Kur atdhetarizmi ndëshkohej me plumba
Në vend të një kronike me rastin e 98 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare “VATRA”
Rrugën e bashkimit të shoqërive shqiptare që vepronin në SHBA në fillim të shekullit XX e shtroi gazeta “Dielli”, e cila aso kohe ishte gazetë e Shoqërisë “Besa”. Veçanërisht në vitet 1910-12, ideja e bashkimit ishte e nxehtë, por Faik Konica e kishte rrahur problemin e bashkimit të shoqërive që vepronin në Amerikë që në një kryeartikull të botuar në “Dielli” më 29 tetor 1909. Ai propozonte themelimin e një shoqërie të madhe dhe të fortë kombëtare, rreth së cilës duhej të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Sipas ish editorit të gazetës “Dielli”, Refat Xh. Gurazezi, ky propozim gjeti qysh atë kohë bekimin e disa atdhetarëve, por u deshën plot dy vjet që të realizohej, nga që u pengua nga disa që nuk kishin besim tek bashkimi. Kur Kristo Floqi, editori i fundit i “Diellit”, përsa kohë qe organ i Shoqërisë “Besa- Besën”, e ripërsëriti këtë kërkesë, Fan Noli në Diellin e 18 janarit 1912, i përgjigjej editorit se kishte dhe pëlqimin e Faik Konicës për t’u takuar e për të biseduar rreth bashkimit. Noli i thoshte editorit se; ai dhe Konica ishin gati kurdoherë që të merrnin pjesë në bisedimet për bërjen e bashkimit të shoqërive shqiptare, por me këtë kusht: të bëhej një punë e pëlqyer dhe serioze, dhe jo qesharake. Pas shumë debatesh në shtyp e me takime, më në fund u arrit që me 24 Dhjetor 1911 të organizohej mbledhja e parë në Rathbone Hall, 724 Washington St., Boston, Mass. At u bë takimi i parë që i priu bashkimit. Mbledhjen e thirri Shoqëria “Besa-Besën” dhe e kryesoi si çermen Kristo Floqi. U rrahën debate në atë mbledhje për çështjen e bashkimit.Marko Adams u ngrit në atë mbledhje pas debateve dhe propozoi ngritjen e komisionit të bashkimit. Komisioni i zgjedhur në atë mbledhje përbëhej nga: Faik Konitza, At Fan S Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi.Këtij komisioni iu besua bashkërendimi me shoqëritë për problemin e bashkimit. Ky komision bëri disa takime.U diskutuan format e bashkimit dhe qëllimet e shoqërisë së përbashkët që do të ngrihej.
Shoqatat që u shkrinë në federatën “Vatra”/Me 17 mars 1912, në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, në 227 Tremont St., Boston, Mass, u mbajt mbledhja e parë, ku morën pjesë katër anëtarët e komisionit të bashkimit dhe delegatët e shoqërive të ndryshme. Shoqëritë që morën pjesë në këtë mbledhje ishin:”Komiteti Flamur’ i Krujës” i New England-it,”Kombëtare” e Worcester-it,”Mirëbërse” e Syracuse-it,”Mall’ i Mëmëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e New York-ut, dhe “Besa-Besën” që botonte “Diellin”. Më vonë u bashkuan dhe shoqëri të tjera që mbetën jashtë siç ishte Shoqëria e Skënder Beu” e Gary-it Indiana. Sipas Refat Gurazezit, Shoqëria “Mbarësia” e Luarasit kishte dhënë fjalën për pjesmarrje, por delegati i saj nuk u duk, ndërsa”Shoqëria “Mirëbërse” kish zgjedhë delegate At’ Naum çeren, por ai ish i zënë dhe dërgoi në vend të tij, Kostë Kotën. Shoqëria korçare ”Arsimi” u tëhoq mënjanë nga bashkimi për shkak të statusit të saj kulturor. Vendimet e kësaj mbledhjeje janë të shënuara në Rekordin IV dhe mbajnë nënshkrimet e të dy palëve, komisionit të bashkimit; Faik Konicës, Fan Nolit, Kristo Floqit dhe Paskal Aleksit. Nga shoqëritë kanë firmosur delegatët; Elia Tromara,Lambi çikozi, Kristo Kirka,Kostika Treska dhe Kostë Kotta.
