A do te kemi nje te vetem gjuhe literare shqip?

Kur Mid’hat Frasheri, nje nga mendimtaret me vizionare qe ka njohur vendi, qofte ne politike, po edhe ne kulture, siç shihet nga teksti i mesiperm ne gjuhe - çeshtjet e dialekteve ishin te hapura. Me qartesine, vizionin dhe kthjelltesine e mendimit, Frasheri shtron problemet qe ka pasur gjuha jone ketu e 100 vjet perpara. Sot ne Durres, deri me 18, mbahet konferenca e pare shkencore ne keta 20 vjet, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhesise dhe Letersise, retrospektiva e mesiperme na le te kuptojme pse gjuhetaret apo shkrimtaret deri tani nuk u jane referuar ketyre koloseve te mendimit, qe edhe sot ngjan i fresket mendimi i tyre
Në mes të kaq të vështirave të tjera, kemi dhe ndarjen e gjuhës sonë. Sado që gjuha është një dhe e vetme, s’mund të mohohet ndryshimi i madh që është në mes të dy dialekteve toske dhe gegë, pa numëruar dhe nëndialektet e tjerë.
Sot po shkruajmë pothuaj në çdo dialekt dhe shumë herë një libër mbetet i pakuptuar prej të tjerëve. Për një komb të vogël dhe të dobët si ne, kjo ndarje dhe çarje është një e vështirë e madhe, një rrezik i vërtetë, që s’mund ta shikojmë me gjak të ftohtë.
Është, pra, nevojë e madhe që të kemi për shqipen tonë të shkruar një të vetëm gjuhë literare, e cila nxëhet dhe të përdoret prej të tërë kombit tonë, sikundër që të gjithë kombet e qytetëruar një të vetëm dialekt literar kanë.
Cili do të jetë ky dialekt? A do të marrim një nga dy degët e mëdha të sotmë- toskërishten a gegërishten- apo do të marrim ndonjë dialekt në mes të dyve?
Është thënë shumë herë që të merret dialekti i Elbasanit si një gjuhë e përmesme dhe e kuptuarshme prej të gjithë shqiptarëvet.
Për këtë qëllim do të shkruhesh dhe të nxëhesh dialekti i Elbasanit-a ndonjë tjatër atje afër, ashtu si flitet prej popullit a me pak ndryshim. Po ja një e vështirë tjatër; këtë dialekt të përgjithshëm kush do të na e mësojë? Sot për sot ndonjë vepër të madhe kemi në gjuhë të Elbasanit, as ndonjë shkronjëtore kemi që të na rrëfejë në thjeshtësi të tyre rregullat e asaj gjuhe. I vetmi shkronjës nga Elbasani, Kristoforidhi, ka përdorur jo dialektin e vëndit të tij, po një gjuhë të përzier. Edhe pa një vepër të mirë, pa një udhëheqës të mbaruar, s’mund që të mësohet me gjithë bukuritë e saj një gjuhë literare.
Për të patur një zgjidhje të kësaj çështje kaq të rëndë për ne, deshëm të dimë dhe mendimet e njerëzve që kanë bërë studime mbi gjuhën dhe dialektet shqipe. Na këtu përgjigjja që muarrmë nga zoti Gjergj Pekmezi, punët e të cilit mbi gjuhën tonë janë të njohura:
“Sot përdoren, sikundër e dini fort mirë, të dy dialektet (ndënfoljet) gegërishtja dhe toskërishtja si gjuhë literare (të përbashkëta) në Shqipëri, njëri në Gegëri tjetri në Toskëri, njëri ka në themel dialektin e Shkodrës, tjetri mund të thuhet, disa dialekte të Toskërisë.
Thashë, se gjuha literare (e përgjithshme) e Gegërisë ka për themel dialektin e Shkodrës, sepse tërë shkrimtarët e Gegërisë apo ata që janë mësonjës të gjuhës shqipe në Gegëri, a janë shkodranë, apo kanë qenë disa vjet, duke nxënë në ndonjë shkollë të Shkodrës. Të vetmen shtypshkronjë që kemi pasur gjer sot në Shqipëri, ka qenë edhe është në Shkodër, ku janë shtypur shumë libra të kishës, të shkruara shkodranisht, të cilat janë përdorur dhe përdoren prej katolikëve.
Po jo vetëm librat e kishës po edhe librat e shkollës janë shkruar në shkodranisht. Më të pastajmët kanë përdorur, mjerisht, orthografinë (drejtshkrimin) e të ndjerit Kristoforidhi e ashtu duket gjuha si fare e ahuj, një gjuhë që s’flitet asgjëkundi në Shqipëri; shumë kanë vuajtur mësonjësit me këto libra duke i ndërtuar pas gjuhës që flitet, për të lehtësuar mësimin në shkollë. Duket sheshazi se burimi i gjuhës literare të Gegërisë është dialekti i Shkodrës.
