Meta: Respektojmë vendim e gjykatës

TIRANË- Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta deklaroi se qeveria respekton vendimin e Gjyaktës Kushtetuese për pezullimin e paktit detar me Greqinë.
Në një pronocim për mediat, Meta theksoi se edhe nëse mund të jetë në kundërshtim me dëshirën e qeverisë për këtë vendim, ai duhet respektuar. "Mua nuk më shkon të them as që më vjen mirë dhe as që më vjen keq.
Mua më takon të them se do të respektojmë vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse na vjen mirë apo jo, të bindur apo jo, do të shikojmë dhe argumentimin, Por ju e dini që atje janë bërë pyetje të cilat i takojnë dhe Parlamentit, sikurse ishte pyetja që u drejtohej përfaqësuesve të qeverisë: "
Nga niseni ju kur thoni se përse janë të mira marrëdhëniet me Greqinë?" Megjithatë, na pëlqen s'na pëlqen, jemi të bindur s'jemi të bindur, ne respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një vend evropian i cili bazohet në respektin ndaj vendimeve të gjykatave.", - tha dje Meta.
Pavarësisht nga çdo lloj rezervimi, që mund të ketë qeveria në këtë drejtim, sipas Metës, ajo do ta respektojë. Meta hodhi akuza në drejtim të opozitës duke theksuar se lideri i opozitës Edi Rama, është ai që nuk njeh vendimet e gjykatave, që janë marrë për zgjedhjet kur ato bien në kundërshtim me interesat e tij politike, ndërsa në këtë rast, sipas Metës, qeveria është e detyruar të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe nëse asaj nuk i pëlqen.
"Por dallimi esencial midis kësaj mazhorance evropiane për integrim me lidershipin aktual të opozitës aktuale, është pikërisht ky: Ne i respektojmë vendimet e gjykatave edhe kur na pëlqejnë, edhe kur mund të kemi rezerva për to. Kurse ata janë vetëm për ato vendime që u pëlqejnë dhe i injorojnë kur këto vendime bien në kundërshtim me pëlqimet, apo dhe me interesat e tyre të ngushta politike", - u shpreh Meta.
Lidhur me ndikimin që mund të ketë ky vendim në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, numri i dy i qeverisë nënvizoi se marrëdhëniet do të zhvillohet normalisht. Ndërsa shtoi rinegociimi për çështjen e paktit detar do të kryhet duke respektuar ligjin ndërkombëtar të ujërave.
"Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, pavarësisht nga cilido që mund të jetë mendimi dhe argumentimi përkatës, janë marrëdhënie të cilat do të ecin përpara, ashtu sikurse jemi të bindur se zgjidhja e gjithë çështjeve të cilat janë të mbartura nga e kaluara, sikurse është dhe çështja e këtyre kufijve, absolutisht që është një gjë e domosdoshme, aq më tepër për një vend që synon të integrohet në Bashkimin Europian si Shqipëria.
Çdo gjë do të bëhet duke respektuar institucionet e dy vendeve, duke respektuar ligjin ndërkombëtar dhe cilido që do të dëshironte që ky vendim do të cenonte marrëdhëniet mes dy vendeve, jam i bindur se do të mbetet i zhgënjyer", - theksoi ai.
Meta theksoi se qeveria do të mbajë një qëndrim të sajin mbi këtë çështje sapo të njihet në rrugë zyrtare se çfarë argumentesh janë përdorur që Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin për pezullimin e marrëveshjes ujore me Greqinë.