Loja e hapur e koalicionit opozitar
Petro Koçi/kryetar i PSV91
-Në ndërtimin e garancive të opozitës për të fituar sfidën elektorale të 23 Qershorit organizimi i Koalicionit përfaqëson rëndësi prioritare. Krahas koordinimit programor e politiko-elektoral i cili paraqitet në fushatë dhe synon besueshmërinë morale e qeverisëse në elektorat kërkohet një bashkëveprim pragmatist votëllogaritës. Kodi Zgjedhor fatkeqësisht e ka dobësuar pushtetin e qytetarit mbi politikën dhe qeverisjet duke i dhënë peshë të pamerituar marrëveshjeve politike në përballjen e sfidave të rotacionit politik. Pabarazia e votës dhe pabarazia antikushtetuese e shanseve për tu zgjedhur detyrojnë partitë politike të përzgjedhin aleancat parazgjedhore në raport me ato paszgjedhore. Nga ana tjetër, megjithëse sistemi privilegjon në mënyrë antidemokratike dhe monopoliste partitë e mëdha tradicionale fitorja e zgjedhjeve prej njërës prej tyre nuk mund të arrihet pa ndërtimin paraprak të një koalicioni mundësisht më të gjerë se koalicioni i partisë tjetër. Partitë e vërteta opozitare që e kuptojnë peshën historike të këtyre zgjedhjeve janë ‘të dënuara’ të bashkëpunojnë e bashkëfitojnë. Kjo do të thotë se spektri i bashkë organizimit elektoral duhet të shtrihet tek çdo shpirt politik opozitar dhe te çdo fraksion politik me ndërgjegje kombëtare. Pra Koalicioni ynë Aleanca për të Ardhmen i drejtuar nga PS dhe i provuar me sukses në zgjedhjet e fundit vendore duhet të zgjerohet më tej. Natyrisht që është akoma herët të kemi përgjigje përfundimtare nga parti të tilla si FRD-ja apo AK-ja, por ndërgjegjësimi politik i nevojës historike për krijimin e një fronti antikorrupsion, kombëtar , institucional e rinovues të vendit, duhet të vazhdojë dhe t’i drejtohet jo vetëm lidershipit politik, por edhe qytetarisë dhe shpirtit kombëtar të shqiptarëve. Apeli që PS-ja i ka bërë edhe LSI-së mjafton për të shlyer gabimet e së kaluarës , por nuk duhet lejuar që të interpretohet si një lutje. Tashmë topi është në fushën e LSI-së . Ajo duhet të vendosë sa më shpejt nëse do shkëputet apo jo nga aleanca bashkë qeverisëse me PD-në. Rrëzimi i qeverisë par zgjedhjeve do ishte një investim i mirëpritur në drejtim të LSI-së dhe PDIU-së. Kjo gjasë e kthyer në realitet do mbushte hendekun e krijuar brenda së majtës. Në hartimin e formulës së bashkëpunimit opozita e ka të nevojshme të llogarisë neutralizimin e efekteve të padrejta përjashtuese të Kodit dhe të vendosë parimin e gjithëpërfshirjes. Ky parim nuk mund të shpërdorohet nga servilët e mëdhenj e pushtetit të nesërm që flasin për parti të vogla dhe interesa personale kryetarësh. Rezultatet kombëtare të disa partive të majta në 2009 dhe vota që ato përfaqësonin u përjashtuan në mënyrë cinike nga logjika antidemokratike e Kodit. Kjo nuk duhet të përsëritet në këto zgjedhje. Besoj se garancitë e përfaqësimit të votës në parlament do shërbejnë për ta motivuar në maksimum koalicionin dhe do shërbenin si instrument i pazëvendësueshëm për të realizuar objektivat politike të opozitës.