Durrësi zhgënjen Ramën
Mitingu i socialistëve, sheshi vetëm me zyrtarët e bashkisë
Pavarësisht kritikave dhe debateve, pavarësisht tensioneve dhe situatës aspak të favorshme në Durrës, pavarësisht dështimit edhe në dy-tre protesta lagjesh, duket se Rama ishte i bindur se mitingu i protestës i paralajmëruar disa ditë më parë do të mblidhte shumë njerëz. Por në fakt, ashtu si edhe në protestat e lagjeve të improvizuara dje, Rama ka pësuar në Durrës zhgënjim. Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë në protestën e radhës, i shoqëruar nga Klosi dhe aleatët Ngjela dhe Zogaj, duke kërkuar edhe njëherë nga sheshi i mbushur me zyrtarët e bashkisë dhe rajoneve që varen prej saj pjesëmarrjen më 30 prill në Tiranë, në mitingun e madh për largimin të kësaj qeverie nga drejtimi i vendit. 1 maj do të jetë festa e largimit të Berishës si Kryeministër, festa e rrëzimit të kësaj qeverie. Lideri i PS është shprehur se kjo është situata e mijëra shqiptarëve, prandaj le të ngrihen së bashku në protesta, në këtë situatë që jeni ju, janë qindra-mijëra njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, në protesta bashkë me ne për ti dhënë fund kësaj historie korrupsioni, kësaj historie vjedhjeje, kësaj historie abuzimi, që i ka rrënjët aty tek ato kutitë e votimit. PS ftoi qytetarët e Durrësit të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet në 30 prill në Tiranë dhe paralajmëroi protesta të pandalshme në të gjitha qytetet dhe fshatrat deri në largimin e qeverisë. Duke e ndjekur në distancë protestën, ish-kryetari i degës dhe ish-deputeti në tre legjislatura, Bardhyl Agasi, u shpreh se ky ishte mitingu më i dobët i socialistëve në 5 vitet e fundit. Kjo padyshim tregon krizën ku ajo është zhytur nga kupola e saj drejtuese, që luftën politike e ka zhvendosur nga Parlamenti në sheshe. Aktualisht Agasi mbetet figura emblematike e socialistëve durrsakë dhe është kërkuar nga shumica e kryesisë të marrë postin e kryetarit të degës. Por emri i tij, edhe pse ka një karrierë të hershme në PS, është kundërshtuar me forcë nga Rama.