Në Toskëri, përkundrazi, kanë dalë shkrimtarë prej disa këndeve të Toskërisë e prandaj gjuha literare e Toskërisë është një kullim jo vetëm i një dialekti të Toskërisë po i disave”.
Mund të thuhet se dialektet e Gegërisë janë shumë më larg njëri prej tjatrit sesa dialektet e Toskërisë; shkakun e sheh kushdo, po të hedhi një vështrim mbi një kartë dhe shkroje, po shumë më lehtë do të kuptojë ay që ka qenë ndër ato vise edhe që njeh marrëdhënien në mes gegëve e të toskëve.
Kështu gjendet sot çështja e gjuhës literare, më duket mua, se edhe për sot është mirë që përdoren, kështu si thamë, këto dy dialekte në Shqipëri, ndryshe do të ishte shumë më e rëndë për përlindjen tonë. Për të lehtësuar mësimin do të ishte nevojë cilido mësonjës të përdore jo vetëm në Gegëri gegërishten e në Toskëri toskërishten. Përveç kësaj vetëm ndërrimi i një pune prej kaq vjetëve është, pas mendjes sime, është për sot as i mirë as që mund të bëhet përnjëherë.
Për tashti do të mjaftonte po të përpiqeshin shkrimtarët tanë si gegë ashtu edhe toskë ta mësojnë gjuhën shqipe, po jo gegët vetëm gegërishten edhe toskët vetëm toskërishten, se gegërishtja dhe toskërishtja janë vetëm dialekte të gjuhës shqipe; ashtu edhe librat e shkollës do të ishte mirë të shkruheshin për gegë në vend të parë gegërisht, po të mos mungojë brenda edhe toskërishtja, sikundër edhe librat e toskërishte, të cilat lypset të përmbajnë toskërishten edhe gegërishten.
Por, më tjatër anë, këto që thamë, aspak s’mund të na ndalojnë që tashti të nisim e të mendohemi përmbi një gjuhë të përgjithshme, e cila të jetë për të tërë shqiptarët, sikundër që kanë bërë kombet e qytetëruar. Me të tjera fjalë, të mendohemi përmbi shërimin e një plage aq të rrezikshme për më shpejt. Është e rrezikshme, thashë, sepse ne, si gegë ashtu edhe toskë, si të krishterë ashtu edhe muhamedanë një komb jemi edhe një komp lypset të jetë si një trup, një trup që ka një shpirt edhe shpirti I një kombi është gjuha që e flet; gjuha jonë është, kuptohet, vetëm një gjuhë e vetme, që ka dialekte sikundër që kanë të tëra gjuhët e botës, prandaj edhe gjuha literare lypset të jetë një, si gjuha ashtu edhe veglat e gjuhës lypset të ishin njësoj, dua të them, se mirë do të ishte të kishim vetëm një alphabet, vetëm një orthografi (drejtshkrim), një terminologji për diturinë etj., se një komb kaq i vogël sikundër që jemi sot ne, të jetë i ndarë, të mos jetë në këto punë të gjuhës i bashkuar, domethënë, ay s’mund të rrojë e domosdo, sot a nesër do ta asimilojnë kombet që e kanë pranë.
Po si mund të vërtetohet kjo dëshirë kaq e nevojshme? Sikundër thamë, që të dy këto gjuhë literare që përdoren sot në Shqipëri e kanë burimin e tyre afro ndër anët e Shqipërisë; qendra e Shqipërisë mjerisht na ka mbetur fare e huaj apo e panjohur, dialektet e qendrës që janë padyshim më të kthjelltë, nuk i dimë apo më mirë të themi, palcën e shqipes s’e njohim aspak. Për të vërtetuar dëshirën e nevojshme që e përmendmë, lypset domosdo në vend të parë qendrën e gjuhës ta njohim e ta mësojmë dhe ashtu, pa dyshim duke e mësuar do të mundemi me kohë ta gjejmë ndër këto dialekte të qendrës edhe kërthizën e gjuhë sonë, të cilën lypset ta mësojmë e pastaj ta përhapim nëpër tërë Shqipëri. Këtë themel për gjuhën literare ngadalë lypset ta forcojmë pastaj, duke marrë lëndë të mirë e të bukur prej të tjerëve dialekte të Shqipërisë.
Pas këtij dialekti lypsen shkruar edhe tërë librat e shkollës. Në Shqipëri të Mesme, pra, lypset të dërgojmë njerëz të njoftun pak me filologjinë, që ta mësojmë atje gjuhën, apo rregullat e gjuhës, jo vetëm të gramatikës (shkronjëtores) por ca më tepër të sintaksit, të mbledhin e të shtypin shumë përralla, këngë e të thëna të popullit, por shkruar sikundër i kallëzon populli, që pas pak kohë të kemi një thesar të bukur e të madh. Kjo është e vetmja mënyrë, pas mendjes sime, për të shpëtuar prej një rreziku të madh fort.
