E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e PS, “Dua të shoh votën time” edhe në Athinë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partia Socialiste nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për hapjen e kutive të votimit. Pikërisht për këtë arsye ajo do të organizojë sot një tjetër protestë, por këtë herë jo në Shqipëri, por jashtë kufijve. Athina do të jetë ndalesa e radhës e protestave nën moton “Dua të shoh votën time”. Dega e PS-së në këtë qytet ka bërë njoftim duke ftuar të gjithë emigrantët të bëhen pjesë e këtij reagimi qytetar. Protesta, e cila do të zhvillohet në 17:30, është caktuar pikërisht para godinës së OSBE-së në këtë qytet ku pritet të ketë dhe një mbledhje të krerëve të diplomacisë së vendeve evropiane për çështjen e sigurisë në rajon. Burimet nga PS sqarojnë se ndërkohë është marrë dhe leja e nevojshme nga organet e rendit publik.

Protesta

Ministrat e Jashtëm evropianë do të njihen sot dhe me kërkesat e socialistëve shqiptarë për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Kjo do të bëhet e mundur nga një protestë që PS zhvillon sot në Athinë pikërisht para godinës së OSBE-së, ku Dhimitris Dhrucas për presidencën greke të Organizmit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), por edhe për Samitin e ministrave të Jashtëm që zhvillohet në kryeqytetin grek sot dhe nesër me temë “Siguria në Evropë”. Duke u referuar në Samitin ministror të OSBE-së, ministri Plotësues i Jashtëm ka pohuar se bëhet fjalë për organizimin më të madh në Athinë pas Lojërave Olimpike të Athinës në vitin 2004, ku do të marrin pjesë më tepër se 50 ministra të Jashtëm. Duket se PS e ka llogaritur mirë këtë fakt për ta bërë sa më prezent atë që ajo e quan problemin e madh të funksionimit të demokracisë në vendin tonë, votën e lirë. Marrëdhëniet e mira mes Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe PASOKU-t, e cila doli fituese në zgjedhjet e fundit në këtë vend, janë një tjetër faktor që ndikon pozitivisht në mundësitë që i krijohen PS-së për të përcjellë shqetësimet e saj edhe në vendin fqinj. Presidenti i Internacionales Socialiste, Jorgo Papandreu, ka qenë në Shqipëri në mbylljen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 Qershorit dhe ka siguruar mbështetjen e tij. Në takimin që pati me socialistin Rama, Papandreu theksoi se ka ardhur koha që në Shqipëri të ndërtohet një shoqëri e drejtë mbi parimet e punës dhe ndershmërisë. Ai premtoi gjithashtu se, nëse vinte në pushtet, do të siguronte mbështetje ligjore në arsim e punë për emigrantët, ndërsa fëmijëve shqiptarë që lindin në Greqi, do tu jepej nënshtetësia. Nga ana e tij, Rama theksoi se PS ka një bashkëpunim shumë të mirë me Internacionalen Socialiste, e cila ka dhënë ndihmesën e saj për hartimin e programit qeverisës.
Pak ditë më parë, PS kulmoi protestat e saj në kryeqytet pas një turi disajavor në qytetet kryesore të vendit. Protesta e 20 nëntorit përcaktoi edhe afatin për një përgjigje nga ana e Qeverisë. Në fjalën e mbajtur në këtë miting paqësor, i cili u zhvillua para Kryeministrisë për plot tre ditë me radhë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit, ndryshe paralajmëroi ai, Berisha do të detyrohet të ikë me anë të zgjedhjeve të parakohshme. Ai caktoi afatin 10-ditor si kohën e nevojshme në dispozicion të Qeverisë për të reflektuar lidhur me këtë protestë. Nëse pas këtij afati nuk do të ketë reagim, socialistët kanë paralajmëruar përsëri nisjen e protestave, por këtë herë jo për të hapur kutitë e votimit, por për zgjedhje të parakohshme.

Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›