Hipokrizia e pafundme
Ka pothuajse njëzet vjet që politikanët shqiptarë pretendojnë që janë larguar nga çdo hipokrizi totalitariste, çdo falsitet honirik, çdo dyfytyrësi arabeske dhe të kenë vendosur një standard në kërkimin me çdo fjalë të udhës së vërtetës së ndershme. E kundërta është e vërteta. Përpos nuk është e vërteta lakuriqe që mund të mendojë ndokush në këtë kohë lakuriqësie politike.
Kuptohet vetiu, se ka disa ditë që përballemi me një “neurozë” të njohur mediatike të krijuar ad-hoc, me pak fjalë të sakta, si të gjitha gjërat që krijohen në politikën shqiptare, artificialisht. Porsi “një neurozë është një sekret që nuk dimë ta mbajmë” për të perifrazuar kritikun teatral Kenneth Tynan. Veçse sajesa që po ushqejnë nuk është gjë tjetër përveçse dëshira perverse, gati maniakale, për të qenë kurdoherë prezent në bisedat, debatet, forumet e ndryshme që kanë shqiptarë kanë përpara kafesë alla-turka. Në këtë trullosje masive më befason fakti sesi përballet fuori-clasi “Bashkim Hoxha” çdo mëngjes me një popull telefonues, që kërkon të zhbirojë krevatet e politikës, në vend që të kërkojë sa më shpejt një mirëqenie ekonomike, kushtet elementare të qytetarisë civile, viza për të takuar bijtë e tyre që po lënë leshtë në perëndim, etj.
Mirëpo në të vërtetë, ne, patëm rastin të asistonim në një protestë pa kauzë morale a ligjore, siderale, ashtu të lyer me një sindromë papërgjegjshmërie etike, me qëllimin real për të farkëtuar një krizë artificiale politike; e gjitha kjo në momentin kur kërkohen një paqe sociale dhe një bashkëpunim sa më i gjerë politik, në parlament, për reformat si në sistemin e drejtësisë, ashtu në sistemin fiskal, por edhe në atë të përgjithshëm në modernizim e administratës shtetërore. Sfidat madhore që kërkon vendi nuk janë njësoj me sfidat që po luan politika. Reforma në sistemin fiskal do të çlironte një energji të re në këtë kohë krize që ka kapluar financat e shteteve më të mëdha oksidentale. Reforma në Drejtësi me krijimin e një gjykate administrative do mund të çlironte frikën në sipërmarrjen e lirë të një biznesi, të një gjobëvënie permanente ndaj bizneseve të vogla e të mesme, një reformë që do mund të krijonte mekanizmat e kontrollit më efiçent në dhënien e dënimeve sipas ligjit, që shpesh herë janë në kundërthënie me kodin penal e civil. Reforma në modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve të administratës shtetërore është një aspekt që nuk është akoma i vlerësuar në masën e duhur. Një reformë e tillë do mund të çlironte nga kapja e korrupsionin shumë arterie të sistemin administrativ. Në këtë kuadër kërkesë për reforma është e vakët duke parë vakuumin që ka krijuar opozita në parlament. Politika që ka mishëruar hipokrizinë jokoherente, duke përdorur manipulimin e njerëzve të tjerë (deputet/e, media, intelektualë, gazetarë) në mbajtjen e një figure sa më pozitive të vetvetes tek të tjerët apo për vetveten në ceremoniale, hidhërime, dasma etj.
Ndërkaq politika merret me një betejë morale që si çdo herë nuk ka një fund të përcaktuar, as të paracaktuar, qytetarët e Shqipërisë në prag të ndërrimit të viteve presin akoma një shtet efiçent, që të zgjidhë të gjitha ngërçet - apo bastunet nën rrota - që privatë dhe far-west-i ligjor po ngadalësojnë aspiratën legjitime të shqiptarëve të kenë një model shqiptar në Shqipëri, dhe jo në Shqipëri në Evropë. Pasi toka nuk lëviz, por ligjet po.
Në këtë vizion pesimist, kam vënë re edhe një seriozitet optimist nga ana e përfaqësisë së huaj në Shqipëri, që nuk na konsiderojnë më si njerëz me minoritet intelektual, por të denjë që t’i zgjidhim vetë problemet që kemi në disa fusha. Kjo shpreh qartë e që thonë se trendi i protagonizmit në politikën shqiptare nuk bëka curiculum.