E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Me 7 mars, kryeministri, me ne mësuesit!

Mësuesi është një figurë e nderuar për vetë misionin që ai ka. Ai përtej detyrës shpesh bën edhe humanin. Për këtë ai duhet nderuar dhe respektuar nga të gjithë. Por që të respektohet nga pjesa tjetër në radhë të parë i duhet dhënë vlerësimi nga çdo qeveri. I parë në retrospektivë arsimi, ku në qendër të tij qëndron mësuesi, mund të themi që ai (mësuesi) ka filluar të vlerësohet më shumë pas vitit 2005. Ky vlerësim filloi menjëherë  pas krijimit të qeverisë ku u bë rritja e pagës së tij. Kjo rritje vazhdoi vit pas viti. Të gjithë mësuesit jemi koshientë që shpërblimin e 5 përqindëshit e kemi marrë vetëm në këto vite të kësaj qeverisje dhe vite më parë as e kemi ditur që ai ekziston. Po ashtu, pasurimi, krijimi i laboratoreve te kimisë e fizikës; pasurimi i bibliotekave të shkollave; krijimi i laboratorëve të informatikës dhe laboratorëve virtualë, të cilat lehtësojnë  mësuesin në mësimdhënie flasin vetë për një vlerësim të arsimit në tërësi dhe mësuesi në veçanti. Finalja është kur në shkollat tona, këtë javë, është instaluar interneti, një reformë dikur e pabesueshme për t’u realizuar për shumë, por në 2009 u kthye në realitet. Duke vlerësuar këto reforma, mësuesit, pa dallim bindjesh, morën pjesë në takimin që kryeministri i vendit organizoi me rastin e 7 marsit, me mësimdhënës të të gjithë Shqipërisë, për të nderuar e respektuar këtë figurë të nderuar.
Të njëjtin takim e ka organizuar çdo 7 mars, pas 2005.
Në fushatën e 2005, kryeministri Berisha vuri si prioritet arsimin. Duke iu referuar fakteve të sipërpërmendura, por edhe shumë të tjera që s’po i rendis, mund të themi se kryeministri në këtë ditë dilte përpara mësuesve krenar, i mirëpritur dhe i mbështetur. Këtë e tregoi edhe pjesëmarrja e një numri të jashtëzakonshëm mësuesish në këtë takim. Kryeministri premtoi për çuarjen e mësuesit në piedestalin që i takon. Duke parë edhe mbështetjen që kreu i ekzekutivit mori në këtë 7 Mars nga mësuesit, duhet që qeveria që ai drejton të vazhdojë me shumë përgjegjësi të tjera reforma, që vërtet premtimi i dhënë në këtë ditë të bëhet realitet.
Le të vazhdohet rritja e pagës së mësuesit, pasi ai duhet motivuar, sepse e meriton vërtet, për punën që ai bën.

Autorja e letrës është drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Xhezmi Delli” në Tiranë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›