E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra nga qelia "tradhtoi" Mile Çamin

Një mesazh i shkruar në kartonin e një pakete cigaresh tradhtoi Fatmir Eminin. I forti i lagjes së Çamëve, i njohur me nofkën Mile Çami, ka shkruar me dorën e tij atë që përbën provën më të fortë në duart e prokurorisë, për ta akuzuar atë për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Halo, në vitin 2000.

Deri para pak javësh, policia e Fierit rrezikonte ta linte të pazbardhur dosjen e hapur pas tetë vjetësh për vrasjen e biznesmenit Halo. Por një letër nga qelia, e cila mban autorësinë e Fatmir Eminit, avancoi hetimet dhe çoi policinë e Fierit dhe prokurorinë e rrethit drejt zbardhjes përfundimtare dhe gjetjen e autorëve të ekzekutimit. Nga burimet brenda grupit të hetimit mësohet se pas katër tentativave për "zbërthimin" e Eminit me mjete përgjuese ka qenë neglizhenca e tij ajo që u dha hetuesve një provë të çmuar. Eminit nuk i kishte shpëtuar asnjë fjalë e gabuar gjatë kohës që përgjohej në qeli, edhe pse policia herë pas here i kishte çuar njerëz që e provokonin të fliste për ngjarjen e ndodhur tetë vjet më parë. Por përpara disa ditësh, kur i forti i lagjes së çamëve kishte menduar se nuk ishte më në qendër të vëmendjes, shkroi një letër të vogël. Pak rreshta janë shkruar prej tij në një karton pakete dhe u është dërguar disa të afërmve të Bledar Yzeirit, i cili sipas policisë është ekzekutori i Gjergji Halos, ndërsa urdhërues i vrasjes konsiderohet Fatmir Emini. Letra ka rënë në dorë të policisë, e cila pasi e ka deshifruar ka mundur që edhe nëpërmjet një përgjuesi të sigurojë disa pasazhe të dëshmisë spontane të të akuzuarit, lidhur me ngjarjen. Këto dhe mjaft prova të reja i janë vënë në dispozicion dje Gjykatës së Fierit, e cila ka vendosur masë arresti me burg për Fatmir Eminin, i cili aktualisht është duke vuajtur një dënim prej 22 vjetësh burg për vrasjen e Bujar Sulës (Loshit të Karbunarës) dhe është duke u gjykuar për një tjetër vrasje, atë të Xhevrie Cakës, nënës së Lulëzim Cakës.

Vetë Fatmir Emini, i cili u paraqit dje në gjykatë e ka hedhur poshtë akuzën e tretë për vrasje. Ai është çuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier nën masa të rrepta sigurie. Përveç policëve të Burgut të Peqinit, ku vuan dënimin, për transportimin e tij janë angazhuar edhe 30 policë të Komisariatit të Fierit.

Prokurori Shkëlqim Sinaj ka paraqitur provat para gjykatës dhe ka kërkuar masën e sigurisë me burg për të pandehurin. Kjo kërkesë është pranuar nga gjyqtari Pirro Sota, ndërsa Emini, me anë të avokates Antoneta Çumani, ka kërkuar rrëzimin e akuzave. Mësohet se ai ka thënë përpara gjykatës se kjo është një përpjekje e policisë dhe prokurorisë së Fierit për të gjetur autorë të vrasjes, pa pasur prova. Emini ka pohuar përpara trupit gjykues se ditën që ndodhi vrasja ai është ndaluar nga policia, por më pas është lënë i lirë për mungesë provash. Sipas të pandehurit, akuza ndaj tij është rrjedhojë e një keqkuptimi të lidhjes së tij me inxhinierin e vrarë.

Tashmë, "Mile Çami", i dënuar për një vrasje, është zyrtarisht nën hetim edhe për dy vrasje të tjera të ndodhura në kohë të ndryshme. Ai është dënuar aktualisht me 22 vjet burg dhe në rast se vërtetohet një nga dy akuzat e tjera rrezikon burgun e përjetshëm. Emini, 52 vjeç, u arrestua këtë vit, kur ndikimi i tij në Fier kishte rënë ndjeshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›