Kueiroz: Ronaldo, 100% në formë për të luajtur
Karlos Kueiroz, trajneri i Portugalisë, ka mbrojtur vendimin e tij për aktivizuar Kristiano Ronaldon në ndeshjen ndaj Hungarisë, duke këmbëngulur se ylli i madrilenëve ishte në formë të mirë për të luajtur. "E hodha në fushë Ronaldon, pasi isha i sigurt që ai ishte 100% i aftë për të luajtur. Këtë e miratoi stafi mjekësor dhe ne kemi qenë të bindur se Kristiano ishte në formë për t‘u aktivizuar", u tha gazetarëve Kueiroz. "Kristianos i dhashë udhëzime të qarta, që nëse do të ndjente probleme, të kërkonte zëvendësimin. Gjëja më e rëndësishme ishte ta ruanim atë që të mos i ndodhte asgjë gjatë lojës. Ai nuk pati kohë për të bërë impakt. Hungarezët ishin shumë të freskët, ata e bllokuan, duke e markuar gjithmonë me dy lojtarë. Megjithatë, unë ndjeva se ishte një nga ato ditët speciale për Kristianon. Unë ndjeva që nga fillimi dhe është për të ardhur keq që ai e la fushën shumë shpejt për shkak të dëmtimit. Është për të ardhur keq, sepse për shkak dëmtimesh Kristiano nuk luajti në dy ndeshjet e para eliminatore. Në dy ndeshjet në vijim ai nuk ishte plotësisht në formë. Në të gjitha takimet eliminatore kemi pësuar dëmtime dhe lojtarët kanë pasur probleme, por unë shpresoj se në të ardhmen çdo gjë do të jetë mirë". Kueiroz bie në kundërshtim me argumentet e komentet e mëparshme të Ronaldos, i cili pohoi se ai luajti vetëm sepse donte që të ndihmonte në Portugalinë për të arritur një rezultat të mirë: "U ndjeva shumë mirë, edhe pse unë nuk isha 100% në formë. Por doja të luaja për të ndihmuar vendin tim të kualifikohej për në Botëror".