Mbledhja e dytë e përbashkët e komisionit të bashkimit dhe delegatëve të shoqërive është mbajtur të dielën e 24 marsit 1912 dhe arriti në këto përfundime: 1- Shoqëria Federale që do të formohej do të kishte dhe gazetën “Dielli”, me konditën që gazeta do të mbahej me të ardhurat e saj nën kontrollin moral të Shoqërisë. 2- Z. Faik Konitza dhe Kristo Floqi muarën përsipër të bënin Kanunoren provizore inglisht tek një avokat i dëgjuar i Bostonit. 3- U votua një shumë prej $25 për shpenzimet e para të Kanunores. 4- Në mbledhjen tjetër do të votohej Kanunorja dhe do të pagëzohej Shoqëria e re. 5- Mbledhja e tretë u vendos që të mbahej të dielën e ardhshme në orën 2-6 pas dreke.
Mbledhja themeluese/Diskutimeve e debateve u erdhi fundi dhe bashkimi po shfaqej në mes shqiptarëve të Amerikës. Vjen 31 marsi 1912 dhe shoqëritë shqiptare e shohin veten bashkë në Federatën Pan-Shqiptare. Refat Gurazezi argumentoi se përdorimi i fjalës federim në vend bashkimit, sikur e çau akullin e mospajtimeve. Në mbledhjen themeltare, Faik Konitza shtroi për bisedim dy emra për ta pagëzuar Shqoërinë; “Parmenda” dhe “Vatra”, e para në kuptimin kulturor, e dyta në kuptimin patriotik, që të mblidheshin rreth saj të gjithë shqiptarët si në një familje, pa ndryshim besimi në mes tyre, si nga ana fetare ashtu dhe ajo politike. Të gjithë pëlqyen të dytën, “Vatrën” dhe ashtu brohoritën për emrinin e ri:Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA. Rekordi i mbledhjes themeltare është shkruar nga dora e Faik Konicës, i cili ishte sekretar i Komisonit të Bashkimit.
Në Rekordin IV, shkruhet: Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e shoqërive, në mbledhjen që mbajtën të dielën e 31 marsit 1912, pasi biseduan çështjen e kanunores, të emrit dhe pagesës së Shoqërisë Federale që do të formohet, morën këto vendime: 1- U votua një shumë prej $ 70.00 për njohjen e shoqërisë nga shteti i Massachusetts. 2-Shoqëria u quajt”Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA”. 3-Pagimi do të ishte $3 për mot dhe $1 për hyrjen e anëtarëve të rinj. 4-Mbledhja tjetër do të bëhej me 9 prill në sallën e Kishës së Shën Gjergjit, ora 6 p.m. 5-çështja që do të bisedohej në mbledhjen pasuese do të ishte Kanunorja.
Në fund të rekordit janë emrat që kanë firmosur. Për Komisionin e bashkimit: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konitza dhe Paskal Aleksi. Pas tyre emrat e delegatëve pjesmarrës:Elia Tromara, Lambi çikozi, Kristo Kirka, Kosta Vasili, Koste Kotta.
Data, 31 mars 1912.
Në takimin e 9 prillit u diskutua një pjesë e kanunores, e cila përfundoi në mbledhjen pasuse (rekordi VII). Mbledhja tjetër u mbajt me 14 prill dhe diskutimet janë të shënuara në rekordin VIII. Pasi u miratua plotësisht Kanunorja, u morën vendimet e mëposhtme:
çdo delegat të sillte në mbledhjen tjetër një raport të plotë, ku të tregonte: 1-Numrin dhe emrat e anëtarëve që përfaqësonte së bashku me kapitalin që kishte shoqëria. 2- Të mbahej një mbledhje me 28 prill për të zgjedhur një komision të hëpërhëshëm të Federatës i cili të vepronte gjerësa të organizoheshin degët plotësisht.
