarexha
Moti i keq ka shkaktuar kaos në portin e Durrësit. Trageti “Aurelia” ka fundosur 2 peshkarexha dhe dëmtuar 4 të tjera
DURRËS- Moti i keq për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi të rëndë në portin e Durrësit. Litarët që mbanin në port një traget të madh janë këputur dhe për pasojë ay është përplasur me dy peshkarexhanë krahun perëndimor të kalatës së peshkimit dhe ka fundosur në thellësi të ujërave anijet e peshkimi. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë edhe katër peshkarexha të tjera. Për fat të mirë, brenda tyre nuk ka pasur asnjë njeri.
Era ka qenë tepër e fortë sidomos në orët e mëngjesit dhe ka shkëputur si të ishin tela të thjeshtë dy prej cimave që mbanin të fiksuar tragetin “ Aurelia “ në bankinën e Terminalit të sheshit të pasagjerëve në Portin e Durrësit. Me këputjen e cimave të kiçit, trageti i madh ka dalë jashtë kontrollit të personelit të lundrimit të tij dhe është rrotulluar si një çekiç në gishtërinjtë e erës duke bërë një xhiro rrethore dhe duke u përplasur. Si pasojë kanë mbetur të deformuara konstruksionet e trasha të hekurave të pjesës së përparme, por kjo sipas dëshmitareve okulare, ka ndihmuar në parandalimin e një përplasjeje më të madhe që mund të ndodhte mes tragetit dhe të gjitha anijeve të ankoruara në kalatën e vogël të portit të peshkimit. Por gjatë rrotullimit të tij, trageti i madh ka zhdukur sa të hapësh e të mbyllësh sytë dy prej anijeve të ankoruara bri me bri me njëra tjetrën. “As tre sekonda nuk ka zgjatur procesi i mbytjes së tyre “ thotë një prej peshkatarëve me sy të skuqur nga pagjumësia dhe nga llahtari i përjetuar.
Sipas peshkatarëve, shpejtësia e erës mund të kishte arritur në basenin e portit rreth 140 km me forcën 7 – 8 ballë. Bujar Mersinaj, pronari i anijes së dëmtuar “ Sevasteri “ thotë se kanë qenë mbi 50 burra në portin e peshkimit, pranë anijeve, duke ndenjur në ruajtje për mjetet e tyre. Kjo sipas Bujarit ndodh, pasi koha e keqe i ka rrezikuar edhe herë të tjera dhe s’i besohet afërsisë me tragetet, pasi ka pasur edhe dy herë të tjera raste të rrezikshme me tragetet që kanë çuar deri në mbytje të mjeteve te peshkimit. Një tjetër peshkatar, Klod Kapiti, thotë se personeli italian i tragetit “Aurelia” duhej të merrte masa që herët për parandalimin e kësaj tragjedie, pasi atyre që në orën 12 e 30 të natës u është këputur zinxhiri i spirancës.
Punonjësit e sindikatës pohuan se dëmet në gjashtë anijet e dëmtuara arrijnë shifrën e rreth 400.000 – 500. 000 Euro. Pas mbytjes së dy mjeteve, anija “Adi” konstatoi se në sallën e motorëve filloi të hynte ujë. Krahas katër anijeve të tjera, më rëndë u konstatua që ishte anija “ El Passo” Pronari i saj kur pa se po mbytej pasi uji po hynte me forcë në sallën e motorëve gjë që tregonte se pjesa e dopio fundeve të anijes kishte marre dëmtime të mëdha, e nxori atë në pjesën e pjerrët të bregut që të mos fundosej plotësisht.