Wollfarth: President nga populli? Nuk është koha, të zgjidhet me 84 vota
Intervistoi: Ilva Tare
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it përmban edhe një sugjerim për të ndryshuar
formulën e përbërjes së Komisionit Qendror Zgjedhor, në mënyrë që të rritet besimi në
pavarësinë e tij dhe për zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana e tij. Cila do të ishte një formulë e mirë për Shqipërinë? Çfarë sugjeroni ju?
Sugjerimin përfundimtar do t'ia lija partive politike të përfshira. Por ndoshta një sugjerim
do të ishte të rishikonim edhe një herë modelet që kanë ekzistuar më parë në Shqipëri.
Modeli aktual lë praktikisht çdo gjë në dorë të dy kampeve kryesore; shtatë anëtarë, të
shtatë të emëruar nga partitë politike. Përpara ndryshimeve në vitin 2008, partitë nuk kishin shumicën. Palë të tjera mund të emëronin, si për shembull gjyqtarët ose Presidenti i Republikës, kështu që përbërja ishte më e larmishme, dhe disa prej zhvillimeve që
pamë gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e 8 majit mund të kishin ndodhur me sistemin
e vjetër. Kështu që ndoshta ia vlen të shohim dhe krahasojmë eksperiencën e fundit me ato të mëparshme, si dhe ndoshta të marrim disa elemente nga modelet e vjetra në mënyrë që të arrijmë në zgjidhje më pak të vetjake.
A keni një recetë të gatshme që mund t'ua sugjeronit politikanëve shqiptarë për formulën
e përbërjes së KQZ-së?
Do ta kufizoja tek drejtimet, të mos lihet në dorë të partive politike, por të
përfshihen edhe institucione të tjera të rëndësishme si Presidenti i Republikës, në
mënyrë që të jenë më tepër teknike sesa për interesa vetjake. Pjesa tjetër i takon
diskutimeve midis aktorëve kryesore.
Në vitin 2012, pra vitin tjetër, Kuvendi do të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës.
Mirëpo, tashmë kanë filluar debate, jo vetëm nëse duhet zgjedhur apo jo sërish Presidenti
aktual, por edhe nëse duhet ndryshuar metoda për zgjedhjen e tij. Në fakt, po debatohet rreth zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, pra, me anë të votës popullore. Sipas mendimit tuaj, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin tonë?
Tani ne ndodhemi më pak se 12 muaj larg zgjedhjes. Kështu që një ndryshim kaq rrënjësor mbase nuk do të ishte i këshillueshëm në këtë kohë. Kjo sepse për të,
ashtu si edhe për kodin zgjedhor, apo për çfarëdolloj reforme tjetër, si ajo gjyqësore apo
edhe e shërbimit civil, do të nevojitej një debat i shëndoshë. Unë e kuptoj plotësisht idenë që Shqipëria t’i bashkohet një numri të madh vendesh të rajonit të cilët e zgjedhin Presidentin me votë të drejtpërdrejtë. Është një ide me vlerë, por gjithashtu duhet pasur parasysh nëse pas këtyre ndryshimeve Presidenti duhet të kufizohet kryesisht në një post protokollar, me funksione, që ndonëse të rëndësishme, do të mbeteshin gjithsesi protokollare, apo nëse atij duhet t’i shtohen edhe funksione të tjera vendimmarrëse, të cilat nuk parashikohen ende në kuadrin e këtij posti, apo që kanë qenë parashikuar dikur në kuadrin e tij. Për sa i përket procedurës siç parashikohet në kushtetutë, duhet pasur parasysh se rregullat e reja nuk janë vënë ende në përdorim, as edhe një herë të paktën, dhe për këtë arsye duhen provuar. Për mua personalisht, nëse më lejoni të shpreh mendimin tim rreth kësaj çështjeje, ajo çka do të dëshiroja të shihja tani është nisja e diskutimeve dhe debateve se kush mund të jetë kandidati apo kandidatët më të mirë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme sepse ky person është numri një i shtetit, ndaj përzgjedhja e tij duhet bërë në një mënyrë jopartizane, mbi nivelin e partive politike, ky, pra, është elementi më i rëndësishëm, dhe për këtë nevojitet një figurë e shquar. Mund të jetë Presidenti aktual, por mund të jetë edhe një kandidat tjetër. I takon popullit dhe partive politike të shohin se kush i plotëson kushtet për të qenë Presidenti i ardhshëm.
Sipas mendimit tuaj, a mos duhet të jetë ky një kandidat konsensual duke qenë se
shumica nuk ka nevojë për ndihmë për sa i përket votave që nevojiten për zgjedhjen e tij... ?
Mendoj se kushtetuta flet qartë në lidhje me këtë pikë, pra, që në tre raundet
e para të votimit nevojitet një shumicë e cilësuar votash. Një gjë e tillë do të dëshmonte
konsensusin e palëve dhe prandaj dua ta ritheksoj atë që e shpreha më herët në formë ftese: kërkoni sa më intensivisht që të jetë e mundur për një apo disa kandidatë të mirë dhe kështu nuk ka për t’u nevojitur raundi i katërt i votimit, i cili parashikon shumicë
të thjeshtë votash dhe aq më pak do t’ju nevojitet një raund i pestë. Rrjedhimisht,
instrumentet ekzistojnë, por gjithçka varet nga fakti se cili do të jetë kandidati ose kandidatët.
Qarkullojnë disa emra në media për këtë detyrë. Ndër ta janë edhe disa emra grash. A
mendoni se Shqipëria është gati për të pasur një presidente grua?
Përse jo, përse jo! Burrë apo grua, kushdo mund të përzgjidhet, mjafton që të
ketë staturën e duhur për këtë post, si dhe të mbajë qëndrim të pavarur mbi palët. Patjetër!
Përsëri, kam një temë tjetër që ka zënë një vend të rëndësishëm në raportin tuaj, çështja
e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe ajo çfarë ndodhi mes parlamentit dhe kandidatëve të propozuar nga President i Republikës. “Kuvendi tani duhet t'i japë një zgjidhje kësaj çështjeje,” thoni ju në raportin tuaj. Cili është komenti juaj për këtë? Cila është zgjidhja?
Kushtetuta ka disa dispozita të cilat, nëse lexohen së bashku, duket se
mundësojnë një zgjidhje, por përsëri do të binte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës
dhe me nevojën për të emëruar gjyqtarët në mënyrën e duhur. Si rrjedhojë, për të arritur një zgjidhje, Kuvendi duhet të bashkohet për të marrë një vendim të përbashkët i cili, në këtë rast bëhet patjetër me shumicë të cilësuar, duke gjetur kështu një gjuhë të përbashkët mes palëve...
Marrë me shkurtime nga emisioni “Tonight”