Letra/Rruga e shkurtër e protestës së Ramës drejt dhunës antishtetërore
Larg Atdheut, në prag të festës së 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë Kombëtare, ndoqëm me vemendje protestën – siç u tha – triditore, të organizuar nga qendra e PS, me rreth 3000 aktivistë të degëve të saj në rrethe, me nëpunësit e bashkive socialiste dhe ithtarët e partisë. U vu re se nisi me bujë dhe mbaroi me turp. Bulevardi më i bukur i Shqipërisë, Dëshmorët e Kombit, zhurmoi nga klithmat dhe sharjet prej rrugaçësh të drejtuesve të protestës.
Qysh në ditën e parë nga të gjithë u pa se në tribunën e menduar mirë nga ustallarët e thinjur, e vendosur ndërmjet ish-KQ të PPSH dhe Kryeministrisë, kryesorët ishin tre komunistë të bindur: Gramoz Ruçi, ish-zyrtar i lartë i sigurimit, vrastari i rinise shkodrane më 1991 dhe komandant i rebelimit komunist më 1997; Skënder Gjinushi, ish-ministër i Arsimit, besnik i R.Alisë, armik i studentëve liridashësh dhe kundërshtar deri në fund i pluralizmit demokratik, rebel i vitit 1997; Namik Dokle, ish-kandidat i KQ PPSH, propagandist komunist i ngarkuar nga R Alia, të sulmonte Partinë Demokratike të sapokrijuar, me anën e gazetës “Zëri i Popullit” me shpifjen e vjetëruar me “bej, agallarë dhe ballistë etj”. Pas tyre rreshtoheshin çunat e Bllokut, Edvin Rama, kryetar i mundur i PS, i biri i Kristaq Ramës, firmëtar dënimesh politike, Ilir Gjoni, i biri Xhelil Gjonit, krahut të djathtë të R.Alisë, Ditmir Bushati, i biri Sulejman Bushatit, ish-anëtar i KQ PPSh dhe sekretar komitete partish. Si rrodhe pas këpucës, marshuan edhe humbësit Nard Ndoka me Spartak Ngjelën, mbrojtësit e të korruptuarve dhe vjedhësve. Ishte e pranishme edhe ”Lëvizja Mjaft” e E. Veliajt të mundur, me simbol pëllëmbën e kuqe flakë, me pesë gishta si ylli komunist. Binin në sy pleq, të rinj, madje edhe fëmijë, të mbledhur me autobuzë nga qytetet e fshatrat, me shtatet plot shëndet, të veshur si s’ka më mirë, ndryshe nga vitet e diktaturës. Mes tyre nuk mungonin as kasketat e vjetra, banorë të Tiranës së Re, të ngazëllyer nga kujtime nostalgjike e bëmat kundër “armiqve të popullit”, në hetuesitë e tmerrit, në plotone pushkatimi, burgje dhe kampet e vdekjes, për mbajtjen në fuqi të sistemit komunist.
Në çastin kur fjalën i pari e mori Gramoz Ruçi, u kuptua se kryetari i vërtetë i PS, është ai vetë, me tërë egërsinë e njohur, për mospranim rezultatesh votimi, autori i vërtetë i bojkotit antikombëtar me synime të largëta, prishës i qetësisë në punën e shqiptarëve, ndërsa Edvin Rama, i caktuar prej tij, nuk është tjetër veçse një lolo me këngë urlatorësh e fjalë boshe, me probleme mendore dhe interesa vetjake. Prapa tyre fshihet peshku i madh, frymëzuesi, sado i plakur, R Alia tok me të, edhe plaka e zezë N. Hoxha me libra dhe intervista.
