E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Tunizi, sondazhet favorizojnë partinë më të madhe islamike, Ennahada

19-10-2011 / Nga Redi Agolli

Tunizianët në udhëkryq mes Islamit dhe Demokracisë


Interesat në këto zgjedhje janë shumë të mëdha për Tunizinë, të cilat do të pasqyrohen edhe ne botën myslimane, pasi fitimi i zgjedhjeve nga partia më e madha islamike, Ennahada, do të inkurajonte partitë e tjera islamike në të gjithë rajonin. Por kjo do të paraqesë pyetje në lidhje me shtetin islamik apo demokratik. Nëse Ennahada do të fitojë zgjedhjet, a do të imponojë ajo një kod konservator islamik, apo do të ndjekë modelin e Turqisë, e cila ka treguar se Islami dhe Demokracia mund të bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Udhëheqja e Ennahada-s ka këmbëngulur që ajo ofron të fundit dhe se është kundër modelit iranian


Populli i Tunizisë, i cili ndezi siguresën e Pranverës Arabe, po hedh votën e tij për një Asamble Kushtetuese këtë fundjavë. Përpara kësaj vote kritike dhe vendimtare për të ardhmen politike të Tunizisë, disa video në internet-spote publicitare të partive islamike dhe demokratike – kanë nxitur aludimet se zgjedhjet do të sjellin një të ardhme të zymtë. Videot janë pjesë të një lufte guerile mes grupeve laike dhe islamike, zhvilluar përmes mediave sociale. Ajo tregon shumë për një klimë të dyshimit në rritje dhe mosbesimit në përjashtimin e rendit të vjetër-një klimë që ka çuar tashmë në një gjenerim të dhunës. Në sfond me një muzikë melankolike me titull “The Day After”, një video kundër regjimit islamik tregon një grua të ulur në një divan me dy vajzat e saj. Ajo flet sikur grupet islamike kanë marrë pushtetin dhe thotë se “burri i saj i kishte thënë se këta janë njerëz të cilët mund të besohen. “Unë tani besoj”, thotë gruaja, “dhe kam për t’i ndjekur”.  Pastaj ajo shton: "Pas disa muajsh, ata e ndryshuan ligjin, burri mu martua me dy gra të tjera ...  Kështu, humba lumturinë time dhe tradhtova të ardhmen e bijave të mia”. Ndërkohë, islamikët tunizianë janë përgjigjur duke postuar versionin e tyre të videos-me një kthesë shumë të ndryshme tek fjalët e gruas. "Më thanë:Kujdes! Zgjidh këdo përveç atyre. Ata janë të prapambetur”, thotë gruaja në këtë version të ri. Gruaja flet për Tunizinë, si një shtet policor. “Ata(policët) më erdhën në zyrën time duke më thënë: O hiqeni këtë zhele në kokën tuaj, ose jeni të pushuar”- një referencë kjo dinake për të treguar se në Tunizinë laike, gratë nuk do të lejohen të veshin perçe. Videoja përfundon: “Së bashku kundër fushatës anti-Islam në Tunizi. Vota juaj është besimi juaj”. Të dy versionet e kësaj video janë një ilustrim i parullave të mëdha të asaj që është bërë një temë dominuese në fushatën zgjedhor për Asamblenë e Përgjithshme:  Ku do të pozicionohet Islami në të ardhmen politike të Tunizisë?! Ky është një debat që po artikulohet në të gjithë botën arabe, sidomos në vendet ku tashmë janë rrëzuar regjimet diktatoriale. Në Tunizi, euforia e largimit nga pushteti të presidentit Ben Ali, ka kohë që është zhdukur. Shume video janë postuar në “FaceBook” dhe në “YouTube” nga mbështetësit e biznesit të një Tunizie laike. Një nga këto video tregon një kamerier në një restorant të ri bosh. “Bosi im është shkatërruar. Restoranti ka falimentuar”, thotë ai. Mesazhi: islamikët do të vendosin ligje të rrepta për pijet dhe shoqërinë, të cilat do të shkatërrojnë biznesin dhe turizmin tunizian. Në javët e fundit, debati Demokraci apo Islam, është shpalosur