Por, ka në botë edhe shumë mënyrë të tjera.Mundet, të themi, një vjershëtor i madh, sikundër që ka qenë Danteja apo të tjerë, pa dashur munt ta bëjnë dialektin e tyre të përgjithshëm, apo politika e një kombi e bie punën që të zgjidhet ndonjë qyetet për kryeqytet të një dheu e ashtu edhe dialekti i atij qyteti mund të bëhet i përgjithshëm, sikundër që ka qenë Roma për gjuhën latine, Parisi, Londoni, Moska, Praga etj.
Diturija, 1909, nr. 4, f. 49-51
100 vjet prapa
Kur Mid’hat Frashëri, një nga mendimtarët më vizionarë që ka njohur vendi, qoftë në politikë, po edhe në kulturë, siç shihet nga teksti i mësipërm në gjuhë - çështjet e dialekteve ishin të hapura dhe shtrati për të krijuar një shqipe të përbashkët ishte më se i përshtatshëm. Në të kundërt në fund të fjalës së tij, Frashëri na paralajmëron se duhet “për të shpëtuar prej një rreziku të madh fort”.
Me qartësinë, vizionin dhe kthjelltësinë e mendimit Frashëri shtron problemet që ka pasur gjuha jonë këtu e 100 vjet përpara. Çështja e regjionit, fesë, krahinave sigurisht që vihen në një vëmendje fine për të kuptuar pse gegët s’ndahen prej gjuhës, e toskët prej të tyres e si duhet të ruhen e gjenerojnë përhapje këto dy dialekte si pasuri. Kur sot në Durrës, deri më 18, mbahet konferenca e parë shkencore në këta 20 vjet, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, retrospektiva e mësipërme na lë të kuptojmë pse gjuhëtarët apo shkrimtarët deri tani nuk u janë referuar këtyre kolosëve të mendimit, që ngjan i freskët edhe sot mendimi i tyre. Sidomos në këtë rast Frashëri parasheh gjitha rrugët se si mund të shkohet drejt një “shqipeje të përbashkët” ose “gjuhe të përgjithshme” përdor termat, duke marrë vesh se sa pa kuptim është sot debate nën termin “gjuhë e njësuar”, si togfjalësh e trashëguar nga socrealizmi, aq sa edhe fjala e “standardit”. Konferenca që hapet sot ka në thelb shikimin e një gjendje reale gjuhësore, të proceseve evolutive, dhe zbulimi i disa problematikave që lidhen me mediat sot, por dhe të asaj pjesë gjuhësore që u mohua, apo u ekzekutua nga diktatura, fjala është për gegërishten. Konferenca hapet sot nga fjala e drejtorit të QSA, prof. dr. Ardian Marashi, me “Shqipja në etapën e sotme: sfidat e gjuhës dhe të gjuhëtarëve”.
Seanca e parë do të ketë në fokus historinë e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni, e drejtuar nga Besim Bokshi, Kolec Topalli, Mustafa Ibrahimi, Aljula Jubani. Referencat do jenë: akad. Bahri Beci (ASHSH): Historia e standardizimit të shqipes; akad. Rexhep Ismajli (ASHAK): Politika gjuhësore, ndërsa do mbajnë kumtesat: prof. dr. Seit Mansaku (QSA): Nga gjuha letrare kombëtare te gjuha standarde; prof. dr. Bardhyl Demiraj (Mynih, Gjermani): Norma gjuhësore dhe substandardi në tekstet shqipe të shek. XVIII në arealin kulturor të Veriut etj.
Seanca II përfshin probleme gramatikore të standardit ku në seancën e drejtuar nga Tomor Osmani do mbajnë referate: akad. Ethem Likaj (ASHSH dhe UT): Morfologjia e shqipes standarde dhe zhvillime te reja ; akad. Wilfried Fiedler (Gjermani): Tendencat e formimit të shumësit në shqipen e sotme, ndërsa kumtesa do të mbajnë: akad. Besim Bokshi (ASHAK): Rreth problemit të paskajores në gjuhën shqipe; prof. dr. Artan Haxhi, prof. dr. Tomor Osmani (USH): Disa forma shumësi të gjinisë mashkullore; prof. as. dr. Anila Omari (QSA): Vështrim mbi disa prirje të gjuhës së sotme letrare; prof. as. dr. Shkumbin Munishi (UP): Mbi mundësinë e integrimit të paskajores në gjuhën standarde shqipe; prof. as. dr. Mimoza Kore (UT): Për një përmirësim të normës morfologjike në standard; PhD Julie May-Kolgjini (Universiteti Amerikan i Kosovës): Mundësia e përdorimit të paskajores në standardin e gjuhës shqipe.