E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse aleatët dyshojnë tek Rama!

19-10-2011 / Gazeta 55

Shkërmoqet aleanca e Edvinit, pasi dy parti konsistente si PBDNJ e PDS nuk i vijnë fare në tryezë, ndërkohë që të tjerët s’pranojnë të firmosin asnjë deklaratë bllokuese. Në zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s, Edi Rama grabiti votat e aleatëve me Kodin Zgjedhor, prandaj në këto ditë të vështira për ithtarin e bojkotit, as një bolshevik si Skënder Gjinushi s’pranon të përdoret e të shndërrohet në një llogore mbrojtëse për qëndrimet anti-evropiane e anti-reformë të kryetarit të PS-së.


Opozitarët e vegjël kujtojnë se Edvini “ua ka futur” disa herë gjatë Reformave Zgjedhore, ndërkohë që deklarojnë hapur se s’kanë besim tek “aftësitë” e tij, për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme e e më pas për të qeverisur. Nga pikëpamja “formale”, tryeza e djeshme “tradicionale” e gjysmë-opozitës, pati dy “risi”. E para në renditjen e këtyre “risive”, ka të bëjë me faktin se Kurt Kola, i cili pretendon se përfaqëson të përndjekurit politikë në koalicionin gjysmë-opozitar të partive të majta, nuk ishte ulur pranë Ervin Metes, të birit të një prokurori të diktaturës, që i ka mundësuar Kurt Kolës, “statusin e të përndjekurit politik”. “Risia” tjetër kishte të bënte me faktin tjetër, se Preç Zogajn, të cilin jemi mësuar ta shohim në rolin e zëdhënësit të koalicionit gjysmë-opozitar, dje e kishte shmangur Skënder Gjinushi, kreu i PSD-së, i cili e kishte marrë vetë përsipër ta bënte këtë punë, në përfundim të tryezës “pa bereqet” të gjysmë-opozitës. Ndërsa, për sa i përket “brendisë” së tryezës, ajo, veçse konfirmoi thellimin e ndasisë mes partive të mbetura të gjysmë-opozitës, nuk është se përcolli ndonjë gjë më shumë, apo ndonjë gjë më ndryshe. E shndërruar në një “panair kotësish”, tryeza e gjysmë-opozitës e lajmëruar se në qendër të diskutimeve do të kishte reformën zgjedhore dhe situatën politike në vend, ka devijuar nga ky qëllim, për më tepër edhe nga ndonjë vendimmarrje e mundshme. Ka qenë vetë Edi Rama, i cili me propozimin që 10 kushtet e tij, ti paraqiste nga dje e në vazhdim edhe si 10 kushtet e gjysmë-opozitës, ai që ka ngjallur revoltën e krerëve të partive të tjera, pjesëmarrëse në gjysmë-tryezën e gjysmë-koalicionit. Duke kuptuar, tentativën për ti futur në kurth të Edi Ramës, bashkë edhe me përpjekjen e tij, për të shmangur diskutimet nga reforma zgjedhore, kanë qenë gjysmë-aleatët, që kanë reaguar ashpër. Duke i kujtuar Edi Ramës, se ai, në më të paktën, nuk ka qenë i interesuara asnjëherë për reformën zgjedhore, dhe se në më të shumtën, këtë reformë e ka shfrytëzuar për të nxjerrë nga skena aktive politike, aleatët e tij, mësohet se kryetarët e partive, pjesëmarrës në gjysmë-tryezë, e kanë kundërshtuar me forcë idenë e tij për ta vënë diskutimin në shinat e “10 kushteve” dhe nga shmangia e diskutimit për reformën zgjedhore. Kundërshtimet e aleatëve, mësohet se janë nxitur nga dyshimet e tyre, për pabesinë e Edi Ramës. Të ndërgjegjshme, për atë, që ka qenë Edi Rama, ai që i ka lënë jashtë Parlamentit, duke i detyruar të bien në nivelin e Kurt Kolës e Ervin Metes, Skënder Gjinushi dhe Petro Koçi, kanë qenë më “të zjarrtit”, në kundërshtimin e tyre, që kushtet e Edi Ramës, ti bëjnë kushte të gjysmë-opozitës së mbetur. Duke kundërshtuar këtë ide të Edi Ramës, mësohet se pjesëmarrësit në tryezë, nuk e kanë fshehur dyshimin e tyre, si për tentativën e Edi Ramës për tua futur sërish me reformën zgjedhore, ashtu edhe dyshimin dhe mungesën e besimit, te “aftësitë” e tij, për të fituar zgjedhjet dhe për ti rikthyer ata në pushtet, dhe aq më tepër, te aftësitë e tij për një qeverisje të mundshme. Të gjendur në këto kushte, aleatët e gjysmë-opozitës së mbetur, dolën ashtu sikurse edhe hynë në tryezë..., pa arritur ndonjë marrëveshje, apo edhe pa përcaktuar ndonjë strategji për të ardhmen. Në gjysmë-tryezën që u zhvillua në hotel “Tirana” morën pjesë të përhershmit e drekave të Kryetarit, si kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela, dy kryetarët e dy gjysmë PSV-ve Petro Koçi e Gjergji Koja, zëdhënësi Preç Zogaj, si edhe Kurt Kola e Ervin Mete i G 99-ës. Drekës së djeshme nuk i shpëtoi kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, pavarësisht se ka shprehur, haptazi, sikurse konfirmoi edhe dje, pakënaqësinë ndaj PS-së, për mënyrën se si po i trajton të vegjlit. Por, një drekë qyl s’është asnjëherë e gabuar. Gjysmë-tryezën e djeshme e refuzuan përsëri të përhershmit Paskal Milo nga PDS dhe Vangjel Dule nga PBDNJ. Ky i fundit seancën e raportimit te Rama e pati një javë më parë. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›