E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Mashtrimet qeverisë me buxhetin

Deputeti socialist komenton projektbuxhetin e qeverisë duke u ndalur në zërat e veçantë që prekin qytetarët

TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kundërshtuar projektbuxhetin e qeverisë duke e cilësuar atë si një demagogji të thjeshtë. Deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, ka pohuar dje se kjo qeveri, me sa duket është totalisht e papërgjegjshme përballë shtrenjtimit të kostos së jetesës, përballë rritjes së papunësisë dhe përballë rritjes së varfërisë së shqiptarëve. “Ky Projekt-buxhet tregon se kjo qeveri është e papërgjegjshme përballë përgjegjësisë së saj, për marrjen e masave për minimizimin e efekteve të mundshme të krizës globale financiare, e cila pritet të ketë ndikimet e veta dhe në vendin ton. Në këtë Projekt-buxhet mungojnë masat për përballimin e rritjes së çmimeve dhe krizës së fortë globale financiare. Qeveria na e paraqet këtë Projekt-buxhet të 6 muajve të fundit, që është shprehja më e qartë e dështimeve spektakolare të saj në këta 3 vjet. Kjo qeveri vjen në këtë Projekt-buxhet të fundit më e çoroditur se kurrë dhe për sa i përket rritjes ekonomike, ajo pritet të jetë nga 3.7 – 4 %, sipas FMN dhe mbi 6 % për qeverinë”,- tha Idrizi. Më pas ai shpjegoi se deficiti buxhetor i Shqipërisë këtë vit parashikohet të jetë mbi 50 miliardë lekë, ndërsa borxhi vetëm gjatë këtyre tre vjetëve ka arritur më shumë se 1.3 miliardë dollarë. Por ai pritet që të thellohet edhe më shumë pasi është parashikuar që vitin tjetër të merren edhe 550 milionë dollarë borxh.

Një tjetër pikë në të cilën është ndalur deputeti socialist janë edhe taksat. Sipas Idrizit, biznesit i janë ulur taksat e vjetra por shtimi i taksave të reja ka bërë që shuma për t’u paguar të jetë më e madhe. “Por jo vetëm kaq, por tani biznesit të vogël i duhet të mbajë dokumentacion dhe regjistrime, dhe bilance si biznes i madh. Dhe me ato 200 $ që përfitoi gjatë 1 viti i duhet të paguajë një ekonomiste që do t'i kushtonte më shumë se 200 $ në muaj. U ulën sigurimet shoqërore me 9 pikë, por shumë shpejt me vendim qeverie biznesit iu caktuan pagat referuese dhe numri i punëtorëve, efekti në vend që të ishte në ulje solli 4 miliardë apo mbi 40 milionë $ më shumë në buxhetin e shtetit”,- tha deputeti socialist, Shpëtim Idrizi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›