Marku: Votimi elektronik rrit edhe pjesëmarrjen në votim
Këshilltari i Kryeministrit për axhendën dixhitale, Pjerin Marku, tha se votimi elektronik do të sjellë besim në procesin zgjedhor. Votimi elektronik është një hap për sigurimin e transparencës në zgjedhjet elektorale, - tha ai. Në Shqipëri prej vitesh mënyra e votimit është shoqëruar me debate e konflikte lidhur me besueshmërinë dhe transparencën e tij. Sipas këshilltarit Marku, ky projekt sjell një sërë lehtësirash siç është thjeshtëzimi i mënyrës së votimit, siguria e procesit si dhe teorikisht ka kosto më të lirë. Transparenca e tij do të jetë e pakontestueshme, pasi në këtë votim mjafton të jesh i pajisur me kartën e identitetit mjet ky i pafalsifikueshëm dhe nuk lë hapësirë për mosbesim. Ai tha se kjo mënyrë edhe pse është e dixhitalizuar nuk cenon pjesëmarrjen e grupmoshës seë tretë, pasi procedura është shumë e thjeshtë, mjafton mjeti i identifikimit dhe një e prekur në ekranin e kompjuterit për tia dhënë votën partisë apo figurës politike që dëshiron. Ndërkaq, projekti i ri favorizon një pjesëmarrje më të lartë të votuesve të moshës së re të popullsisë. Lehtësia e tij qëndron dhe në faktin se një ndër mënyrat e aplikimit të procesit kryhet dhe nëpërmjet internetit nga shtëpia e gjithsecilit. Numërimi i votave në këtë sistem bëhet në kohë reale dhe rezultati i zgjedhjeve mund të bëhet publik fare pak çaste pas përfundimit të këtij procesi. Gjithashtu, sipas këshilltarit Marku, çdo hap që kryhet gjatë procesit lë gjurmë në sistem duke garantuar kështu besueshmëri të plotë. Në përfundim këshilltari tha se Shqipëria ka gjithë infrastrukturën e nevojshme për të aplikuar këtë mënyrë votimi. Ajo çka gjithsecili duhet të bëjë, theksoi ai, është hapja e mendjes drejt përparimit të teknologjisë.