Mbledhja u bë me 28 prill dhe zgjodhi këta zyrtarë të komisionit: Fan S. Noli-sekretar, Lambi çikozi-arkëtar, Faik Konitza dhe Kristo Floqi-organizatorë të degëve, Kristo Kirka-manager i “Diellit”, Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasil-mbikqyrës të gazetës.
Sipas rekordeve të nënshkruara prej anëtarëve të komisionit dhe delegatëve të shoqërive, provohet se VATRA u themelua zyrtarisht me 31 mars 1912 dhe me 13 qershor të atij viti u njoh nga shteti i Massachusetts.
Ndërkohë që shoqëria Besa-Besën, që ishte ndër shoqëritë kryesore që u shkri në Vatër dhe botuse e gazetës ”Dielli” mbledhjen e fundit të saj e ka bërë me 28 prill 1912.Pas këtij takimi ajo dorëzoi gjithëçka në Vatër, gazetën, mobliljet e zyrës, arkën prej $374.85 etj.Kryetar i parë i Shoqërisë Besa_Besën qe zgjedhur Fan S. Noli më 1907, më 1908 Kristo Kirka.Nga maji 1910 e deri më 28 prill 1912 kryetarë të saj kanë qenë Josif Pani dhe Kolë Rodhja, i cili nuk ishte në mbledhjene fundit pasi gjendej i burgosur në Gjirokastër. Komisioni i përkohshëm i Vatrës e bëri mbledhjen e parë me 2 korrik 1912 dhe mori vendimin që Kuvendi i parë i Vatrës të mbahej me 14 korrik të atij viti.Ajo mbledhje ngarkoi Faik Konitzën që të interesohej për përgatitjen e Vulës së Vatrës, Lambi çikozi mori përsipër të përgatiste kopsat me monogramet F.S.V dhe Kristo Kirka të shtypte Kanunoret shqip.
Kuvendi i Parë/Kuvendi i parë i Vatrës u mblodh në Lawrence Hall, Boston. U hap në ora 1 të drekës dhe mbaroi po atë ditë. Në kuvend morën pjesë 14 degë, që u përfaqësuan nga kryetarët e tyre. Kuvendi zgjodhi komisionin e parë të Vatrës: Faik Konitza – sekretar i përgjithshëm i Vatrës dh editor i Diellit, Lambi çikozi-arkëtar i përgjithshëm i Vatrës, Kristo Kirka-manager i “Diellit”, Kristo Floqi,Paskal Aleksi, Vangjel Gjika dhe Josif Pani-kontrollorë. Mirëpo s’kaloi një muaj dhe nisi përçarja mes kontrollorëve. U hoqën Kristo Floqi, Paskal Aleksi dhe Vangjel Gjika, duke u zëvendësuar nga Fan Noli, Andrea Kristo dhe Koli Caknaqi. Kronika vazhdon…
Homazh për vatranët e martirizuar nga diktatura/është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda. Ajo “Vatër” që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar idologjinë komuniste. Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Editori i Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i “Besa – Besën”,krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, delegate i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston, nënkryetar i Federatës më 1915, manager i Diellit më 1912, deputet në Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për ç’kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para, bashkëvuajtsi i tij, poeti Arshi Pipa, do të klithte dhimbshëm: Vdiq flamurtari i moçëm!
çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetar i “Vatrës” më 1916, kryetari i Vatrës më 1918, kryeministri i Shqipërisë, që i kishte dhënë Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri , editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit: “Jepni për Nënën”? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës. Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare.