Edi Rama, kryesuesi i mafies më të rrezikshme në Tiranë
Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar për zbatimin me ashpërsi të ligjit ndaj zinxhirëve të mafies politike në Shqipëri, e cila kryesohet nga kryetari i PS-së. Shpronësimi i segmentëve mafiozë dhe zbatimi i reformave që e afrojnë vendin në BE, një aksion i rëndësishëm që s’mund të ndalet nga Haxhiqamili i shekullit XXI
Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur dje gjatë një konference për shtyp nga Kryeministria, lidhjet mafioze të kryesocialistit dhe njëherazi kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Kreu i qeverisë paralajmëroi se nuk do të heshtë kurrë para akteve të papranueshme dhe njëherazi të dënueshme të Edi Ramës. Berisha theksoi se denoncimi i bërë pak ditë më parë në parlament është në mbrojtje të vlerave të shqiptarëve.
“Kam bërë detyrën time në mbrojtje të nënave, bashkëshorteve dhe motrave shqiptare kundër dhunës në familje”, u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit përsëriti edhe një herë, se daljet nudo të Ramës në plazhet publike nuk janë gjeste normale. “Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk i pranon këto akte të shëmtuara të tij”, tha Berisha. Kryeministri e cilësoi Edi Ramën si përgjegjësin kryesor që po bllokon opozitën dhe futjen e saj në parlament.
Sipas kryeministrit, Rama duke parashikuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme, tentoi edhe mospjesëmarrjen e PS në to. “Edi Rama ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të mos hyrë në zgjedhjet e 28 Qershorit. Unë u jam shumë mirënjohës qeverive të vendeve mike për presionin që u bënë në kohën e duhur”, tha kryeministri.
Më tej, Berisha u shpreh edhe njëherë se Rama mbart lidhje të rrezikshme me grupet mafioze në kryeqytet.
“Edi Rama kryeson mafien më të rrezikshme në kryeqytet. Kryeministri Sali Berisha gjithashtu ka akuzuar kreun e PS, Edi Rama se është kryemafiozi i kryeqytetit. Ai është shefi i lavatriçeve të parave të pista, ndërkohe që ka lidhje me bandat kriminale. Vetëm Mafies nuk i intereson anëtarësimi në BE, vetëm Mafia nuk do bashkëpunim me ndërkombëtarët, ndaj darët e ligjit do të bien në dhëmbët e mafiozëve. Mafia ka vetëm interesa personale”, deklaroi kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kryeministri iu referua edhe djegies së afateve kushtetuese të deputetëve socialistë, për mos prezencën e tyre në parlament. Sipas kryeministrit, kjo nuk përbën asnjë problem, pasi me përfundimin e afateve, në bazë të ligjit në kuvend do të hyjnë emra të rinj. “Në përfundim të afatit 6 mujor nga mungesa e deputetëve të PS, sipas ligjit emra të rinj do hyjnë në Kuvend. Kushtetuta dhe ligji do të zbatohen, deputetët do të zëvendësohen. Janë të mirëpritur të zgjidhen ata që e meritojnë. Rama po mban jashtë 64 deputetë”, nënvizoi kryeministri.
Lidhur me ftesat për bashkëpunim me opozitën, kryeministri u tregua i gatshëm për çfarë do lloj bashkëpunimi në të mirë të vendit dhe aspiratave integruese.
Shefi i qeverisë bëri këtë dalje para mediave, për të lajmëruar shtyrjen e Kongresit të Partisë Demokratike për në 14 dhjetor.
Sipas Berishës shtyrja bëhet për një qëllim konkret që është ai i vizitës në Vatikan që do të bëjë kryeministri i Shqipërisë ku do të takojë Papa Benediktin e XVI.
Fjalimi juaj në parlament, në seancën e të ditës së enjte, ka shkaktuar reagime zinxhir nga opozita. A keni ndonjë koment lidhur me këtë?
Unë shpreh vetëm keqardhje, sepse unë jam ndalur dhe, në mënyrë absolute, pa asnjë refleks sentimental personal, në disa akte madhore të turpshme, primitive, të pa pranueshme për çdo njeri të qytetëruar, shqiptar ose jo shqiptar, të realizuara nga kryetari i opozitës. Unë gjykoj se qëndrimi tim, është një detyrim madhor moral dhe një mbrojtje e nënës, e vajzës, e motrës, e gruas shqiptare. Absolutisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë qëllim tjetër. Por zëri im, absolutisht nuk do të mund të heshtte para akteve të tilla. Në rast se një qytetar i thjeshtë do të kryente këto akte, çfarë do të thoshin këta zotërinjtë që bëjnë gjethen e fikut? Por, kur këto i kryen një personalitet publik, të derdhësh lot krokodili se nuk është shëmtia e akteve që duhet dënuar, por denoncimi i tyre, atëherë zoti të mëshiroftë shpirtin dhe normat që ke. Ne jemi shqiptar, për atë që i thotë nënës nënë, motrës motër, bashkëshortes bashkëshorte, vajzës vajzë, ato janë gjërat më të pa pranueshme. Pra, këtu bëhet fjalë për një akt nga më makabrit, i dënueshëm në çdo vend të lirë të botës, edhe me ligje. Ka plazhe të caktuara, për arsye të caktuara, ku mund të shkosh, por jo në plazhet publike. Privatizimi është në dhomën e gjumit, në shtëpi, por ata që pretendojnë për privatizëm në plazhet publike, ata tallen me veten e tyre, sepse qytetarët e dinë këtë.
Ju thoni se kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i PS-së, drejton mafien e Tiranës...?
Mafien më të rrezikshme. Kthehuni pak pas në kohë. Kur kam qenë në opozitë, kam deklaruar se kjo është lavatriçja më e madhe e parave në Ballkan. Të jeni të bindur se e kam bërë me bindjen time më të thellë. Unë e di se secili prej jush mund të më thotë se çfarë bëre ti katër vjet. Por mos harroni një gjë, ndodhën disa procese, se shefi i lavatriçes së parave të pista dhe i mafies së kryeqytetit, u bë kryetari PS-së. Ju ftoj të bëni një investigim, mos hezitoni, sepse është në interesin tuaj dhe të vendit. Akti i parë në vitin 2006, ka qenë që ai ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Kjo është e dokumentuar. Ai e bëri me qëllimin e vetëm për të më treguar mua se procesi elektoral është mburoja ime dhe, në qoftë se ti mban pikëpamjet që ke pasur, harroje se unë hyj në zgjedhje. Kurse unë kisha zgjedhjet si mekanizmin themelor të një shoqërie të lirë dhe duhej t’u faktoja shqiptarëve se cili ishte Sali Berisha për zgjedhjet, i cili kishte bërë zgjedhje në korrik 2002, i kishte humbur dhe i kishte pranuar, kishte humbur referendumin dhe e kishte pranuar. Në 96-ën ia thyen vazon, sepse u larguan 2 orë para.
Pavarësisht se faktori ndërkombëtar i apelon opozitës për të ndaluar bojkotin, nga zoti Rama nuk ka asnjë lloj reagimi. A keni ndonjë koment lidhur me këtë?
Ne mbetemi të hapur. Opozitës i kemi bërë ofertën tonë që është e sinqertë, është shumë e ndershme. Por kam bindjen më të madhe se teza ”nuk na duhen ndërkombëtarët sepse do të qeverisim vet”, është quint esenca e botëkuptimit, qëndrimit, mendimit të mafies, të klanit mafioz që zoti Rama drejton. Zotëri; të thuash sot se “nuk më duhen ndërkombëtarët”, në një kohë kur nëse nuk do votonin 27 qeveri ndërkombëtare, ty nuk të pranohej ftesa për anëtarësim në BE, ndërkohë që anëtarësimi në BE është projekti ëndërr i 94 për qind të shqiptarëve, në qoftë se ti nuk i do ndërkombëtarët, shqiptarët i duan dhe mezi presin heqjen e vizave, e cila është tërësisht në duart e ndërkombëtarëve. Dje vizitova disa familje. Thënia “nuk na duhen ndërkombëtarët”, ndodh sepse mafia ka vetëm interesa kriminale. Cilat janë këto interesa? Janë pushtimi i trojeve, fshehja e taksave, evazioni i madh, mbytja e konkurrencës, etj. Mirëpo këto gjëra kanë marrë fund. Ne kemi shpallur si përparësi absolute; “darët e ligjit” për dhëmbët, dhëmballët dhe nofullat e mafies. Dhe unë sërish u them atyre që i trishtoi kjo fjalë, në rast se nuk ndiheni mafioz, mos protestoni ndaj kësaj, sepse në këtë shprehje është fjala ligj pas. Unë them “darët e ligjit”. Kam thënë “gërshërët e ligjit” për zyrtarët që fusin duart në xhepat e qytetarëve dhe e kam faktuar këtë. Po them tashmë “darët e ligjit”për bosët e mafies dhe anëtarët e klanit mafioz. Sigurisht, ju duhet ta dini se në Tiranë është e vendosur mafia më e rrezikshme në Ballkan dhe në Europë. Ne bëmë betejë me Aldo Baret, bëmë betejë me Lul Berishët e të tjerë, por kam pasur një vështirësi shumë të madhe që ka qenë mafia e Tiranës. Dhe dua të rrëfej këtu dhe t’ju kërkoj ndjesë qytetarëve se, në rast se unë jam detyruar tani t’i përparësoj gjërat, kjo jo se unë kam pasur lëkundje të vullnetit tim për të luftuar mafien, kurrën e kurrës. Por mbi të gjitha, kam konsideruar detyrën time më madhore zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Për të bërë këto më duhej me çdo kusht që Edi Rama të hynte në zgjedhje. Edi Rama nuk donte kurrë të hynte në zgjedhje. Ju jeni dëshmitarë se çfarë bëri në vitin 2007. Mirëpo mua ma kishte “thyer njëherë vazon”, duke mu larguar nga zgjedhjet 2 orë para, në vitin ’96. Nuk ishte çështja personale, por ishte çështja e vendit, çështja e juaj, çështja e çdo qytetari shqiptar. Ndaj unë, e dija se ky zotëri, çdo qëndrim timin do ta përdorte për të mos u futur në zgjedhje. Ju mund të më thoni se punë e madhe po nuk futej ai në zgjedhje. Përse ti paske toleruar këtë mafie? Jo, ishte gjëmë e madhe nëse ai nuk futej në zgjedhje. Atëherë çfarë bëra unë? Unë zgjodha sovranin.
Shefi i ekzekutivit për Gramoz Ruçin: Turpi i bojkotit të ’96-s, iku në Greqi i veshur me minifund
Kryeministri zbardhi dje një tjetër skenë imoraliteti, teksa në vitin 1996, kreu i Asamblesë Kombëtare socialiste, Gramoz Ruçi, ikën nga sytë këmbët drejt Greqisë i maskuar me rroba grash, duke përdorur për këtë edhe minifunde
Kryeministri i vendit Sali Berisha hodhi dje një tjetër akuzë për një tjetër eksponent të lartë të Partisë Socialiste, kryetarin e Asamblesë drejtuese, Gramoz Ruçin. Berisha tha se ideatori i bojkotit të vitit 1996, u detyrua që vetëm pak kohë më pas të largohej në drejtim të Greqisë me rroba grash. Berisha nënvizoi se ikja e Ruçit fshehurazi në vendin fqinj, ishte për t’ju shmangur përgjegjësive të bojkotit politik në vitin 1996.
“A e dini ju që Gramoz Ruçi, pasi bëri bojkotin, është larguar me rroba grash për në Greqi, apo jo? Ai është veshur me fustan grash, prandaj unë thashë atë ditë për të ‘ky është një qen i rrahur’, sepse burri që ikën me rroba grash, nuk bëhet më kurrë burrë”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shtoi se Ruçi nuk zgjodhi të vishta as fustanellën, por zgjodhi minifund.
Kjo skenë, tha kryeministri është edhe e fotografuar, por nuk është bërë publike, për arsye privatësie.