E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lev ka besim te plote te skuadra

Trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim Lev ka deklaruar se pavarësisht disfatës në finalen e Champions League, futbollistët e Bajernit të Mynihut janë shumë të motivuar për të arritur suksesin në Euro 2012. Tetë lojtarët e grumbulluar nga skuadra bavareze do ti bashkohen skuadrës në kampin përgatitor përpara miqësores me Zvicrën.

Tekniku Lëv i garantoi të gjithë se lojtarët e Bajernit janë elementë shumë të rëndësishëm për Gjermaninë, pavarësisht zhgënjimit në sfidën me Çelsin në “Alianz Arena”.

“Të gjithë lojtarët e grumbulluar nga Bajerni janë gati ti bashkohen Gjermanisë dhe janë të motivuar. E ndjej që janë të lumtur që sezoni nuk është mbyllur dhe tashmë kanë objektiva të rinj. Kam folur me të gjithë ata. Shvajnshtajger humbi një 11-metërsh të rëndësishëm dhe e vuan këtë fakt, megjithatë ai është gati”

Nga grumbullimi në Francë, Joakim Lëv foli edhe për çështjen “Julia Timoshenko” dhe thirrjet e disa vendeve për të bojkotuar Kampionatin Europian në Ukrainë. Drejtuesi i stolit gjerman nënvijëzoi se lojtarët e tij duhet të paraqiten në Euro 2012 pa komplekse dhe paragjykime.

“Do të synojmë të jemi të hapur me njerëzit, të jemi miqësorë dhe të sinqertë. Në fakt, dëshirojmë të përqendrohemi vetëm në aspektin sportiv të aktivitetit, edhe pse është e rëndësishme të mbështesim të drejtat e njeriut dhe çështje të tilla të rëndësishme”.

Gjermania luan në grupin e ferrit në kampionatin Europian, kundër Holandës, Portugalisë dhe Danimarkës, ndërsa në ndeshjen e parë ata do të kenë si kundërshtarë portugezët më 9 qershor në Lviv.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›