dhunshëm edhe në rrugët e kryeqytetit Tunis. Në muajin shtator, një grup islamik protestoi në Tunis, pasi një rrjet televiziv lokal transmetoi një film të animuar i quajtur “Persepolis”, i cili në një pikë përshkruan Zotin, një akt blasfemie kjo për shumë myslimanë. Protesta derivoi në dhunë, duke detyruar policinë të përdorte gaz lotsjellës. Këtë protestë, ditën tjetër e pasoi edhe një marshim i disa grupeve islamike jashtë zyrës së kryeministrit Salafist. Përveç kësaj, ka pasur edhe një sulm në shtëpinë e pronarit të stacionit të TV-së, i cili transmetoi filmin e animuar. Partia më e shquar islamike, Ennahada, dënoi dhunën, por nuk i mohoi protestat, duke e përshkruar filmin si provokues. Interesat në këto zgjedhje janë shumë të mëdha për Tunizinë, të cilat do të pasqyrohen edhe në botën myslimane, pasi fitimi i zgjedhjeve nga Ennahada, do të inkurajonte partitë e tjera islamike në të gjithë rajonin. Por kjo do të paraqesë pyetje në lidhje me shtetin islamik apo demokratik. Nëse Ennahada do të fitojë zgjedhjet, a do të imponojë ajo një kod konservator islamik, apo do të ndjekë modelin e Turqisë, e cila ka treguar se Islami dhe Demokracia mund të bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Udhëheqja e Ennahada-s ka këmbëngulur se ajo ofron të fundit. Udhëheqësi Rachid Gannouchi, i cili u kthye në Tunizi në janar, pas dy dekadave në mërgim, ka thënë se është “kundra modelit të Iranit, dhe se do të bashkëpunojë me partitë e tjera politike për të mbrojtur të drejtat e popullit tunizian”. Gannouchi ka sugjeruar se Tunizia, për disa vite të ardhshme, ka nevojë për një qeveri të koalicionit për t’u marrë me probleme kronike të vendit, sidomos me nivelin e papunësisë, e cila vlerësohet të jetë rreth 15%. Një sondazh i kohëve të fundit sugjeron se ndërsa një e treta e tunizianëve janë të përqendruar në vlerat islamike, gati 60% thonë se papunësia - çështje që nxiti trazirat në fund të 2010-s - është përparësia e tyre. Ka rreth 100 parti që konkurrojnë për vota, por është e vështirë për të vlerësuar fuqinë e tyre. Autoritetet kanë ndaluar reklamat e fushatës dhe të votimit – madje edhe përmasat dhe vendosja e posterave për zgjedhjet ka qenë e kontrolluar fort. Qëkur fushata filloi zyrtarisht, shtypi tunizian është ndaluar që të intervistojë politikanë. Në vend të kësaj, kandidatët janë të lejuar që të shfaqen vetëm tre minuta në ekran. Qeveria e përkohshme thotë se masat janë marrë me qëllimin që të sigurojnë një fushë loje të niveluar, ku paraja nuk mund të blejë rëndësinë e mediave. Ndaj këtyre masave, kanë ardhur ankesa nga partitë sekulare, pasi sipas tyre kjo censurë e bën të vështirë përhapjen e mesazheve të tyre politike në qytetarët që jetojnë përtej zonave urbane. Nga të gjitha partitë, vetëm Ennahada ka një avantazh organizativ, sepse ajo përdor xhamitë- të cilat ndodhen edhe në zonat rurale- për të përcjellë mesazhet e saj elektorale. Këtë avantazh organizativ, e tregojnë dhe vetë tunizianët, të cilët thonë se ata kanë qenë të kontaktuar nga Ennhada më shumë se çdo parti tjetër. Ndërkohë, sondazhet tregojnë se zgjedhjet mund t’i fitojë Ennahada me një të katërtën e votave, dhe demokratët progresivë mund të marrin 10%. Një parti tjetër laike, Ettakatol, mund të fitojë të njëjtën përqindje. Por 50% e tunizianëve thonë se janë të pavendosur dhe pjesa tjetër e votimit mund të ndahet midis dhjetëra partive, për të shtuar se ka rreth 600 kandidatë të pavarur.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›