Babë e bir në burg se nuk iu bindën policisë
Policia lokale në Tropojë ka ndaluar të dielën pasdite tre persona të një familjeje, babanë dhe dy djem të tij, pasi kishin kundërshtuar me forcë urdhrin për ndalim në një postbllok. Sadri Kërtoçi, 50 vjeç dhe i biri me emrin Tigër Kërtoçi, 16 vjeç nga fshati Muhejan të Tropojës së Vjetër u vunë në prangat e policisë, sepse në rrugën nacionale të Sopotit në kryqëzimin e Tropojës së Vjetër u zunë me grushte me policët. Fillimisht Kërtoçi, sipas policisë, nuk ka zbatuar shenjat për ndalim kur uniformat blu do të bënin një kontroll të mjetit në të cilin ai udhëtonte së bashku me dy fëmijët e tij për dokumentacion, si dhe pajisje dimërore. Policia ka ndaluar Sadriun dhe Tigrin ndërsa ka lënë për ndjekje në gjendje të lirë djalin e vogël të Sadriut, vetëm 14 vjeç. Qëndrimi ndaj uniformave blu në Tropojë jo gjithnjë ka qenë i matur dhe miqësor. Vetëm muajin e fundit janë shënuar dy raste të përdorimit të dhunës ndaj policëve në këtë rreth.