Edhe gjatë këtyre ditëve qarkullon një trakt i kuq, i hedhur në internet nga një penë e mprehtë e nivelit akademik, që fshihet o brenda o jashtë vendit. Autori manipulon dhe me fraza patriotike. Një prej shkrimeve i përket vitit 2007, siç duket me rastin e 10-vjetorit të rebelimit komunist. Për më tepër ai dëshiron të bëjë të njohur dhe poemën “Nënë Shqipëri.” Sipas tij,“Flaka” ishte e bukur si hëna, ajo ishte Nexhmije Xhuglini (Hoxha) që ndër të parat vajza shqipëtare kishte rrëmbyer armët për të realizuar premtimin e Botës së Re, kundër botës së vjetër e të kalbur së cilës i ka ardhur fundi i pashmangshëm”. Pra, s’është e papritur, kur R.Xhunga e “Shekullit” bisedon përzëmërsisht me N.Hoxhën, apo aktivistët e E. Braçes që edhe në vitin 2009, ndyjnë muret e Mangalemit të lashtë, me parullën në ngjyrë të kuqe “Lavdi Enverit!”. Më tej lexojmë se tek “vizita e Bushit në Tiranë, nuk fshihet vetëm tradhëtia kombëtare ndaj Shqipërisë (dhe Kosovës), por edhe një komplot i rrezikshëm kundër popujve të Ballkanit”. Kjo të kujton sajimin e kllounëve televizivë të Edvinit, ku fyen popullin tonë, pas pritjes së ngrohtë të presidentit amerikan në Tiranë dhe në Fushë Krujë. Autori komunist i shkrimit mandej shpjegon se“Fuqitë e mëdha imperialiste luajnë përgjakshëm në Ballkan. Ata nxisin dhe shfrytëzojnë shovinizmin, nacionalizmin e egër... Në sistemin kapitalist fajtorët e vërtetë, kanë pushtetin…Prandaj duhet të organizohemi, të rrezistojmë e të luftojmë për ta përmbysur këtë system,, rrugë tjetër nuk ka!” Në fund e mbyll me thirrjen: “Larg duart nga Shqipëria! Rroftë miqësia midis popujve të Ballkanit!”. Kushdo e kupton se këto thirrje ngjajnë pak a shumë me protestat e Ramës, kur Shqipëria ishte në pragun e anëtarësimit në NATO, apo tani në prag të kandidaturës për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ashtu siç u shpreh shoku i vet Ditmir Bushati se “Tani nuk është momenti i duhur për qeverinë shqiptare që të paraqesë kërkesën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Jo më kot kryeministri suedez Karl Bildt, vendi i të cilit udhëheq presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, në një diskutim është shprehur se vendet e Ballkanit Perëndimor ndër to edhe Shqipëria kërcënohen ethshëm nga grupime destabilizuese që synojnë destabilizimin e rajonit dhe kthimin e tij në një arenë konflikti dhe trazirash.
Pra, veprimet e nëndheshme të komunistëve, nisin me trakte e shpifje gazetash, vijojnë me protesta, në fund me armë, përgjakje dhe grabitje. Pra, edhe ultimatumi i Ruçit e Ramës atje synon, marrjen e pushtetit me dhunë! Urrejtja e egër, sharjet folklorike, përplasja e këpucëve në muret e Kryemistrisë, akte të qarta terroriste, ishin të barasvlefshme me hedhje bombash, apo arrogancën sllave. Aq më keq ndotja me vërvitje vezësh, dhuruar nga biznesmenë mafiozë, një veprim ky, i dënueshëm nga zakonet tona për hedhjen e bukës apo ushqimit përtokë. Veç këtyre vandalizmave, ndotja e mjedisit tri ditë me radhë, madje natën, braktisja e zyrave shtetërore me bredhje poshtelart nëpër mitingje provokative, paralizimi i trafikut rrugor, edhe në vendin më demokratik të botës, siç është Amerika, jo vetëm nuk lejohet, por dënohet rreptë. Pra, protesta nuk qe aspak paqësore ashtu siç këshilloi ambasadori amerikan, për më tepër as ultimatumi. Shtypi dhe media e merove, ashtu si gjatë pesë viteve të fundit edhe këtë herë dështuan keq. Truket televizive, sajimet e pështira, shpifjet imorale dhe provokimet tinzare i shërbyen një kauze pa të ardhme. Faktet folën ndryshe. Nëse shtypi kërkon lexues duhet të thotë të vërtetën. Shqipëria sado me probleme të trashëguara nga e kaluara, pak nga pak, po lulëzon.
Tashmë ka ardhur koha, kur socialistët e vërtetë, duhet të mendohen thellë dhe të distancohen nga komunistët e rrezikshëm të cilët kërkojnë ta kthejnë historinë mbrapsht me gjak. Në këto çate kur Shqipëria ndodhet para ngjarjeve historike për të ardhmen në gjirin e Europës së bashkuar, deputetët e ndershëm socialistë, pasi të hyjnë në Kuvend, të bashkëpunojnë seriozisht për zgjidhjen e problemeve, që shtrohen për të mirën e njerëzve tanë. Mesazhet miratuese që vijnë nga Europa dhe Amerika premtojnë ditë më të ndritura.