Levan-Tepelenë, investimi qeveritar që afron më shumë pjesët e Shqipërisë
Kryeministri Berisha inspekton punimet në rrugën Levan-Tepelenë, e cila pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm. Aksi rrugor do të “zvogëlojë” më shumë distancat brenda trojeve shqiptare, ndërkohë që do shenjojë edhe progresin e vendit, më 2013-n
Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje ecurinë e punimeve në rrugën Levan (Fier) - Tepelenë, investim me vlerë 70 milionë euro.
Kryeministri e konsideroi këtë “një rrugë transformuese”, sipas të cilit me përfundimin e saj, “jugu do të arrijë tregun e Tiranës në më pak se dy orë” dhe se “turistët nga Tirana dhe mbarë bota do të arrijnë në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, në një kohë që 2-3 vjet më parë asnjë nga ne nuk e imagjinonte”.
Pasi u informua nga zbatuesit e projektit mbi fazat e projektit dhe vëllimin e punimeve, Kryeministri Berisha e inspektoi atë në të gjithë trajektoren e saj, nga Levani (Fier) deri në Memaliaj (Tepelenë).
Rruga e re ka një gjatësi prej 71 kilometra dhe shkurton me 22 kilometra dhe 1 orë e 10 minuta distancën e mëparshme nga Fieri në Tepelenë.
Rruga, e projektuar sipas standardeve të infrastrukturës europiane, ka gjerësi 10.5 metra, shpejtësi të lëvizjes 80-100 km/h dhe do të ketë 38 ura. Rruga është e ndarë në dy lote: lot i parë Levan-Damës, me gjatësi 38 kilometra dhe vlerë investimi 40 milionë euro dhe loti i dytë, Dames-Tepelenë, 32 kilometra dhe vlerë investimi 30 milionë euro.
Kryeministri u shpreh se “autostrada Levan- Tepelenë është një nga autostradat më të rëndësishme të vendit, pasi me përfundimin e saj, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena do të arrihen nga Tirana në një hark kohor më pak se dy orë. Saranda, me përfundimin e segmentit Kardhiq-Delvinë, do të jetë edhe ajo në 2 orë e 20 minuta. Nëse do të doni të shkoni të pini një kafe në majën e Çajupit, Olimpin e Gjirokastrës, do të shkoni aty për 2 orë e 30 minuta. Pra, kjo rrugë transformon Shqipërinë nga Tirana deri në skajin e saj më jugor”.
Sipas Berishës, kjo rrugë është fatlume, sepse nuk mund të bllokohet nga politika bllokuese e kryetarit aktual të Partisë Socialiste, sepse tha ai, “ju garantoj se në qoftë se edhe këto do të ishin në paketën e bllokimit, shqiptarët nuk do të shihnin një rrugë të vetme me sy dhe do të mbeteshin me trashëgiminë hoxhiste, që ishte edhe trashëgimia më katastrofale në rrugë. Por nuk ka asgjë që mund të pengojë ndërtimin e Europës në çdo skaj të këtij vendi, ndërtimin e Europës në luginën e Vjosës, në luginën e Përroit të Thatë, në luginën e Kardhiqit e kudo, në çdo fshat e çdo vend dhe procesi i integrimit është e do të mbetet një proces i pakthyeshëm”.
Më pas, Kryeministri Sali Berisha, iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve.
Ambasadori Sequi foli një ditë më parë, pikërisht për gjuhën e bashkëpunimit. Kjo është një rrugë që i bashkon të gjithë shqiptarët, po gjuha e politikës?
Ne vetëm po ndërtojmë rrugë e ura bashkimi. Ne po ndërtojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, ura e rrugë bashkimi.
Mendoni se këtë po e bën edhe Presidenti?
Sot jam këtu, për këtë kryevepër të punëve publike në Shqipëri, e cila në vëllime punimesh është pothuajse identike me Fierzën. Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund të dal jashtë ndjesive që kam sot, për këtë rrugë, ndaj ju luten që pyetjet që keni për problem të tjera mi rezervoni në konferencë të tjera shtypi, sepse sot, unë jam tërësisht i vërshuar në brendinë e shpirtit tim, nga Vjosa e bukuritë e luginës së saj.
Megjithatë, a mendoni se kjo rrugë mund t’ju sjellë më shumë vota në vitin 2013 apo jo?
Mendoj se kjo rrugë e bën më zonjë Shqipërinë në 100 vjetorin e saj. Kjo rrugë do të përfundojë dhe Shqipëria, në 100 vjetorin e saj, do të jetë me rrugë të atilla që edhe ata, që bënë projektet më mahnitëse për të, nuk e kishin përfytyruar ndonjëherë.